Një libër që e "avullon" historinë e Jugosllavisë dhe nuk i përmend shkaktarët e katastrofës
Rajoni dhe Politika

Një libër që e "avullon" historinë e Jugosllavisë dhe nuk i përmend shkaktarët e katastrofës

11.Sep.2018 01:09
0

Derisa ekzistonte shteti jugosllav, paraqitjet e përgjithshme të historisë së tij ishin të rralla.

Kjo ka ndryshuar pas fundosjes së këtij shteti. Tani gjithnjë e më të shpeshta janë sintezat historike.

Diçka e tillë është e mirë, sepse riinterpretimi në shtetet postjugosllave dhe gjetiu ende është në rrjedhë e sipër, meqë vazhdimisht shfaqen burime dhe informata të reja dhe ende ekzistojnë shumë pyetje të hapura, të cilat zgjojnë interesimin edhe përtej kuadrit të ish-Jugosllavisë.

Para së gjithash shtrohet kjo pyetje: pse u shpërbë shteti dhe cilat janë shkaqet për eskalimin e dhunës në vitet 90-të?

Libri për të cilin po flasim trajton kohën nga çereku i shekullit 19-të deri në fund të shekullit 20-të. Paraqitja përfshinë gjithsej 330 faqe. 160 faqet e para i kushtohen kohës deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, 170 faqet vijuese merren me historinë e Jugosllavisë së dytë, fundosjen e shtetit dhe luftërat postjugosllave. Një shtojcë, ku mes tjerash gjendet një kronologji, shënimet për tekstin, pasqyra e literaturës së përdorur (383-399) si dhe tabelat dhe hartat e përmbyll këtë vëllim.

 

Shumë autore dhe autorë të cilët nga fundi i viteve 80-të merren me Jugosllavinë në përgjithësi apo me aspekte të veçanta, historinë e këtij shteti e kanë shkruar duke u nisur nga fundi i tij.

Për ta ishte afërmendsh të nxirrnin në pah ata faktorë që kishin «parathënë» dështimin e këtij shteti. Nga kjo perspektivë historia e Jugosllavisë përshkruhet si parahistori e fundosjes së saj. Rrjedhimisht, Jugosllavia multietnike ishte një shtet i «kundërnatyrshëm», i cili herët apo vonë duhej të shpërbëhej, sepse s’mund të qëndrojë përgjithmonë bashkë diçka që s’ka asgjë të përbashkët dhe sepse është dashur të ndodhë(!) çfarë ndodhi.

Marie-Janine Calic distancohet dukshëm nga ky determinizëm. Ajo e sheh historinë e Jugosllavisë si «proces, i cili parimisht nuk dihej si do të merrte fund». «Teza themelore» e saj është se projekti i «shtetit jugosllav» u sulmua nga poshtë përmes «politizimit të diferencave në shoqërinë masive moderne të shekullit të 20-të».

Sipas kësaj pikëpamjeje themelimi i Jugosllavisë së parë dhe rithemelimi i shtetit të dytë jugosllav paraqesin përpjekje serioze për t’i bashkuar nën një kulm territore dhe grupe popullsish (kombe, kombe në themelim e sipër dhe pakica etnike apo kombëtare), të cilat s’mund të ndaheshin qartë nga njëra-tjetra me marrëveshje dhe të cilat kishin shumë gjëra të përbashkëta. Rrjedhimisht, Jugosllavia e parë assesi nuk ishte vetëm «një shtet artificial dhe i diktuar nga interesat makiaveliste të fuqive të mëdha. Më saktë, projekti jugosllav prej kohësh ushqehej prej burimeve të shumta (…). Mirëpo, u pa se kombi jugosllav, i cili në periudhën mes dy luftërave propagandohej zyrtarisht (në kuptim të një kombi të definuar etnikisht), nuk mund të realizohej (më). «Rrjeti i komunikimit social mes pjesëtarëve të popullsive tashmë ishte thurur, interesat dhe kulturat e tyre politike qenë tepër të ndryshme, andaj në këtë periudhë s’qe më e mundshme që ‹nga lartë› të realizohej konstruksioni i kombit jugosllav dhe të kishte jehonë të gjerë».

Calic me të drejtë tërheq vëmendjen se nuk ishte «kundërthënia historike mes serbëve dhe kroatëve si e tillë», e cila paralizoi shtetin, «por sistemi politik, dobësitë e shumta të të cilit e ndezën atë dhe vazhdimisht i jepnin flakë», ndonëse nuk ishte «sistemi» «si i tillë», por akterët politikë (dhe të tjerë). Partia Komuniste e Jugosllavisë që nga fillimi u distancua nga koncepti i jugosllavizmit etnik (jo vetëm për shkak se ky koncept ndiqte politikën e Stalinit ndaj nacionaliteteve, siç theksojnë sidomos nacionalistët serbë që nga mesi i viteve 80-të, por për shkak se ky koncept s’kishte të bënte me realitetin). Me rithemelimin e Jugosllavisë në fund të Luftës së Dytë Botërore Tito dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ndoqën një koncept, i cili thellësisht dalloi nga ai i shtetit të parë jugosllav. Ata e zëvendësuan jugosllavizmin etnik me jugosllavizmin politik, përkatësisht të qytetarit, shtetin centralist me shtetin federal, stimuluan rrumbullakimin e proceseve ende të papërfunduara të kombformimit dhe u përpoqën ta zbatonin modelin e tyre ekonomik dhe shoqëror të socializmit. Këto procese dhe transformimin e strukturave politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në Jugosllavinë e parë dhe të dytë autorja i përshkruan në mënyrë shumë koncize. Kur shkruan për historinë e strukturave ajo është në elementin e saj. Shikuar nga ky aspekt libri është ndër paraqitjet më të mira të përgjithshme të Jugosllavisë, ndonëse mund të diskutohet për detaje.

Dukshëm më e dobët, sipas mendimit tim, është paraqitja e periudhës që nga vdekja e Titos (1980) deri në fund të viteve 90-të. Në këtë periudhë krizash dhe luftërash s’bëhej fjalë vetëm për struktura, por edhe dhe para së gjithash për akterë. «Asnjë konflikt nuk shkon automatikisht dhe pandalshëm drejt katastrofës», shkruan Calic. «Vendimi për luftë dhe paqe nuk u mor (…) nga strukturat, por nga njerëzit». Dhe «asgjë nuk ishte e pakthyeshme, asgjë e pashmangshme» – kjo është fjalia e saj e fundit në këtë paraqitje. Por, cilët ishin ata njerëz, të cilët morën vendime, për këtë lexuesi mëson pak. Kush ka vendosur dhe kur dhe çka ka vendosur? Çfarë konsekuencash patën këto vendime për zhvillimin e mëtutjeshëm? Si reaguan akterët e tjerë? Autorja i shmanget përgjigjeve të qarta, me sa duket në përpjekje që t’ua «bëjë rrafsh» të gjithë palëve. Kjo e shtyn atë të bëjë formulime gjithsesi të mjegullta. Opinioni serb në fillim të viteve 80-të «zbuloi» Kosovën si metaforë për të gjitha deficitet në shtet. Mediumet u «kurthuan» në sulme. Metaforat u «përvodhën» në gjuhë. «Copëzat e fundit» të shtetësisë jugosllave u «avulluan» më 1990/91. «Format kolektive të vetëdijes» u «dendësuan». «Barrierat sociale të ngritura nga tradita» u «grumbulluan» etj. Formulime të tilla të kujtojnë sentencën për t’u mbajtur mend të Milan Vitezoviqit në «mitingun e vëllazërim-bashkimit» më 19 nëntor 1988 në Beograd: «Popull i nderuar, historia jonë do ta kujtojë këtë vit si vit kur ndodhi populli».

Por, akterët dhe aksionet e tyre mbesin kryesisht në mjegull apo paraqiten vetëm në mënyrë skematike, madje nganjëherë edhe të gabueshme. Shënimet mbi «Deklaratën Islamike» të Alija Izetbegoviqit janë tejet të mangëta, të njëanshme dhe pjesërisht të pasakta. Emri i presidentit jugosllav Borisav Joviq përmendet vetëm njëherë në tekst, po ashtu edhe emri i ministrit jugosllav të mbrojtjes Velko Kadijeviq. Roli që treshja Millosheviq-Joviq-Kadijeviq luajti në fazën përfundimtare të procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe planet e tyre për puç nuk përmenden me asnjë fjalë. Emri i shefit të Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë Millan Kuçan përmendet dy herë dhe të dy herët disi rastësisht. «Revolucioni antiburokratik» i Millosheviqit (1988/89), i cili inicoi një transformim të përgjithshëm të stilit politik (dhe i cili shumë kushtimit mund të krahasohet me «pranverën kroate» të vitit 1971) trajtohet me pak fjali. Se çfarë rëndësie pati «revolucioni» në diskutimin mbi reformimin e Jugosllavisë s’përmendet fare. Në vend të kësaj prerazi thuhet: «Në korrik 1989 Millosheviqi prezantoi një propozim të gjithanshëm mbi rirregullimin kushtetues të Jugosllavisë». Vitin tjetër presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë «nxituan» me një propozim tjetër. Pas ndryshimeve kushtetuese serbe shqiptarët e Kosovës ndoqën «hapur një kurs konfrontimi». Ndryshimet kushtetuese serbe të marsit 1989, me të cilat u pezullua balanca e brendshme e pushtetit në Jugosllavi, përmenden me një fjali të vetme dhe sërish krejt tërthorazi. Të thuhet se Millosheviqi «mori» kryesimin e partisë serbe (Lidhjes së Komunistëve) dhe se Tugjmani «nuk përjashtonte» bashkimin e Hercegovinës me Kroacinë janë formulime shumë eufemiste. Të thuhet se shtypi nga viti 1989 ishte «i mbushur plot me paralajmërime mbi shovinizmin e pakufishëm» nuk mund të pranohet në këtë formë assesi, madje edhe sikur të donim. Fundja, mediumet ishin dukshëm pjesëmarrëse në prodhimin e shovinizmit. Kur ato kritikonin shovinizmin, atëherë mendonin vetëm shovinizmin e «të tjerëve». Pa mbështetjen e mediumeve me gjasë s’do të shpërthente lufta. Analiza e krizës së thellë ekonomike në vitet 80-të dhe e shkaqeve të saj është tejet sipërfaqësore. Edhe pas reformave nga mesi i viteve 60-të vetëm në mënyrë shumë të kufizuar mund të flitej për «konkurrencë të tregut të lirë». «Vetëqeverisja e bëri të mundshme që të investohet edhe në ndërmarrje joprofitabile (…)». Ngjitja në shkallën sociale ishte «praktikisht qartë e ndërlidhur me përkatësinë kombëtare». Çka ka të bëjë kjo me ekonominë e tregut? Nuk është e saktë se bilanci i tregtisë së jashtme jugosllave në fillim të viteve 80-të «rrëshqiti» në deficit – ky bilanc vazhdimisht ishte deficitar. Në të vërtetë Calic nuk e hesht joefikasitetin e sistemit vetëqeverisës dhe hyrjen e papërgjegjshme në borxhe në vitet 70-të (ndonëse këtu s’ishte fjala vetëm për borxhe të jashtme, por edhe të brendshme në lartësi përafërsisht të njëjtë), por ajo cakton prioritete të tjera. Të thuhet se ishte «ultraliberalizmi respektivisht radikalizmi i tregut», i cili «nëpërmjet një shok-terapie» e hodhi «në humnerë ekonominë jugosllave në vitet 80-të» dhe se në fund të vitit 1990 çdo i dyti vend pune ishte i rrezikuar «për shkak të reformës neoliberale» tingëllon tepër si ideologji.

Ç’mbetet pas leximit të 60 faqeve të fundit mbi krizën dhe luftën? Mbetet përshtypja e një kulle prej letre, e cila thyhej vazhdimisht dhe në fund u shkatërrua. Të gjithë (ose pothuaj të gjithë) banorët ndihmuan zellshëm në këtë shkatërrim. Nuk kishte personalitete të përgjegjshme ose – gjë që rezulton me përfundim të njëjtë – të gjithë qenë përgjegjës (me dallime në rastin më të mirë graduale). Se vendimi për luftë dhe paqe u mor jo nga strukturat, por nga njerëzit, mbetet një tezë e paobligueshme për aq sa nuk mbushet me përmbajtje. Me fjalë të tjera: libri i Calic ofron një pasqyrë të mirë mbi historinë e dy shteteve jugosllave, por i lë kryesisht pa përgjigje shkaqet e kolapsit shtetëror (respektivisht iu përgjigjet atyre vetëm negativisht, duke thënë se nuk ishte «urrejtja ataviste» mes popujve që çoi në katastrofë). Kështu historia e dështimit jugosllav mbetet edhe më tutje interesante.

(Botuar për herë të parë në revistën: Südost-Forschungen. Revistë ndërkombëtare për historinë, kulturën dhe gjeografinë e Europës Juglindore).

*Historian nga Berlini. Vdiq më 21 shkurt 2015.

Nga Holm Sundhaussen

U nënshkrua Marrëveshja për udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Shala: Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për heqjen e taksës 10% do të shqyrtohet
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration