Maqedonia e Veriut, mbyllet fushata zgjedhore për presidentin e ri, votë për akademikët
Rajoni dhe Politika

Maqedonia e Veriut, mbyllet fushata zgjedhore për presidentin e ri, votë për akademikët

19.Apr.2019 09:37
0

Imagjinoni një fushatë zgjedhore të kandidatëve që nuk janë politikanë! E gjeni në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet presidenciale atje do të mbahen më 21 prill dhe gara midis tre kandidatëve – të gjithë akademikë, asnjëri politikan i karrierës – është dominuar nga debati mbi çështje si integrimi në strukturat perëndimore.

Në një vend ku fushatat e mëparshme zgjedhore janë përshkuar me dhunë, truke të pista dhe retorikë të mprehtë nacionaliste, maqedonasit duken të lumtur që janë në gjendje të zgjedhin kandidatë bazuar në opinionet e tyre, e jo në regjistrime të përgjuara, akuza për mashtrime zgjedhore dhe thashetheme në mediat sociale.

Këta kandidatë janë: Stevo Pendarovski, koordinator i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, i cili mbështetet nga Social-Demokratët në pushtet; profesorja universitare, Gordana Siljanovska-Davkova, kandidatja e parë grua e këtij vendi, dhe Blerim Reka, ish-ambasador në Bashkimin Evropian, i cili mbështetet nga dy parti shqiptare.

Të tre kanë nënshkruar një kod për zgjedhje të drejta dhe demokratike përpara fillimit të fushatës, duke sinjalizuar një kthesë të re në historinë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.

“Është koha që të kemi mundësinë për të zgjedhur një person, i cili do të jetë i qëndrueshëm në kohën e këtyre ndryshimeve”, thotë Ibrahim Hazimi nga Shkupi.

Pas arritjes së marrëveshjes historike me Greqinë për të ndryshuar emrin në Maqedoni e Veriut dhe për t’iu dhënë fund mosmarrëveshjeve që e kanë bllokuar rrugën e tij drejt NATO-s dhe BE-së, ky vend nuk pritet të ndryshojë udhë pas zgjedhjeve presidenciale.

Maqedonia e Veriut ka nënshkruar një protokoll të pranimit në NATO në shkurt dhe qeveria e kryeministrit Zoran Zaev e ka bërë anëtarësimin në BE synim kryesor të politikës së jashtme.

Edhe pse Zyra e Presidentit ka përgjegjësi të kufizuara, presidenti ka nënshkrimin përfundimtar mbi legjislacionin dhe është udhëheqës i ushtrisë.

Presidenti në largim, Gjorge Ivanov, e ka mbajtur gjallë çështjen e emrit gjatë muajve të fundit të mandatit të tij pesëvjeçar, duke refuzuar të nënshkruajë ligje që përmbajnë emrin e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe disa që janë kritike për miratimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.

Pendarovski, 55 vjeç, ish-profesor i shkencave politike, e mbështet fuqishëm të ashtuquajturën Marrëveshje e Prespës, e nënshkruar me Greqinë vitin e kaluar, për të ndryshuar emrin e vendit, ndërsa Siljanovska-Davkova e kritikon, edhe pse opozita ka thënë se nuk do ta anulojë atë.

“Vota ime do të shkojë për kandidatin që ofron një perspektivë për të ardhmen dhe që do të na udhëheqë nëpër dyert që po hapen”, thotë Gligor Stojmenov, banor i Shkupit.

Sondazhet tregojnë se ky kandidat mund të jetë Pendarovski, i cili ka humbur përballë Ivanovit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave, dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në balotazh më 5 maj, ku pjesëmarrja e elektorartit duhet të jetë së paku 40%, në mënyrë që rezultati të jetë i vlefshëm.

“Një numër i madh qytetarësh janë të zhgënjyer në përgjithësi me politikën dhe janë lodhur nga betejat politike dhe proceset zgjedhore, viteve të fundit”, thotë Marko Trosanovski nga Instituti për Demokraci.

“Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të motivohen ata që janë të pavendosur dhe ata që janë të zhgënjyer”, shton ai.

Dikur pjesë e Jugosllavisë, Maqedonia e Veriut ka lënë ombrellën e Beogradit kur është ndarë në mënyrë paqësore në vitin 1991. (Valona Tela/rel)

Ura e Mostarit: Si ia hapi varrin vetes arkitekti, nga frika se mos ajo po shembej
LPD: Ndalimi i filmit në shtëpinë e kulturës reflektim i qëndrimeve të qytetarëve në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration