
Prokuroria jep detaje për vrasjen e katërfishtë në Viti, ishin nga Zvicrra
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka dhënë detaje për vrasjen e katërfishtë në Viti.
Prokuroria ka konfirmuar se një burrë rreth orës 18:00 (31 dhjetor) në fshatin Pozhoran të Vitisë, ka vrarë gruan, dy fëmijët e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Sipas Prokurorisë, motivet e këtij krimi për momentin ende nuk dihen.
“Sipas informatave fillestare, dyshohet se personi me inicialet F.Z., me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën M.Z. dhe dy fëmijët e tij, të ndjerët H.Z. dhe A.Z., ndërsa në fund ka kryer vetëvrasje”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Remzi Azemi tha se nga hetimet praprake konstatohet se 3 prej viktimave kanë qenë brenda shtëpisë, derisa njëri prej viktimave e që dyshohet se është dorasi, është gjetur i vdekur në kopshtin e shtëpisë.
“Dyshimi i parë është që kryefamiljari ka kryer vrasjen e bashkëshortes dhe djemve e më pas dyshohet se në kopshtin e shtëpisë e ka vrarë veten. Ne ende jemi në fazën fillestare. Ende janë duke punuar ekipet dhe ende nuk kemi informacione lidhur me motivin. Deri më tani kemi intervistuar disa deshmitarë”, tha Azemi.