Myzeqeja, martesa historike e Skënderbeut
Kulturë

Myzeqeja, martesa historike e Skënderbeut

06.Feb.2019 17:20
0
Nga toponimet tek emrat e kishave dhe njerëzve, deri tek gjurmët e dasmës me Dionikën, ja lidhjet e Skënderbeut me krahinën e Myzeqesë. Betejat me turqit me në Myzeqe, prijësit që e nisën luftën para kthimit të Gjergj Kastriotit
 

Nuri Plaku

Epoka e Skënderbeut ka qenë një burim i madh frymëzimi dhe krenarie kombëtare për popullin ton në shekuj dhe e tillë vazhdon të mbetet për brezat e sotëm e të ardhshëm. Ashtu si shumë krahina të tjera të vendit, edhe treva e Myzeqesë ka lidhjet e veta me Skënderbeun dhe periudhën e tij të lavdishme që përbërhet nga një sistem i larmishëm shenjash të cilat rrezatojnë në popull energjinë e pashtershme patriotike të kësaj epoke. Të tilla janë datat e ngjarjeve historike, gojdhanat, toponimet, legjendat, emërtimet e objekteve të kultit e të njerëzve, etj., të cilat krijojnë konturet e një marrëdhënieje të prekshme dhe solide me këtë periudhë. Kur flasim për kontakte të tilla, kemi parasysh një frymëmarrje më të gjerë gjeografike, në përputhje me dominimet dhe zotërimet e asaj kohe e cila na lejon në mënyrë të natyrshme të fokusohemi në krejt rajonin e Beratit, Mallakastrës, Myzeqesë e Kaninës.

Ndeshja e turqve me Balshajt

Sipas përshkrimit të Eqrem bej Vlorës, krahina e Myzeqesë e njohu inkursionin osman që nga beteja e Savrës më 18 shtator 1385. Ushtria turke e përbërë nga 5000 forca, e udhëhequr nga një figurë e njohur ushtarake e kohës, Timurli Pasha, Bejlerbeu i Rumelisë, e theu ushtrinë shqiptare e cila përbëhej nga 1000 forca të drejtuara nga Balsha i II, kundërshtar i Karl Topisë. Ndërsa mbas 500 vjetësh, në vitin 1913, si për për ironi të fatit, ishte po Myzeqeja ajo, që përcolli nëpërmjet portit të Semanit edhe ushtarin e fundit të Perandorisë së gjysëmhënës. Në këto 500 vjet, kjo trevë, ka pasur rrugëtimin e saj me gjurmët, dihatjen dhe djersitjen e vetë historike. Në këtë rrugëtim periudha e Skënderbeut është, natyrisht më e lavdishmja dhe më gjurmëlënësja.

Në fillim të shek. XV. krahina e Myzeqesë e cila kishte në këtë kohë një marrëdhënie të zhvilluar tregëtare me perëndimin nëpërmjet portit të Pirgut, filloi të ndjente mbi vete kthetrat e pushtimit osman. Sipas një dokumenti venedikas që mban datën 24 prill 1412, zona e Vlorës, nga frika e turqve apo për shkaqe të tjera, ju ofronte për shitje venedikasve fortesën e Pirgut të Myzeqesë. Po sipas këtyre burimeve më 1416 Myzeqeja u pushtua nga turqit. Në vitin 1417 turqit zotëronin Beratin, Vlorën, Kaninën, Pirgun e Spiranicën.

Fitorja e Muzakajve

Por rezistenca gjithashtu do të vazhdonte. Tashmë pas Balshajve do të ishin Muzakët ata që do përballeshin me turqit. Në vitin 1421 në Myzeqe shpërtheu kryengritja e parë antiosmane e cila ngriti lart pishtarin e rezistencës dhe tregoi shpirtin e paepur, vetmohues të kësaj treve. Pas Muzakajve këtë pishtar e ngriti lart Gjergj Araniti. Në vitin 1432 ai nisi një kryengritje që përfshiu pjesën më të madhe të Shqipërisë së mesme. Ndërsa pak kohë më vonë, midis viteve 1433 – 1435 Teodor Muzaka (i riu) u hodh në një kryengritje tjetër, mori Beratin dhe ringriti sërish principatën e tij. Kjo qe një kundërvënie serioze dhe poshtëruese për turqit. Në vitin 1438 ata erdhën me një ushtri tjetër më të kompletuar me armatime me komandant Turhan Pashën dhe e mbajtën Kështjellën e Beratit 7 muaj të rrethuar. Por Teodor Muzaka rezistoi me heroizëm dhe nuk e lëshoi kështjellën. Në shenjë hakmarrje për disfatën e tij, Turhan Pasha zbriti në Myzeqe dhe masakroi popullsinë civile. Pikërisht në fushën midis Ardenicës dhe Mbrostarit turqit ngritën si shembull tmerrues, piramidën e kokave të prera, metafora e së cilës është konfigurimi i imazhit më makabër të pushtimit osman. Kjo ishte vula e hordhisë së tërbuar aziatike që po shtrinte kthetrat e saj të përgjakura në dherat e butë të anëdetit. Më të rëndë akoma e përshkruan këtë tragjedi Gjon Muzaka në “Memorien” e tij. “Përpara se tu prisnin kokat këtyre fatkeqëve, – thotë ai, – jua thyenin kockat me çekan.”

Suksesi i arritur nga Teodor Muzaka u pasua nga ai i Gjergj Arianitit i cili, pasi theu turqit, mori në zotërim teritoret që shtriheshin midis lumenjve Shkumbin dhe Vjosë. Të dy këta feudalë të fuqishëm do ta vazhdonin edhe më tej luftën e tyre kundër pushtuesve turq. Pikërisht në këtë realitet historik për trevën e Myzeqesë, në Krujë më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin e lirisë dhe filloi përpjekjet për bashkimin e princërve shqiptarë dhe krijimin e një ushtrie të rregullt, të aftë tju përgjigjej  me vendosmëri sulmeve të armikut. Në këtë periudhë, krahina e Myzeqesë shfaqet mjaft aktive në mbështetje të Gjergj Kastriotit. Të dhënat e para historike na vijnë për pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e Lezhës mbajtur në mars të vitit1444. “Shumë erdhën edhe nga Muzakajt siç quhet ky fis, – shkruan Barleti në veprën e tij të njohur Historia e Skëndebeut, – Këta kishin dëshira dhe ndjenja të njëjta me Skënderbeun, prandaj dhe sundimin e tyre nuk e kishin të shkëputur apo të ndarë nga ai.”Sipas kujtimeve të Gjon Muzakës, Gjin Muzaka i ati, mbante titullin despot dhe mori pjesë në Kuvendin e Lezhës si përfaqësues i derës fisnike të Muzakëve dhe përkrahu bashkimin e princëve shqiptarë nën flamurin e Skënderbeut. Të dy këta zotër të mëdhenjë, Gjini dhe Gjergj Araniti luftuan krah për krah me Skënderbeun dhe u bënë mbështetja e tij kryesore. Gjini ishte kunati i Gjergj Aranitit. Motra e tij Maria Muzaka ishte gruaja e parë e Gjergjit, nëna e Andronikës. Me Marien, Gjergj Araniti pati 6 vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Helenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë Pietra Franko pati 8 fëmijë 4 vajza dhe 4 djem. Gjini ka vdekur mbas vitit 1451 dhe pas tij principatën e udhëhoqi i biri, Gjoni, autori i “Memories” së njohur. Edhe Gjoni i qendroi besnik Skënderbeut dhe është ndër princat shqiptar që u largua i fundit nga Shqipëria, më 1479 kur ra Shkodra në duartë e turqve.

 

Toponimet

Edhe pas vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1468, krahina e Myzeqesë e ruajti me krenari raportin e lidhjeve të saj me emrin dhe periudhën e tij historike, duke krijuar në kujtesën e vetë një sistem shenjash të caktuara. Të tilla janë 4 toponimet me emrin e Skënderbeut të cilat i gjejmë në fshatrat Qishbardhë dhe Penkovë si: Qisha e Skënderbeut, Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut. Sipas Prof. Dr. Skënder Muçaj, në fshatin Aranitas ndodhen gjithashtu dy toponime të cilat përjetësojnë gjurmët e këtij heroi me trevën e Mallakastrës. Njëri quhet        “Sheshi i Skënderbeut”kurse tjetri “Shpatarak.” Të gjitha gojdhënat që lidhen me këto toponime dëshmojnë për praninë e Skënderbeut në këto vende dhe intinerarin e lëvizjeve të tij. Edhe krishtërimi i krahinës së Myzeqesë, si kala e pamarrë nga osmanët, është një tjetër hapësirë ku shfaqen lidhjet adhuruese me Heroin tonë kombëtar. Nga 40 kisha e manastire që ka pasur Myzeqeja para prishjes së tyre, pas shën Mërisë që kishte numrin më të madh të objekteve, vinte shën Gjergji i përzgjedhur në nderim të heroit. Është i njohur fakti se kulti i Virgjëreshës së Bekuar u ngrit në Europën Perëndimore gjatë Mesjetës së Lartë dhe u përhap gjerësisht edhe në Shqipëri. Sipas albanologut Robert Elsie, përhapja në krahinën e Myzeqesë e këtij kulti, është një shenjë e orientimit perëndimor të kësaj treve. Sipas rregjistrit kadastral të sanxhakut të Vlorës, përkthyer nga orientalisti i njohur berates, Vexhip Buharaja, në vitin 1570, jo vetëm kishat, por edhe fshati i sotëm Levan, quhej Shën Mëri. Por, në shek. XVIII periudhë kur në Myzeqe daton një fluks i gjerë ndërtimesh kishtare, në Fier, pikërisht në vitin 1781 kisha e re ndryshon emrin. Pran themeleve të kishës së mëparshme të Shën Mërisë, u ngrit kisha e Shën Gjergjit, një nga më të mëdhatë e kësaj zone. Kjo interpretohet në popull si dëshmi kultike për Skënderbeun i cili gjallon ndieshëm në këtë periudhë.

Emrat

Ndërsa shumë nga familjet patriotike u kan vendosur djemve të tyre emrat Gjergj dhe Skënder, sipas përkatësisë fetare, gjithnjë në respekt të emrit të Heroit ton Kombëtar. Kjo traditë është e njohur dhe është ndjekur më vonë edhe për udhëheqësin e lavdishëm të Kryengritjes antiosmane të vitit 1847 Rrapo Hekalin, edhe për themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemali. Një dëshmi e tillë na vjen nga patrioti i njohur i kësaj zone, ish deputeti i periudhës zogiste, Hysni Toska i cili, djalit të tij të vetëm ja vuri emrin Skënder pikërisht në respekt të Heroit. Sipas një dokumenti që gjendet në AQSH Tiranë, një tjetër orientalist i njohur Abdulla Ferhati, thotë se, në shek. XVII qyteti i Beratit është thirrur me dy emra; Beligrad dhe Esqenderie (Skënderbe).

Martesa në Ardenicë

Të gjitha këto shenja dëshmojnë se Skënderbeu në trevën tonë ka pasur kult të zhvilluar gjerësisht në popull. Madje është pikërisht ky kult i cili tenton të perifrazojë si fakt historik edhe kurorëzimin e martesës së tij në kishën e Shën Triadhës në Ardenicë. Pavarësisht nga diskutimet apo pikëpyetjet e ngritura nga studjues të ndryshëm për mungesën e dokumenteve të plota autentike në mbështetje të kësaj date historike, pavarësisht se ndoshta Skënderbeu mund të ket ardhur aty me Donikën në një tjetër rast dhe ka dhuruar shpatën e përfolur, ajo është gjithsesi një shenjë energjike që rrezaton në mënyrë honorifike një nderim të lartë popullor.

Në vitet ’30 shekullit kaluar në periudhën e urbanizimit të qytetit të Fierit një rruge kryesore të tij, ju vu emri “Skënderbeu”, ndërsa një tjetre ju vu emri “Donika Kastrioti”. Sot rruga e unazës së madhe të Fierit mban emrin e Heroit, ndërsa rruga kryesore e hyrjes veriore të qytetit mban emrin e njërit prej figurave kryesore të kësaj epoke,Teodor Muzaka II. I gjithë ky sistem shenjash që trasmetohet nga shekulli në shekull dhe nga brezi në brez, përbën energjinë shpirtërore të banorëve të kësaj treve për adhurimin e figurës së Skënderbeut dhe periudhën e tij të lavdishme e që ne, kemi detyrimin moral ti evokojmë e pasqyrojmë ato, veçanërisht në një përvjetor të tillë si ky i sivjetshmi.

Në Spanjë mbajnë frymën para “El Clasico”, formacionet Barcelona-Real
Muharrem Mici dhe ‘Skofiarët’, në vitet e 80-ta në Strugë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration