Marrëveshjet e pazbatuara për transportin ajror, hekurudhor e rrugor Kosovë- Serbi
Rajoni dhe Politika

Marrëveshjet e pazbatuara për transportin ajror, hekurudhor e rrugor Kosovë- Serbi

27.Jun.2020 13:30
0

Marrëveshjet për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ende nuk kanë nis së zbatuari.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia, këto marrëveshje apo letra të qëllimit i kanë nënshkruar ne fillim të këtij viti në Gjermani, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ky pajtim mes Kosovë dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët sapo kanë marrë udhëheqjen e ministrisë, nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, por shkurtimisht thanë se që nga nënshkrimi i marrëveshjes gjërat nuk kanë lëvizur sa i takon zbatimit të tyre.

 

Kurse zyrtarë që kanë nënshkruar letrat e interesit për transportin hekurudhor dhe atë rrugor, nuk kanë pranuar të flasin, duke thënë se për këtë çështje mund të përgjigjet ministri. Por, as ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

Linja ajrore Prishtinë - Beograd

Në linjën ajrore Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas, sipas kësaj letre të interesit do të operojë kompania gjermane, Eurowings e grupit Lufthansa. Në atë kohë kjo marrëveshje është nënshkruar nga ish-drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Eset Berisha.

Në përgjigjen nga Autoriteti i Aviacionit Civil, (AAC) për Radion Evropa e Lirë, më 28 maj, është thënë se “është vështirë të thuhet kur mund të jetësohet zbatimi i Letrës së nënshkruar, pasi që varet nga zhvillimi i diskutimeve në takimet për Normalizim të Aviacionit të Ballkanit (BANM).

Këto takime udhëhiqen nga NATO, në të cilën merr pjesë edhe AAC-ja.

Po ashtu në përgjigje, thuhet se edhe situata e krijuar nga pandemia COVID-19, mund të ndikojë në mbarëvajtjen e takimeve të planifikuara.

Në ndërkohë shefi i Zyrës për marrëdhënie me media në Eurowings, Florian Gränzdörffer, ka thënë se kompania në parim ka rënë dakord që të operojë në linjën Prishtinë – Beogradit. Por sipas tij, një seri e tërë pyetjesh tregtare, organizative dhe juridike janë ende të hapura, të cilat duhet të koordinohen dhe sqarohen në hapat e ardhshëm. Për planet konkrete siç janë orari, data e fillimit të fluturimeve, ai nuk ka dhënë përgjigje.

Linja e transportit hekurudhor dhe rrugor

Përveç linjës ajrore Prishtinë-Beograd, në takime të ndara në Gjermani janë nënshkruar edhe marrëveshje për transportin hekurudhor dhe atë rrugor.

Sa i përket transportit rrugor autoritetet kompetente në Prishtinë, vite më parë, kanë pohuar se e kanë të përgatitur projektin për autostradën Prishtinë - Merdare - Nish, projekt ky që mund të vazhdohet në kuadër autostradës që aktualisht lidhë Kosovën me Shqipërinë. Kurse, në të ardhmen ajo mund t’i lidhë të tri vendet.

 

Kurse, transporti hekurudhor në Kosovë paraqitet si një prej sistemeve më të dobëta në rajon.

Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të mos e administrojë linjën hekurudhore në veri të Mitrovicës e cila është nën kontrollin e Serbisë. Zyrtarë të Hekurudhave të Kosovës, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se linja hekurudhore

Analisti për çështje politike, Blerim Vela, tha se nënshkrimi i letrave të interesit, nga të dyja shtetet më shumë ka qenë shenjë që t'i ofrojnë ambasadorit Grenell fitore të shpejta në punën e ndërmjetësuesit.

Ai tha se letrat e interesit janë nënshkruar nga qeveria në largim e Ramush Haradinaj, kurse qeveria pasuese e Albin Kurtit nuk ka ndërmarrë asnjë hap në drejtim të sqarimit të këtyre marrëveshjeve apo edhe të zbatimit të tyre.

“Natyrisht që kjo ka qenë një shenjë prej të dyja palëve që të pranojnë që t'i afrojnë ambasadorit Grenell disa fitore të shpejta në punën e tij të re që ka për të ndërmjetësuar mes dy palëve. Ndërsa në esencë, të dy palët e vazhdojnë qasjen e njëjtë, që pak a shumë është se ato negociojnë për arritjen e marrëveshjes dhe pastaj fillojnë në ciklin e ri të negociatave për zbatimin e të njëjtave marrëveshjeve”, tha Vela.

Partia politike, Lëvizja Vetëvendosje e cila erdhi në qeverisje pas nënshkrimit të këtyre shprehjeve të interesit, thotë se këto dokumente, në formatin dhe përmbajtën që kanë nuk janë dhe nuk mund të cilësohen si marrëveshje prej nga derivojnë obligime juridike dhe në të bazë të së cilave do të mund të fillonte zbatimi.

Ish-zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu aktualisht zëdhënës në Vetëvendosje, e konsideron shqetësues faktin e mbajtjes në fshehtësi të këtyre dokumenteve nga zyrtarët shtetërore të cilët kishin nënshkruar ato.

“Fakti qe këto dokumente na janë prezantuar me kaq shumë vonesë, dhe vetëm pas insistimit tonë, dhe fakti që të njëjtat nuk janë marrëveshje për nga karakteri juridik i tyre, lë të nënkuptohet që qëllimi i këtyre dokumenteve ishte vetëm nënshkrimi si i tillë. Ato janë nënshkruar si shprehje e interesit dhe kanë mbetur në atë pikë”, tha Kryeziu.

 

Ndryshe, ishte paraparë që zyrtarë të Kosovës dhe ata të Serbisë të takohen në Uashington, me 27 qershor për vazhdimin e dialogut politik. Takimi është anuluar pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, ngriti aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit./REL/

Shkolla e mesme teknike në Preshevë publikon online revistën “7 Marsi” (linku)
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ende një plagë e hapur
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration