Përvjetori i 'ftohtë' i  pavarësisë së Kosovës
Rajoni dhe Politika

Përvjetori i 'ftohtë' i pavarësisë së Kosovës

17.Feb.2019 08:36
0

Kosova po shënon 11-vjetorin e pavarësisë pa e përmbyllur ende finalen e madhe të dialogut me Serbinë, për t’i dhënë fund armiqësisë dhe arritjes së një marrëveshjeje paqësore, historike.

Dita e pavarësisë, për herë të parë po shënohet edhe me Ushtrinë në konsolidim e sipër, por Kosova mbetet ende vendi më i izoluar në Evropë, pa liberalizim të vizave.

Në përvjetorin e kaluar, i cili shënoi jubileun e parë, Kosova kishte 116 njohje nga shtetet e ndryshme, kurse sivjet, nuk dihet se cili është ky numër i njohjeve, ngaqë disa shtete kanë vendosur të tërheqin vendimin e tyre, duke pritur rezultatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shteti më i ri evropian, edhe këtë përvjetor e shënon pa e siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Kosova nuk e ka ende as mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.

Duke qenë me një subjektivitet të papërfunduar ndërkombëtar, Kosova përfaqësohet nëpër organizata e mekanizma ndërkombëtarë, diku si shtet sovran, diku si vëzhgues, e diku me fusnotë në emrin e saj.

 

Më 17 shkurt, 2008, Kosova në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore shpalli aktin e pavarësisë, por tani, 11 vjet pas, për herë të parë po rivlerësohet ky partneritet.

Dështimi i Kosovës që të jetë pjesë e Organizatës Botërore të Policisë-INTERPOL, që erdhi si pasojë e fushatës së Serbisë kundër këtij anëtarësimi, solli si kundër-reagim përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Sot, ky vendim po e sfidon Kosovën në planin ndërkombëtar, ngaqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur pakënaqësinë e hapur me tarifën e vendosur nga Prishtina zyrtare, sepse po e shohin atë si pengesë serioze për vazhdimin e dialogut dhe mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pengesat në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë cilësuar si dëmtim të interesave amerikane, duke e vënë kështu për herë të parë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën, shtetin që në hulumtimet e ndryshme, zakonisht ka qenë më pro-amerikan në Evropë.

Ftohja e raporteve me vendet që Kosova i ka cilësuar si mike, bashkë me sfidat e përhershme si zhvillimi i ngadalshëm ekonomik, papunësia dhe izolimi në mungese të liberalizimit të vizave, për shumë kë në Kosovë ka ndikuar që 11-vjetori i pavarësisë të shihet si një përvjetor i ftohtë.

Ndërkaq, nga aspekti i sundimit të ligjit, përveç luftës së brendshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova pritet të ballafaqohet edhe me proceset e para gjyqësore që mund të iniciohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen me emrin unik, Gjykata Speciale për krime lufte.

Sidoqoftë, për këto 11 vjet, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.

Flamuri i Kosovës është ngritur lartë nën tingujt e himnit shtetëror para syve të botës me kampionen olimpike e botërore, Majlinda Kelmendi.

Kurse emri i Kosovës, lakohet për të mirë në opinionin dhe mediat botërore përmes yjeveme origjinë nga Kosova, por që kanë krijuar famë botërore, ku veçohen këngëtaret Rita Ora, Dua Lipa e Era Istrefi. /Rel/

Zaev: Mbështesim edhe ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi si zgjidhje
Pavarësia e Kosovës, njihuni me 11 fakte të 17 shkurtit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration