Politikanët kosovarë investojnë në mosnjohjen nga Serbia
Rajoni dhe Politika

Politikanët kosovarë investojnë në mosnjohjen nga Serbia

12.Jan.2019 09:10
0

…se nëse nesër do të arrihet një marrëveshje e Kosovës me Serbinë, si do t’i arsyetojnë këta liderë politikë dështimet e tyre 20-vjeçare në udhëheqjen e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve?

PLAÇKITJE ME ARMË zjarri në Fushë-Kosovë.

Plaçkitje e edhe një banke në Kosovë. Video nga plaçkitja në Prishtinë.

Plaçkitje në fshatin Greme të Ferizajt.

Për një muaj në Kosovë janë plaçkitur shtatë banka. Grabitje e armatosur – vriten polici dhe hajni në Istog.

Ajri në Prishtinë katastrofë, cilësia e ndotjes arrin shkallën e fundit.

Shmangni daljen jashtë në Prishtinë, ajri i rrezikshëm sonte.

Prishtina edhe sonte me ajrin më të ndotur në Evropë.

Prishtina me ajrin më të ndotur në planet.

Ndotja e ajrit, problemi i madh i pazgjidhur në vitin 2018.

Ramush Haradinaj: Serbia i paguan njerëzit që luftojnë për Rusinë në Ukrainë e Siri.

Albin Kurti: Serbia s’na urren vetëm neve pse jemi shqiptarë, por edhe të tjerët pse nuk janë serbë.

Hashim Thaçi: Serbia kreu gjenocid në Kosovë, po e mbyllim këtë kapitull.

Isa Mustafa bën thirrje për unitet kundër Serbisë, por thotë se LDK-ja mbetet në opozitë.

Kadri Veseli: Serbia ta ndalë lojën e agresivitetit, në të kundërtën do ta dëgjojë çdo ditë shtetin e Kosovës.

Fatmir Limaj thotë se Serbia është në panik për taksën.

Shpend Ahmeti: Nuk duhet të paguajmë me çfarëdo çmimi për njohjen nga Serbia.

TË GJITHA FJALITË e mësipërme janë tituj lajmesh nga dhjetori. Me një kërkim fjalësh kyç në Google, secili do t’i gjejë këta tituj.

Plaçkitjet në Kosovë kohëve të fundit kanë marrë përmasa shqetësuese. Me sulmet e shpeshta të armatosura nëpër bankat e vendit ka filluar të krijohet përshtypja se jemi duke parë episode të reja të filmave westernë me Clint Istwood ose Yul Brynner nga Perëndimi i Egër.

Po ashtu, lajmet për nivelin e ndotjes së ajrit, të vëna në pah sidomos këta dy dimrat e fundit, të ngjajnë me raportimet për rrezatimin pas shpërthimit bërthamor në Chernobyl.

Në anën tjetër, po t’i dëgjosh ligjërimet e liderëve politikë të Kosovës, fitohet përshtypja se lufta me Serbinë ka vetëm disa ditë që ka përfunduar.

Investimi në fjalimet për Serbinë ka peshën e investimit më të lehtë për politikanët kosovarë, me synimin e kthimit të shumëfishtë në kapitalin fillestar, pa kokëçarje të mëdha.

Në anën tjetër, nëse do t’u ktheheshin brengave të përditshmërisë së qytetarëve, do të duhej t’i përveshnin mëngët mirë dhe të punonin shumë.

TASH E SË paku 30 vjet politikanët kosovarë janë “shfercovatë” në llogari të Serbisë. Teksa ka qenë e kuptueshme koha e “aktivistëve politikë” të viteve ’90, kur politikëbërja identifikohej katërçipërisht me idenë e çlirimit nga Serbia, jo domosdoshmërisht kjo ka qenë çështja pas vitit ’99. Që nga kryetarët e komunave e deri te bartësit e tri institucioneve kryesore të shtetit, kryefjalë e kanë pasur Serbinë. E kjo kryefjalë në të njëjtën kohë ka qenë shpëtim, se ka qenë – arsyetim.

Arsyetim për dështim. Dështimet në Kosovë janë të mëdha në këta 20 vjet lirie e për to një pjesë të fajit mund ta bartë edhe Serbia, por pjesën më të madhe të fajit e bartim ne vetë.

Në vitin 2019, në kohën kur po bëhen, pra, plot 20 vjet prejse ushtari i fundit serb e ka lëshuar Kosovën, ne vazhdojmë t’i kemi figurat kryesore politike të na ligjërojnë në secilin rast për – Serbinë.

Hashim Thaçi është president me përgjegjësitë dhe obligimet e qarta kushtetuese, por ditë e natë na e servon – Serbinë.

Ramush Haradinaj, si kryeministër, më shumë flet për luftën me Serbinë sesa për çfarëdo angazhimi tjetër në Qeveri.

Kadri Veseli, si kryetar i një Kuvendi mjaft të ngathët, njësoj.

Shpend Ahmeti, kryetar i një kryeqyteti bukur kaotik, na ligjëron pjesën më të madhe të kohës për Serbinë.

Isa Mustafa e Albin Kurti, nga opozita, nuk mbesin fare më mbrapa.

Kujt po i intereson siguria e qytetarëve?

Kujt po i intereson ajri më i ndotur në Kosovë?

Ose: Kujt i intereson se Kosova edhe 20 vjet pas luftës vazhdon të jetë vendi më i varfër dhe më i izoluar në Evropë?

S’ka kohë kush të merret me këto se – Serbia!

Çka nëse nesër arrihet marrëveshja e Kosovës me Serbinë?!

Bukur problem do ta ketë kjo klasë politike t’i kthehet plotësimit të nevojave elementare të qytetarëve.

Paskal Milo: Thaçi ka mbështetje nga SHBA-ja për idenë për ndryshim të kufijve
Shqiptarja nga Bujanoci gjendet e plagosur në Vranjë?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration