Peripecitë e shtypit në Monarkinë e Zogut, kërkesat për financim, kush ishin gazetat më influente
Kulturë

Peripecitë e shtypit në Monarkinë e Zogut, kërkesat për financim, kush ishin gazetat më influente

04.Feb.2019 08:30
0

Historia e panjohur e peripecive dhe pengesave të shumta të shtypit të shkruar gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut (1925-1939), ku falë një legjislacioni modern dhe tepër të përparuar për kohën, në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë u ngritën dhe lulëzuan mjaft gazeta e revista. Cilat ishin disa nga vështirësitë ekonomike dhe financiare me të cilat u përball ai shtyp asokohe dhe çfarë kërkesash kishin botuesit e tyre në adresë të qeverive të Zogut?

Nga Dashnor Kaloçi

Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, (1925-1939), krahas zhvillimit të gjithanshëm ekonomiko-kulturor që pësoi vendi ynë në disa fusha të jetës, një përhapje të madhe pati edhe gazetaria me shtypin e shkruar. Në vazhdën e mjaft gazetave dhe revistave që ishin hapur dhe botoheshin në Shqipëri e disa prej kolonive kryesore të saj në botë (Bukuresht, Sofje, Kajro, SHBA etj), që nga vitet e para të shekullit të kaluar, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut ato pësuan një rritje dhe zhvillim akoma dhe më të madh, si nga ana e përmbajtjes dhe profesionalizmit, ashtu dhe nga formati i botimit e pamja e jashtme e tyre. Mirëpo, edhe pse shtypi i shkruar shqiptar gjatë atyre viteve pati një lulëzim të paparë, ku jo vetëm në Tiranë, por edhe në shumë qytete të tjera të vendit si në Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Vlorë etj, botoheshin një numër i madh gazetash e revistash, madje shumica e tyre ishin ditore, gjatë asaj kohe ai u përball me probleme dhe vështirësi të ndryshme në planin ekonomiko-financiar.

Nisur nga ai fakt, në disa prej gazetave dhe revistave të asaj kohe u bënë prezente një sërë artikujsh, ku pasqyrohej ajo gjendje e vështirë ekonomiko-financiare me të cilën përballej shtypi shqiptar i atyre viteve. Veç tablosë realiste të gjendjes së shtypit të shkruar të cilën mjaftë gazetarë, analistë dhe botues të njohur e bënin prezente publikisht para lexuesit, ata nuk nguronin t’i bënin edhe një sërë kërkesash qeverive të ndryshme të asaj periudhe, duke i kërkuar marrjen e një sërë masave me qëllimin e vetëm të rritjes dhe zhvillimit të Shtypit Kombëtar. Nga ato shkrime të asaj kohe, kemi përzgjedhur për botim ato të shkruara nga gazetari e botuesi i njohur, Nebil Çika, të cilat po i publikojmë pa asnjë ndryshim dhe në gjuhën zyrtare të asaj kohe.

“Botuesi Nebil Çika: Pse nuk shiten gazetat tek ne”?

Një shoku ynë i cili kishte vajtur në Korçë për Krishtlindjet, kur u kthye pardje na tha: “Ndenja dhjetë ditë në Korçë dhe nuk bleva asnjë gazetë por i këndova rregullisht të tria gazetat e kryeqytetit nëpër kafene”. Shoku ynë s’ishte i vetmi që këndon në kafene gazetat e vendit. Shumica e madhe e këndonjësve i këndojnë gazetat nëpër kafene, biblioteka, nëpër… zyra nga shoku. Kemi bërë hesap se “Minerva”, e cila ka nja 1900 blerës, këndohet në Shqipëri patjetër prej 10.000 vetëve. Dhe “Minerva” po të shitej vetëm 4.000 copë do të kishte atlejerin e saj për foto e për klishe e do të dilte e përjavëshme, me së paku 40 faqe me shumë dhe më tërheqëse se është sot. Po është shkaku që gazetat dhe revistat shqiptare prej shumicës këndohet në kafene e në biblioteka, ose duke u marrë nga shoku që i blen. Fare thjesht është puna: gazeta shqiptare këndohet, edhe ajo më kapadaiu në gjysëm ore.

Vërtet ti rri pra në kafene, porosit një kafe dhe i thua: “Më bije dhe gazetat”. Gjer sa të vij kafja dhe ta pish, i këndon që të trija gazetat, natyrisht pjesët që i interesojnë. Fundi i fundit lajmet do t’i këndosh vetëm nga njëra. Nga të tjerat do t’i këndosh ndonjë koment ose ndonjë artikull dhe mbaroi puna. C’të shtërngon ta marrësh dhe ta futësh në xhep për ta kënduar në shtëpi. E dyta, një gazetë shqiptare, mikroskopike, kushton gjysëm leku e janë shumë të rrallë ata që mund të blejnë dy gazeta ose tri në ditë. Sa për revistat janë edhe më shtrenjtë akoma. Që të shiten gazetat, pra këndonjësi të mos mundet t’a këndojë në kafene: duhet të jetë e madhe nga formati dhe të mbajë shumë gjëra tëheqëse. Një gazet e tillë s’e këndon dot në kafene gjithë bota, qoftë sepse duhet shumë kohë, qoftë sepse s’të vjen rradha ta këndosh, pse ai që e ka në dorë nuk e lëshon dot kollaj.

“Gazetat shqiptare me pak informacion”

Shiten, në Tiranë, Korçë, Durrës, Vlorë etj, me qindra gazeta dhe revista të huaja. Bie fjala shiten në Tiranë 50 copë “Lu” në javë, nga 3 lekë copa, kurse “Illyria” jonë me 1 lek copën, nuk shet veçse 70-80 copë në javë. Gjen ç’të këndosh në gazetën e huaj. Prandaj gazeta shqiptare po nuk e zmadhoi formatin e saj dhe po nuk u mbush me lëndë të pasur e të zgjedhur, sa që këndonjësi të ndjej se nuk e këndon dot në pesë minuta dhe se duhet ta blejë dhe ta këndojë në shtëpi, dhe gjith ashtu, po nuk u shit një çerek leku copa, nuk ka se si të zhvillohet dhe të përparojë Shtypi Kombëtar. Jepi sa të duash subvencion. Ky nuk ia shton shitjen. Dhe po nuk u shtua shitja, nuk shtohet as zelli as posibiliteti i pronarit dhe i drejtorit që t’a përmirësojë gazetën ose revistën e tij. Në gjendjen e sotme të tyre, si pa kapitale dhe pa blerës të mjaftë që janë, gazetat vetë s’mund të bëjnë kurgjë për ta zmadhuar formatin dhe për të ulur çmimin e tyre. Zoti Timo Dilo që e di mjaft mirë punët e gazetarisë, kur dolli “Arbëria” e ndjeu saktësisht se i duhej t’a zmadhonte formatin e “Vatrës” e ta shiste një çerek leku copën. Dhe pati imprudencën ta shpallë këtë gjë. Por kur erdhi në praktikë puna, pa se ishte e pamundur. Po s’na e zgjati dorën qeverija, jo me subvencion por me spiritë (frymëmarrje, shënimi ynë), ndihme të vërtetë, gazetat shqiptare do të jenë shumë kohë siç janë sot ose afro. Po ç’mund të bëjë qeverija? Shumë gjera, po të dojë. Ndihmat më kryesore, po dhe krejt praktike që mund të na bëjë, do t’i tregojmë pasnesër (në numrin e ardhshëm).

“Problemet e shtypit në Shqipëri”

Në njërin nga artikujt e mëparshëm treguam se subvencioni që ka dhënë dhe u jep shteti gazetave, me mënyrën me të cilën ua jep, nuk ka bërë dhe nuk bën tjetër veçse të pengojë themelisht zhvillimin e Shtypit Kombëtar. Në dy të tjerët (numrat e gazetës), shpjeguam se gazetat dhe revistat t’ona nuk shkojnë për tri arsye kryesore: 1) Sepse shitja nuk është e organizuar aspak në krahinat dhe botonjësi është skllav i qejfit dhe i interesit të shitësve, që janë vetëm në qëndrat e prefekturave; dhe meqenë se gazetarët tanë s’janë akoma gazetarë dhe nuk mblidhen dot në një mënd e në një mëndje për t’ë organizuar shitjen në krahinat, duhet që Qeverija të krijojë në çdo qytet të math agjentë për shitje gazetash dhe revistash e librash shqipe. 2) Sepse gazeta dhe revista e huaj, e madhe shumë nga formati dhe me lajme të plota të cilat ne nuk lejohemi t’i botojmë, dhe e pasur nga lënda, i bën një konkurencë të tmerrshme gazetës dhe revistës shqiptare; duhet pra që Qeverija t’u impozojë (imponojë), nga një pullë qarkullimi gjysëm lekëshe atyre. 3) Sepse gazeta shqiptare është e vogël dhe e varfër nga lënda, këndohet në kafene e në zyra në pesë minuta e pra duhet ta zmadhojë formatin, të pasurohet nga lënda dhe të shitet një çerek leku copa; me qënë se gazetat s’kanë kapitale, këtë s’mund ta bëjnë veçse me ndihmën e Qeverisë.

“Vuajtjet në shtypshkronjë”

Këndonjësi shqiptar që merr në dorë gazetën nuk i vete kurrë mëndja se ç’vuajne gazetarët e shkretë në shtypshkronjë për të nxjerrë një numër gazete. Shtypshkronjat t’ona janë në gjendje primitive akoma. S’ka personel teknik, e para e punës. Lëre që s’kanë një përgatitje teknike, por s’kanë dalë as nga shkolla fillore. Me zi dinë të këndojnë germat. Kryeradhonjësi, që është ay që i bën faqet e gazetave e të librave dhe që duhet të ketë pak kulturë të përgjithshme, një çikë gusto, njëfare shije estetike, le që s’kupton aspak nga këto gjëra, por as që është në shkallë që mund të kuptojë se ç’i kërkon ti e ta bëjë ashtu si thua. Duhet t’i rijsh mbi krye. Po prap puna s’mund të bëhet si e do ti, pse mungojnë shkronjat, mungojnë vijat, mungojnë të gjitha. “Arbënia”, e cila pas fjalës që kemi bërë në shtypshkronjën, duhet të hyjë në makinë në katër të mëngjezit, dy ditë me radhë nuk hyri dot veçse në tetë, sepse e kishin adoptuar rishtaz sistemin e faqosjes që kemi sot dhe humbisnim katër orë kohë për t’i bërë titujt e lajmeve në mënyrë që të kenë pak simetri dhe estetikë. Të lodhesh gjithë ditën me përgatitjen e gazetës, e pastaj të të pëlcasë shpirti në shtypshkronjë duke parë se është e pamundur të nxjerrësh një gjë të bukur, dhe, sikur nuk mjafton kjo, të humbasësh edhe 2-3 orë

kohë, e me gjithë këto vuajtje të qëndrosh në këmbë edhe kur sheh se gazeta nuk të shitet sa duhet, janë gjëra që gazetarinë shqiptare e ngrenë në shkallën e një virtyte të mbrujtur me vuajtje. Mirë-po, sikur të kesh një shtypshkronjë ku puna ecën me ritmin e rregullt të një sahati, ne, duke kohën dhe energjinë që shpenzojmë në shtypshjkronjë, frymën e mundimit e të sakrificës s’onë do të vënim në shërbimin e publikut duke i dhënë një lajm më tepër, duke shkruar një artikull më të studiuar, duke menduar një përmirësim teknik që mund ta lartësojë edhe pak nivelin informativ e kulturor të gazetës.

“Shtypshkonjat me teknologji të vjetër”

Me shtypshkronjat e sotme, duke përjashtuar shumë a pak vetëm, njërën prej shtypshkronjave që është me më shumë naze, nuk mund të vejë përpara puna e zhvillimit të Shtypit Kombëtar. Pa kapital siç jemi sot, asnjeri prej nesh nuk mund të bëjë një shtypshkronjë si ç’duhet. Mirpo shpejtësia dhe estetika janë gjëra të pandarshme nga profesioni i gazetarisë. Atëhere s’ka çare tjetër veçse Shteti të vërë dorë mbi këtë gjë, duke krijuar në Tiranë një shtypshkronjë moderne. Fletorja Zyrtare më datë 16 tetuer 1929 ka botuar një dekret-ligjë “Mbi ngrehjen e Shtypshkronjës Mbretnore”, pasi Oborri Mbretnuer s’ka të bëjë aspak me shtypshkronja, fjala Mbretnore natyrisht i është ngjitur shtypshkronjës për të impresionuar autoritetet përkatëse, por megjithë këtë, dekret-ligja, e cila shkoi nga Parlamenti dhe u bë ligjë, nuk u vu në veprim. Më duket se punën e prishi z. Teki Selenica, për të mbrojtur-siç thoshin-një shtypshkronjë që e simpatizonte tepër, si dhe… për shkak se nuk donte, me të drejtë, që të pasurohet ndonjë funksionar shteti, në kurriz të shtetit, me të ardhurat e asaj shtypshkronje. Sidoqoftë z. Teki Selenica ka bërë, në këtë rast, një punë të mirë. Shtypshkronjat e shtetit janë një luks të cilin kanë leje ta bëjnë vetëm shtete të pasur dhe sidomos të mëdhenj, që kanë një miljon sende për të shtypur.

Ndër ne, shteti duhet të marrë vetëm nisiativën për të krijuar një shtypshkronjë: ose të bindë ndonjë kapitalist duke i dhënë fjalë se do ta përkrahë që të krijojë një shtypshkronjë moderne, ose të porositë vetë një shtypshkronjë, me këste, siç jepen shtypshkronjat sot prej fabrikave, duke ardhur në marrëveshje me gazetat dhe revistat e vendit, të cilat për sa i përket shtypshkronjës, mund të formojnë një shoqëri kolektive dhe t’ia sigurojë shtetit, prap me këste, të hollat që ky do të angazhohet t’i paguajë fabrikës që do të japë shtypshkronjën. Po le të rihet çështja. Ne si kompetentë që jemi, na është mbushur mëndja se pa një shtypshkronjë moderne e të plotësuar e cila bëhet me afro 3000 napolona, Shtypi Kombëtar s’mund të zhvillohet, dhe veç kësaj, Shteti ka dobira të mëdhaja materiale nga një shtypshkronjë e tillë e cila mund të shtypë edhe pullat. Me shpenzimet që bëhen për to në çdo shtypje, mund të sigurohen shpenzimet e vitit të një shtypshkronje moderne e të plotësuar. Ndryshe të mos flasim më për zhvillimin e Shtypit Kombëtar.

“Mjetet që i duhen gazetarit shqiptar”

Në numrin e parafundit të fletores s’onë, kishim cekun edhe disa nga mjetet që i duhen gazetarit shqiptar dhe kishim bamë një ekspoze të gjendjes së kësaj klase duke i tregue biografinë. Nga kjo biografi ka rrjedhun se, në periudha tashmë të kalueme, gazetari ka arrijtun që edhe ta shfrytëzojë fletorizmin (gazetarinë, shënimi ynë), për disa interesa tregtare; kjo ka rrjedhun me përjashtimet e duhuna, nga fakti se gazetat t’ona kanë pasë gjithmonë tirazh aqë të përkufizuem sa të mos u sigurojshin drejtuesëve të tyne një të ardhur të mjaftueshëm për nevojat e jetës. Tashmë, mandej, edhe se, për arsyena të ndryshme, që nuk xanë vënd në këtë artikull, spekullasionin tregtar, i kryem prej disa elementesh të dyshimtë, arriti deri sa ta mbyllë fletorizmin e kulluem, fletorizmin e ngritun në një art të vërtetë. Asht fakt i pakontestueshëm tashma se njeriu mundohet që t’i shfrytëzojë prirjet e veta landore ose intelektuale për të sigurue jetesën e vet dhe, shumë rrallë, për t’u bamë therror pa ndonjë dobi landore për një profesion. Gazetari shqiptar kur ka qenë nevoja, ka arritun deri sa të rroki armët për një çashtje të shenjtë kombëtare; por këtë fletorar (gazetar). Gjetiu, përkundrazi, pasioni gazetaresk ka arritur deri sa të shtypë adeptët (gazetarët profesionistë më të mirë), e vet që të aventurëohen në fusha luftet ku plumbat derdhen si breshër dhe ku rreziku i jetës paraqitet eminent dhe gjithmonë këcënues. Ne mund të themi se llogariten me shifra me shumë xero gazetarët që kanë mbetun në fushë të luftës duke u nisur vetëm për të kryem misionin e tyne të lartë të ndriçimit të opinionit publik.

“Gazetari shqiptar nuk e ka të siguruar jetën”

Por në asht se ata janë aventure e deri sa ta shohin vdekjen me sy, kjo ka ardhur nga fakti se jeta e tyne asht e sigurueme prej një shpërblimi të begatshëm që u jep familjeve të tyne mundësinë që të mos vuajnë për bukë. Ne shqiptarët nuk kemi arriturin edhe që ta sigurojmë gazetarin shqiptar si një element me randësi të madhe të jetës s’onë; asht e vërtetë se po fillon të injektohet edhe ndër ne një farë bindje se fletorizmi duhet të ketë një vënd të dukshëm në përgatitjen e opinionit publik; por kjo nuk asht veçse një etapë që po sa ka fillue të faqet këtu e dy vjet ma përë. Asht mirë që të theksohet se gazetarit shqiptar i mungojnë shumë mjete landore për ta përballun me shpirt detyrën e tij të randë nga çdo pikëpamje. Fillojmë duke tanë se me gjendjen e sotme, gazetarit t;onë i mungojnë shtypshkronjat që punojnë vetëm për të nxjerrun në dritë gazeta; mund të themi se prej

kohe Tirana ka pasë dy edhe më shumë fletore të përditëshme që botoheshin në shtypshkronja të ndryshme të vendit, të cilat nuk merreshin vetëm me gazetat, por gazetat i kishin si një mjet për t’i rrumbllakue të ardhurat që burojshin prej burimeve të ndryshme. Këtu duhet të mos harrojmë se nuk mund të kryhet kurrë një shërbim i mirë gazetaresk deri sa je i lidhun, nga pikëpamja e rradhitjes së landës, vetëm me një shtypshkronjë që ka një mijë e një punë të tjera për të kryem. Prandaj kishim me propozue se lania e lirë e veprimit të shumë shtypshkronjave që të konkurrohen në çmime dhe në punë të përsosun do të ishte një mjet që do t’i jepte gazetarit armën e vetme dhe të fuqishme të çfaqjes së veprimtarisë së tij. Nga ana tjetër, mandej, gazetari nuk duhet të trajtohet ma keq se një nënpunës në pagesa, ashtu siç nuk duhet të paguhet rradhitësi i një shtypshkronje me shpërblimet e vorfna të sotme; sepse së parit, i duhet të frekuentojë vende ku nuk mund të paraqitet me petkat (rroba veshje), e një shërbëtori, të dytit i duhet njoftur mundimi i punës së një shtypshkronje ku arrin të bahet i paaftë për jetesë vetëm mbas pak vjetësh pune. i kemi të gjalla shembujt punëtorësh shtypshkronje që preken prej turbekulozi dhe nisen për në atë botë pa pasë të drejtë familja e tyne që të kërkojë ndonjë shëpërblim prej të zotit të Shtypshkronjës. Duke pëerfundue, themi se shtypi i ynë duhet që të kujdeset për të përkrahun krijimin e ngulun gazetarësh të sprobvuem dhe t’i konsiderojë si një mision të kushtueshëm për lirinë e atdheut.

“Në Turqi qeverija subvencionon edhe shtypin opozitar”

Në analizat e shumta që bëheshin në gazetat e periudhës së Monarkisë së Zogut në lidhje me vështirësitë e shumta ekonomike dhe financiare me të cilat ndeshej çdo ditë shtypi i shkruar, bëhej analogji edhe me shtypin e shkruar të vendeve të tjera ballkanike, ku gazetat, veçanërisht ato kritike të qeverisë, kishin një ndihmë të madhe nga shtetet e tyre. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash aty thuhej: “Në Greqi, shteti u bën çdo lehtësi dhe i jep çdo ndihmë shtypit të vendit, pa marrë parasysh në se është pro ose kundër qeverisë në fuqi. Më kryesorja nga këto është ndihma që i jep duke i siguruar kartën (letrën e gazetave, shënimi ynë). Karta për libra dhe gazeta është fare lirë në Greqi. S’ka asnjë taksë dhe u jepet gazetave dhe revistave 3 dhrami kiloja, d.m.th. më pak se një gjysëm leku, kurse gazetat e paharxhuara (të pashitura), që shitenm pastaj me okë, bëjnë 6 dhrami okën. Ne këtu në Shqipëri e paguajmë kartën 2 gjer më dy lek e gjysëm kilon. Mirpo karta është sëpaku një e katërta e shpenzimeve të përgjithshme. P.sh. karta e “Minervës”, kushton nja 7 napolona për numër! Për “Arbërinë” 25 napolona në muaj. Qeverija në vënd të subvencionit të na japë kartën.

Dhe është fare e lehtë kjo: Qeverija e sotshme deshi të një gazetë të mirë dhe krijoi “Kohën e re”, duke i caktuar 100 napolona në muaj. Eh pra, me 1200 napolona Qeverija , mund të sjellë kartën për konsumimin e përvjetëshëm të të gjithë gazetave dhe revistave që dalin në Shqipëri. Po ta kemi kartën gratis ose fundi edhe me gjysmën e çmimit se sa i kushton Qeverisë kur ta sjellë ajo, ne menjëherë e zmadhojmë formatin, duke i shtuar fare pak shpenzimet tona, dhe duke qenë të sigurtë se, me lëndë të pasur do t’i imponohemi këndonjësit dhe do t’i nxjerrim shpenzimet e shtuara. Në Turqi, përveçse dhe atje karta s’rëndohet me as një taksë, ato gazeta dhe revista që venë pas formës kamaliste (qemaliste, pro qeverisë së Musta Qemalit, shënimi ynë), subvencionohen në bazë të faqeve dhe të tirazhit që kanë. Po edhe sikur këtë sitem të pranojë shteti ynë, prap se prapë nga anarshija e kartës duhet të na shpëtojë. Në Shqipëri s;ka tregtarë dhe depozita karte. Kartën e bijen shtypshkronjat dhe na e zënë sa të duan. Por unë thme se pas refleksionit të pjekur, se dhënja e kartës gratis dhe hapja gjerazi e dyerve të informatave, dhe pastaj falja ose zbritja e taksës postare, do të ishte gjysma e ndihmës së tërë që mund të na japë Qeverija e Shtypit Kombëtar, në e do me të vërtetë zhvillimin e tij.

Z. Mehmed Konitza, kur shkruante në numrin e fundit të “Minervës”, se Mehmdi beu me lirinë e shtypit na shiti erë dhe ne e muarëm për ar, kishte plotësisht të drejtë nga kjo pikëpamje që lirija e Shtypit , sidomos kur na kufizohet edhe botimi i lajmeve të jashtme (të cilat i këndon populli njësoj me të gjitha hollësirat në gazetat e huaja të shitura me mija në Shqipëri), nuk është veçse një erë e këndshme për zhvillimin e shtypit. Me 1200 napolona në vit (për të siguruar kartën gratis), dhe duke harxhuar nja 3000 napolona për njëherë vetëm edhe në mënyrë huaje, për krijimin e një shtypshkronje moderne, shteti mund t’i sigurojë vetes konkursin e një Shtypi Kombëtar të fortë, po gjithnjë në bazë të direktivave që do të japë. Për se si duhet të krijojë një shtypshkronjë dhe për se si duhet t’i jepen direktivat shtypit, këto dy gjëra formojnë artikullin tonë të nesërmë, ndofta të fundit për Shtypin Kombëtar”. (TemA Javore)

 
 
E dua vendin tim më shumë se ju politikan...
Darkë e relaksuar e krerëve të koalicionit me Thaçin e Ramën
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration