Kosova pranë zgjedhjeve të reja
Rajoni dhe Politika

Kosova pranë zgjedhjeve të reja

22.Dec.2020 09:06
0

Jo për shkak të pozitës së presidentit, por për shkak të mënyrës së zgjedhjes së qeverisë së Avdullah Hotit, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani të martën do të takohet me përfaqësuesit politikë për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor vendosi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

 

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre".

Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri.

Sipas nenit 82 të Kushtetutës, kuvendi, ndër të tjera, shpërndahet nga 2/3 e votave të deputetëve dhe më pas presidenti i vendit përmes dekretit shpërndanë kuvendin dhe shpall datën e zgjedhjeve.

Partitë e koalicionit qeverisës, që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve joshumicë ende nuk kanë komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 

Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet e reja. Ishte po kjo parti që e dërgoi në Kushtetuese për interpretim të kushtetutshmërisë votën e Arifit për Qeverinë Hoti.

Pas vendimit, partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që zgjedhjet të mbahen sa më parë, pasi tha se Qeveria Hoti tash e sa muaj nuk e ka shumicën në parlament, që gjë sipas PDK-së, pamundësoi kalimin e ligjeve.

Përveç, qeverisë në detyrë, Kosova aktualisht është edhe me ushtrues detyre të presidentit, pasi më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ashtu siç thuhet në kushtetutë, po e ushtron këtë post dhe këtë gjë mund ta bëjë për një periudhë gjashtëmujore nga data e marrjes së detyrës më 5 nëntor.

Deri më tani, postin e presidentit e ka synuar Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, gjë për të cilën nuk gjeti përkrahjen e partneres së koalicionit, LDK-së. Po ashtu, PDK-ja ka dalë me qëndrimin se për president voton vetëm kandidatin që e propozon vetë.

 

Më herët, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ishte deklaruar kundër shkuarjes në zgjedhje për shkak të postit të presidentit.

Ndryshe, Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentit dhe kryeparlamentarja, tashmë veç ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re, kjo pasi LDK-ja, në muajin qershor, e shkarkoi atë nga posti i nënkryetares së partisë dhe nga funksionet e tjera partiake, duke argumentuar se Osmani ka shkelur statusin e partisë kur është shprehur kundër Qeverisë Hoti./REL/

Njoftimin mbi masat e reja ndaj Covid-19 në Bujanoc
Këngëtarja shqiptare në Francë: E kam obligim të këndoj shqip
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration