Kurti i shkruan Lajçakut për parimet dhe ekipin negociator në bisedimet me Serbinë
Rajoni dhe Politika

Kurti i shkruan Lajçakut për parimet dhe ekipin negociator në bisedimet me Serbinë

08.Apr.2020 18:41
0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një letërkëmbimi me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga BE-ja dhe SHBA-ja që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes.

Kurti në letër i thotë Lajçakut se sipas Kushtetutës së Kosovës është i obliguar që të themeloj dhe udhëheq ekipin negociator të Kosovës.

Në këtë frymë, Kurti thotë se ekipit negociator do t'i printe ai, ndërsa anëtarë të tij do të ishin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe nga një përfaqësues të partive politike parlamentare: Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike, koalicionit AAK-PSD, Nismës Socialdemokrate, Listës Serbe dhe Grupit 6+.

Parimet e dialogut, sipas Kurtit

Kurti në kuadër të parimeve të dialogut thotë se palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme.

"Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore", shkruan Kurti për të shtuar se "marrëveshja duhet të shoqërohet me një paketë masash politike, ekonomike dhe financiare që do të përshpejtonin përmirësimin e standardit të jetesës në të dyja vendet, si dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian".

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën ndaj mallrave serbe.

Palës kosovare në dialog i printe presidenti, Hashim Thaçi.

Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe, mirëpo e ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, gjë që ka ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kërkuar shfuqizimin pa kushte të tarifës.

Çfarë thotë Lajçak?

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur heqjen e tarifës dhe nuk e ka komentuar vendosjen e masës së reciprocitetit.

Në letrën të cilën, i BE-së, Miroslav Lajçak i ka dërguar Kurtit, ai thotë se vendimin për heqjen e tarifës, e sheh si shenjën e parë konkrete të vullnetit për të rinisur dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

"Bashkëpunimi rajonal në këto periudha sfiduese, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjen e papenguar të mallrave, është thelbësor për të mbajtur në kontroll pandeminë. Gjithashtu në këtë kontekst, unë do të doja të përsëris mirëpritjen e BE-së për vendimin për heqjen e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina", thotë Lajçak në letrën të cilën e ka publikuar zyra e kryeministrit të Kosovës.

Ai shton se "emërimi i tij jep sinjale të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog".

Rezervat e Thaçit ndaj Lajçakut

Emërimi i ish-kryediplomatit sllovak në pozitën e të dërguarit të BE-së për dialogun, nuk është mirëpritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë më herët se misioni i Lajçakut “është i paracaktuar të dështojë”.

"Misioni i tij është krijuar të dështojë për shkak të angazhimit të tij për të ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën", ka thënë Thaçi.

Që nga ndërprerja e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësoheshin nga BE-ja, të dyja vendet kanë arritur dy marrëveshje: për hekurudhat dhe linjën ajrore.

Të dyja këto marrëveshje janë ndërmjetësuar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell./REL/

Serbia vendosë orën policore gjatë fundjavës
Djali i Vuçiqit, i infektuar me koronavirus
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration