Jugosllavia,  burgu politik i shqiptarëve
Kulturë

Jugosllavia, burgu politik i shqiptarëve

01.Dec.2019 18:47
0

Këtë fundvit Instituti Albanologjik po e përmbyll me një botim, i cili përfshin një seri dokumentesh të viteve ‘80 të shekullit XX. Është fjala për librin “Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi (1989)”, përgatitur dhe përkthyer nga prof. dr. Hysen Matoshi dhe dr. Sadik Mehmeti. Vepra në fjalë sjell në dritë dokumentet sekrete të Ministrisë Federative të Drejtësisë dhe të Administratës së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, shtet ky që filloi të shpërbëhej gjatë fillimit të viteve ‘90 të shekullit XX, proces që hyri në fazën përfundimtare më 1999, pra gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s, për t’u përmbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 2008. 

Fillimisht, përgatitësit e këtij vëllimi me dokumente arkivore theksojnë se si Jugosllavia e parë, ashtu edhe Jugosllavia e dytë, ishin krijuar si mbretëri dhe federatë e popujve sllavë, duke diskriminuar gjermanët, hungarezët dhe sidomos shqiptarët. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në rend të parë, për popullsinë gjermane solli ndëshkimin kolektiv dhe shpërnguljen e tyre të dhunshme për në shtetin e tyre amë. Ndërsa shqiptarët e mbetur përsëri në kufijtë e ish-Jugosllavisë do të kalonin nëpër një fazë të rëndë, gjatë së cilës, ata do të vriteshin, torturoheshin, si dhe do të shpërnguleshin për në Republikën e Turqisë. Dhe e gjithë kjo ndodhte, ashtu siç me të drejtë e theksojnë edhe përgatitësit e këtij vëllimi, në kohën kur proklamoheshin barazia kombëtare dhe drejtësia sociale. Këto vlera të socializmit kishin sjellë deri te afirmimi kombëtar i popujve sllavë brenda federatës së Jugosllavisë AVNOJ-iste, por kur bëhej fjalë për shqiptarët, këto të drejta të proklamuara, në çdo mënyrë, u ikej zbatimit të tyre.

Prandaj, keqpërdorimi i aparatit shtetëror apo UDB-së dhe më vonë SUP-it, në shërbim të ndjekjes, burgosjes dhe pastaj dënimeve të rënda për shqiptarët, ishte një formë veprimi, pak a shumë i pranuar nga të gjitha njësitë federale të Jugosllavisë. Duhet thënë se politika nacionaliste serbe u riaktivizua, sidomos pas demonstratave studentore të vitit 1981, kur edhe elita intelektuale dhe politike serbe arriti që të mobilizojë federatën e brishtë të Jugosllavisë kundër shqiptarëve, duke i bërë ata armiqtë kryesorë politikë të këtij shtetit. Këto përfundime mbështeten edhe në statistikat zyrtare, si dhe të dhënat e organizatave ndërkombëtare, një nga të cilat, Amnesty International, në raportin e saj vjetor të vitit 1982, dëshmonte se më shumë se 60 për qind e të burgosurve politikë në RSFJ ishin shqiptarë. Në vitet ‘80 të shekullit XX shiheshin shenjat e rënies së socializmit lindor, ndërsa në Serbi, si njësia më e madhe federale, ndodhte një proces i kundërt, ai i kthimit në nacionalizëm dhe krijimit të kultit të personalitetit. Njëkohësisht, Sllovenia e Kroacia filluan të përgatiteshin për rirregullimin e federatës, me opsion shkëputjen dhe shpërbërjen e RSFJ-së.

Me gjithë këto vlime dhe ndryshime të pritura, përsëri statusi i shqiptarëve jo që u përmirësua, por u përkeqësua edhe më shumë. Në ndërkohë, si rezultat i presionit ndërkombëtar, sidomos të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International, në tetor të vitit 1989, Sekretariati Federativ i Drejtësisë dhe i Administratës i RSFJ-së kishte hartuar raportin e titulluar si “Pasqyrë e personave të dënuar për të ashtuquajturin kriminalitet politik, të cilët gjenden në burgje për vuajtje të dënimit”. Në këtë dokument, që kishte karakterin e dokumentit sekret, kishte të dhëna për 277 të burgosur politikë, nga të cilët shqiptarë ishin 245 sish, ose rreth 89 për qind e të gjithë të burgosurve politikë në Jugosllavi, ndërsa ata përbënin rreth 7.7 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Gjithashtu, përgatitësit e këtij vëllimi theksojnë faktin se në raportin e organeve federale, të cilin ata e kanë përkthyer dhe redaktuar për botim, janë përfshirë vetëm të dënuarit për vepra që parashiheshin me Kodin Penal Federativ, por jo edhe të burgosur politikë, të dënuar me Kodet Penale Republikane ose Krahinore. /Memli Sh.Krasniqi

Imami Elvis Naçi-Ramës: Nëse bëhet si tek tezgat unë me Marinin ikim nga tavolina
VV-LDK, sot pritet nënshkrimi i marrëveshjes për qeverisje
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration