Rama: Shqiptarët duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik (video)
Rajoni dhe Politika

Rama: Shqiptarët duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik (video)

04.Jul.2020 06:54
0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në një takim zyrtar homologun e tij kosovar, Avdullah Hoti.

Në takim të dy liderët kanë diskutuar për çështjet e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, zhvillimet në rajon dhe çështje të tjera.

Pas ceremonisë zyrtare në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Rama dhe Hoti mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku kryeministri Rama theksoi se Qeveria e Shqipërisë do ta mbështesë më fort çdo moment Kosovën.

"Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë lidhur me COVID-19 të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit. Ashtu sikundër jemi dakorduar për një tjetër event të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë mes nesh, gjithmonë me shpresë që situata me COVID-19 do të na e mundësojë këtë në Tiranë në muajin nëntor ku dëshirojmë që bashkërisht Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të sponsorizojnë kongresin e parë të autoriteteve vendore i cili ne dëshirojmë të kthehet në një kongres tradicional", tha Rama.

Lidhur me procesin e bashkëpunimit mbi nismën për eliminimin e pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, Rama tha se "shengeni rajonal" mbetet një program ku shqiptarët duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se "në rast se ne futemi bashkërisht në kornizën e shengenit rajonal askush nuk na pengon që në një kohë të shpejtë ne të hapim përfundimisht kufirin për lëvizjen e lirë të njerëzve pa asnjë kontroll",

Sa i përket aktakuzës "për krime lufte" ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Rama tha: "Ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës, qofshin në Kosovë, Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë".

Rama foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, duke theksuar se "Është një turp për Bashkimin Evropian që sot e gjithë ditën mban peng një popull. I vetmi popull në fakt i marrë peng në kontinentin tonë që ende ndalohet të lëvizë lirisht si të gjithë tjerët, pasi si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet që duhet të plotësojë çdo shtet përpara se të marrë liberalizimin e vizave".

Projekt i lidhjes së dy kryeqyteteve me hekurudhë

Kryeministri Hoti gjatë konferencës theksoi se duhet të kalohet në terma shumë praktikë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

"Dëshiroj të përmend tre projekte madhore që për ne janë të natyrës strategjike. E para porti i Durrësit, ku unë personalisht kam punuar me ish-ministrin e Financave që ta kemi një pikë doganore, por tani të jetë një pikë doganore ku mallrat të hyjnë në territorin e Kosovës. E dyta në fushën e energjisë, duke konsideruar ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike Kosovën dhe projekti i madh i lidhjes së dy vendeve tona, dy kryeqyteteve tona me hekurudhë", tha Hoti.

"Kosova ka institucione legjitime kushtetuese"

Në lidhje me mundësinë e një datë të re për takimin Prishtinë-Beograd në SHBA, Hoti theksoi se Kosova ka institucione legjitime kushtetuese, të gatshme që të marrin gjithë përgjegjësitë që u takojnë.

Ai shtoi se "Unë jam i gatshëm, unë jam në koordinim me ambasadorin (Richard) Grenell për të caktuar së shpejti një datë ku ne do të ulemi së bashku për të filluar procesin e dialogut me një axhendë fillimisht ekonomike dhe mandej për të kaluar tek çështjet që janë më politike të dialogut, duke u nisur nga parimet tona për këtë proces, që ne kemi për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve".

Kjo është vizita e parë e kryeministrit Hoti në Shqipëri, që pas marrjes së detyrës në fillim të qershorit, ndërkohë ai është takuar edhe me presidentin Ilir Meta dhe do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kufiri i Maqedonisë së Veriut me Kosovën dhe Serbinë do të jetë i hapur
Në Novi Pazar edhe dy të vdekur, të hospitalizuar 209 persona me koronavirus
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration