Një parti që ndryshoi Gjermaninë (dhe Kosovën): 40 vjet nga themelimi i të Gjelbërve të Joschka Fischerit
Rajoni dhe Politika

Një parti që ndryshoi Gjermaninë (dhe Kosovën): 40 vjet nga themelimi i të Gjelbërve të Joschka Fischerit

11.Jan.2020 14:21
0

Dikur Partia e Gjelbër gjermane konsiderohej si rrezik për demokracinë. Tani ajo është pjesë e pandashme e jetës politike në Gjermani. Dikur Joschka Fischer i quante kundërshtarët politikë zuzarë, tani ai është një politikan në pension që i ka shtyrë të Gjelbrit madje të përkrahin edhe luftën e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Para 40 vitesh në Karlsruhe të Gjermanisë perëndimore u themelua Partia e Gjelbër. Para 30 vitesh kësaj partie iu bashkuan opozitarët e Gjermanisë lindore. Të premten të Gjelbrit festuan në Berlin këtë ditëlindje të dyfishtë. Partia u themelua si përgjigje ndaj nevojave për të sensibilizuar shoqërinë për mbrojtjen e natyrës, kundër armëve bërthamore dhe energjisë së prodhuar nga centralet atomike, për një botë më të drejtë, për ndarje të barabartë të resurseve, për tolerancë dhe bashkëjetesë dhe marrje të përgjegjësisë dhe ndaj botës. Më pak egoizëm, më shumë zemërgjerësi – kjo moto i shkon partisë së Gjelbër të Gjermanisë.

Themeluesit e partisë qenë një trupë kaotike – militantë të mbrojtjes së ambientit, feministë, militantë të majtë, të dëshpëruar me elitat politike gjermane, që një kohë të gjatë kishin refuzuar të trajtonin të kaluarën naziste, kishte mes themeluesve edhe të tillë që kishin vrarë simbolikisht prindërit. Tom Koenigs, njëri nga figurat kryesore të të Gjelbërve, që në vitet 70-të ia dhuroi trashëgiminë e tij vietkongëve të Vietnamit dhe kryengritësve kilianë. Koenigs rrjedh nga një familje bankierësh. Kur u çlirua Kosova, Koenigs ishte zëvendës i të dërguarit të posaçëm të OKB-së në Prishtinë. Në opinionin shqiptar më i njohur se Koenigs është, natyrisht, Joschka Fischer. Në vitet 70-të ai gjuante me gurë policinë, në fillim të viteve 80-të ishte ndër themeluesit e të Gjelbërve, më 1985 Fischer qe i pari politikan i gjelbër që u bë ministër në një land gjerman. Kur e dha betimin si ministër ambienti në landin e Hessenit, Joschka Fischer u shfaq me patika (atlete). Këto patika sot gjenden në Muzeun Gjerman të Këpucëve në Offenbach.

Në ndejën festive me rastin e 40-vjetorit të themelimit të partisë mori pjesë edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Porosia e tij ishte kjo: «Shikojeni këtë ditëlindje dhe tregoni kujdes ndaj partisë». Steinmeier ka të drejtë kur thotë se me partinë e Gjelbër Gjermania është bërë më e shumëllojshme, më njerëzore, më moderne. Jo vetëm në aspektin ekologjik. Të Gjelbrit ua kanë hapur rrugën shumë të huajve për të hyrë në politikë. Emra si Omid Nouripour (iranian) apo Cem Özdemir (çerkez i Turqisë) janë ndër figurat më prominente të partisë. 

 

Të Gjelbrit në fillim nuk donin pushtetin. U pëlqente të jenë opozitarë të rrëmujshëm kundër establishmentit. Dalëngadalë ata e kuptuan se nga bankat e opozitës nuk bëhen ndryshimet e mëdha. Kësisoj të Gjelbrit filluan të ndryshojë, të zbusin qëndrimet e ngurta. Presidenti Steinmeier e lavdëroi këtë ndryshim të të Gjelbërve: «Kush bën politikë jo për të pasur të drejtë, por për të ndryshuar botën, ai duhet – shumë shpesh – ta lë pas vetes doktrinën e pastër».

Një doktrinë e pastër e të Gjelbërve ka qenë kjo: Gjermania qëndron larg çdo konflikti për shkak të historisë së errët në Luftën e Dytë. Gjatë luftës në Bosnjë të Gjelbrit kundërshtonin pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë madje edhe në mbikëqyrjen e hapësirën ajrore mbi Bosnjë. Srebrenica i ndryshoi shumë gjëra, e sidomos pacifizmin fundamental të të Gjelbërve. Joschka Fischer tha se kush ngul këmbë në pacifizëm, ai e toleron gjenocidin. «Nga historia unë nuk e kam mësuar vetëm këtë: kurrë më luftë, por edhe këtë: kurrë më Auschwitz». Fischer ka mbajtur fjalime brilante gjatë jetës së tij politike. Si deputet i ri në parlamentin gjerman ai i tha nënkryetarit të parlamentit: «Herr Präsident, mit Verlaub, Sie sind ein Arschloch». (Zoti president, nëse më lejoni, ju jeni një zuzar»). Më 1998, pas një maratone politike, Joschka Fischer u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë në kabinetin e kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder. Në këtë funksion Fischer krijoi një raport të ngushtë miqësor me Madeleine Albrightin, ministren e Jashtme amerikane, e cila ishte entuziazmuar me Fischerin. Dhe kjo nuk ishte befasi: Albright, një grua hebraike e ikur nga Praga për shkak të rrezikut nazist, nuk mund të fshihte simpatinë e saj për një gjerman me origjinë nga Hungaria, i cili në Gjermani kishte përdorur metoda të ashpra për të demaskuar trashëgiminë naziste. Fischer ishte ndër përkrahësit më elokuentë të çlirimit të Kosovës. Nën Helmut Kohlin Gjermania vështirë do të kishte marrë pjesë në sulmet kundër Serbisë. Kohl i përkiste një gjenerate tjetër, të vjetër, që nuk dëshironte të përzihej në lindje, aty ku gjermanët kishin lënë gjurmë krimi. Njëjtë ka qenë puna edhe me ish-kancelarin socialdemokrat Helmut Schmidt, i cili ka qenë kundërshtar i ndërhyrjes së NATO-s, bashkë me publicistë të establishmentit si shefi i «Der Spiegel», Rudolf Augstein, dhe Marion Gräfin Dönhoff, redaktore, kryeredaktore dhe botuese e gazetës së përjavshme «Die Zeit». Ajo mbahet mend për fjalinë tejet arrogante se nëse popujt në Ballkan vërtet duan të përjetojnë urrejtjen e tyre, atëherë nuk duhet të pengohen nga jashtë.

Joschka Fischer u përballua jo vetëm me këtë makineri të fuqishme publicistike, por edhe me krahun pacifist brenda partisë. I paharrueshëm fjalimi i tij në kongresin e partisë në Bielefeld në maj 1999. Ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë kishte hyrë në muajin e tretë. Sulmet nga ajri ende nuk e kishin shtyrë regjimin serb të tërhiqet nga Kosova. Në Gjermani ishin shtuar zërat kritikë që kërkonin ndërprerjen e luftës, bisedime me Beogradin etj. Kur e mori fjalën në kongres Fischer u ballafaqua me thirrje: «nxitës lufte, nxitës lufte». Ai u përgjigj kështu: po, po, e tash Sllobodan Millosheviqin do ta propozoni për Çmimin Nobel për Paqe. Ndërsa Fischer po mbante fjalimin një ekstremist e goditi atë me një konservë me ngjyrë. Me setër të njollosur nga ngjyra e kuqe Fischer mbajti njërin prej fjalimeve të tij më të mëdha. E majta e salloneve gjermane edhe sot e akuzon Fischerin për shkak të luftës së Kosovës. Ish-kancelari Schröder është shndërruar në punëtor të Vladimir Putinit dhe në mik të Aleksandër Vuçiqit. Fischer ka qëndruar më larg dhe nuk është përlyer në këso aventurash të pamoralshme.

Ndërkohë të Gjelbrit janë shndërruar në pjesë të pandashme të establishmentit politik. Në landin e Baden-Württembergut, në zemrën e ekonomisë dhe industrisë gjermane të veturave, kryeministër është një i gjelbër. Në zgjedhjet e mbajtura në disa lande gjermane të Gjelbrit kanë marrë mjaft vota dhe janë shndërruar në partner serioz për të qeverisur në nivel nacional. Nuk përjashtohet mundësia që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 të Gjelbrit të bëhen pjesë e qeverisë nacionale. Lehtë mund të ndodhë që atëherë një çerkez si Cem Özdemir apo ndonjë i Gjelbër me «emër jotipik gjerman» të bëhet ministër i Jashtëm. Ndryshimet dramatike të klimës u kanë dhënë hov të Gjelbërve. Të Gjelbrit kanë qenë të parët që kanë kërkuar përfaqësim të vërtetë të grave në politikë dhe në çdo fushë tjetër. Të Gjelbrit e kanë përcaktuar me statut që shefa të partisë duhet të jenë një grua dhe një burrë. Tash këtë model e imitojnë edhe parti të tjera.

Të Gjelbrit si Joschka Fischer, Tom Koenigs, Marieluise Beck dhe shumë të tjerë kanë qëndruar pranë popujve të shtypur, në vitet 90-të në anën e boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës, më vonë Marieluise Beck dhe Rebecca Harms kanë mbështetur Ukrainën e rrezikuar nga ekspansioni rus. Të Gjelbrit e futën një pishë në parlamentin gjerman për të vetëdijesuar politikanët për mbrojtjen e mjedisit, ata luftuan mendësinë autoritare (një nga të metat e mëdha gjermane për një kohë të gjatë), ata thyen tabu që Gjermaninë e bënë vend më të bukur. Një rrugë e gjatë, me shumë kthesa dhe me shumë funde të lumtura.

Haradinaj porosi Kurtit: Krijoje Qeverinë ose lësho rrugë
Digjet një shtëpi në Konçul të Bujanocit, vdes një person si pasojë e zjarrit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration