Kosova i kërkon Shqipërisë firmosjen e një traktati për mbrojte të përbashkët
Rajoni dhe Politika

Kosova i kërkon Shqipërisë firmosjen e një traktati për mbrojte të përbashkët

16.Aug.2022 08:24
0

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti. Në konferencën e përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të hënën, ajo tha se për këtë proces Kosova llogaritë në ekspertizën dhe përvojën e Shqipërisë.

Ajo po ashtu ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria ta kenë një traktat për mbrojtje të përbashkët që në mënyrë reciproke të reagohet në rast të cenimit të një prej këtyre dy vendeve.

“Është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, ka thënë ajo. 

Kërkoi mbështetje edhe në proceset integruese.

“Të gjithë ne në Kosovë u gëzohemi të arriturave të Shqipërisë dhe llogarisim në mbështetjen tuaj. Shqipëria i ka dhënë mbështetje të parezervë Kosovës duke qenë zëri ynë aty ku ne nuk jemi të përfaqësuar. Gjatë udhëheqjes suaj llogarisim se Shqipëria do të jetë edhe më tej zëri ynë aty ku i jepet mundësia. Objektivi ynë strategjik mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO, andaj do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për BE deri në fund të këtij viti, për çka llogarisim në ekspertizën dhe përvojën e Shqipërisë, si vend që ka kaluar në këtë rrugë”, ka thënë ajo.

Për situatën në veri të Kosovës, presidentja e vendit ka thënë se institucionet janë të përkushtuara të punojnë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. 

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të dy palëve, kur Serbia është ajo që po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën por edhe veprime që cenojnë paqen dhe stabilitetin. Presim sinjale të qarta nga BE-ja në raport me Serbinë, ta ndalojnë atë”, ka shtuar ajo.

Begaj: Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare 

Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtarë, ka deklaruar të hënën në Prishtinë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Begaj ka thënë se Shqipëria mbështetë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se do të punojë që ky proces të përfundojë sa më parë.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një e drejtë e vonuar, të cilën ata duhet ta gëzojnë si qytetarët e tjerë të rajonit, për të cilën unë e sigurova presidenten Osmani që Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria mbështetë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO-ja mbetet një garanci e paqes në rajon. E mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtarë”, ka thënë ai. 

Begaj ka shtuar se siguria kombëtare, pavarësia energjetike, pandemitë e shumë të tjera janë fusha me rëndësi prioritare dhe “si kurrë më parë, kërkohet bashkëpunim midis dy vendeve”.

Për dialogun Kosovë-Serbi, Begaj ka thënë se ashtu siç ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, përfundimi i bisedimeve duhet të ketë njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Vlerësoj qëndrimin e presidentes dhe Qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë si e vetmja mënyrë për të bërë të qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”, ka thënë ai. 

Në takimin me Osmanin, Begaj ka thënë se vlerësuan që bashkëpunimi i ngushtë midis dy shteteve, duhet të vijohet me punë intensive dhe të matshme për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

“Duhet t’i shfrytëzojmë potencialet tona ekonomike. Hapat e ndërmarrë tashmë për lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar për njerëzit, mallrat, janë hapat e duhur për investime prioritare. Duhet të përfitojmë nga proceset dhe mekanizmat integrues evropianë dhe rajonalë për të materializuar projektet tona të përbashkëta. Një aspekt shumë i rëndësishëm bilateral është ai në fushën e arsimimit dhe kulturës”, ka thënë ai.

Pas konferencës me Osmanin, Begaj është pritur në takim nga kryeparlamentari Glauk Konjufca

Serbia nuk i dha leje Bislimit e Sveçlës ta vizitojnë Luginën e Preshevës
Vuçiq: Zbatimi i vendimit të Kosovës për targa mund të bëhet vetëm me dhunë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration