Rama: Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte
Rajoni dhe Politika

Rama: Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte

01.Jul.2020 08:43
0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përmbyllur vizitën e tij dyditore në Kosovë, gjatë së cilës u takua me liderë institucionalë dhe politikë për të mbështetur Kosovën dhe përfaqësuesit e saj politikë.

Rama i cili e vizitoi Kosovën “për të dëgjuar e mësuar më shumë” rreth aktakuzës për krime lufte të ngritur ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, tha se erdhi për shkak të një “nevoje kombëtare për unifikim”.

Rama vlerësoi se ajo që ndodhi me dy ish-udhëheqësit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte thellësisht e padrejtë dhe theksoi se për dy dekada, në Kosovë procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës është konceptuar, mbështetur e zhvilluar si proces i pandashëm nga procesi i shtetndërtimit, pajtimit, e integrimit evropian, madje edhe procesit të dialogut.

“Është krejt e kuptueshme që procesi i pajtimit nuk është vetëm çështje e ballafaqimit me të kaluarën nëpërmjet drejtësisë, por, është edhe një çështje e ndërtimit të së ardhmes nëpërmjet politikës”, theksoi Rama, , raporton Anadolu Agency (AA).

I pari i Qeverisë shqiptare, tha se “Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte, dhe cilido që është në rolin e kryetarit të Qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi”, megjithëse shtoi se Shqipëria as nuk e ka, e as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo të tutorit në Kosovë.

Ai e krahasoi propozimin e aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar nga Haga me fletërrufe të ngjashme si ato të revolucionit kinez, të cilat tha se i ka përjetuar Shqipëria në kohën e diktaturës, e cila sipas kryeministrit shqiptar po ashtu ishte e kombinuar me momentin jo të duhur të publikimit, “pikërisht në prag të takimit të delegacioneve Kosovë-Serbi në Washington”.

“Sigurisht që takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është vijim i një përpjekjeje me shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së”, tha Rama.

Në të njëjtën konferencë për media, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington më 27 qershor, ku u takua me të emisarin amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se një nga mesazhet që ka marrë atje për Kosovën është se “nuk ka marrëveshje sekrete” midis Kosovës dhe Serbisë.

“E dyta, nuk ka ndarje të Kosovës. Dhe, kush i ka sytë në ballë dhe mendjen në kokë nuk beson që as Qeveria e Shqipërisë, këtu po e shfrytëzoj rastin ta theksoj këtë meqë është përmendur shumë, e askush në Kosovë nuk bënë plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën. Pikë. Këtë ta keni të qartë dhe këtë po e sjell edhe si mesazh nga Washingtoni. Dhe, e treta, nuk ka nxitim për një marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës për çfarëdo interesi elektoral në Amerikë”, theksoi Cakaj.

Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministri në detyrë Cakaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, dje dhe sot kanë takuar udhëheqësit e institucioneve të larta dhe krerë të partive politike në vend.

Trumpi miraton planin e tërheqjes së mijëra trupave nga Gjermania
Cakaj: Kuk ka marrëveshje të fshehur e as shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration