Ish-agjenti Spasiq: Vëllezërit Gërvalla dhe Zekën i vrau Jugosllavia
Rajoni dhe Politika

Ish-agjenti Spasiq: Vëllezërit Gërvalla dhe Zekën i vrau Jugosllavia

10.Feb.2022 08:16
0

Bozhidar Spasiq, punëtor i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë, pranon se vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka janë vrarë në Gjermani për shkak të aktivitetit të tyre politik. Por, kur vjen puna te përgjegjësia për këtë vepër, ai e ndan rolin që kishte Jugosllavia e atëhershme dhe Serbia.

Spasiq në një intervistë në programin e mëngjesit në“TV Happy” të Serbisë, tha se tre aktivistët shqiptarë i ka vrarë Jugosllavia, përkatësisht shërbimi ku ai bënte pjesë.

“Serbët këtë nuk e kanë bërë. Këtë e ka bërë Sigurimi Shtetëror i Jugosllavisë. Ne [ si shërbim] as nuk e kemi konsultuar Serbinë, e as nuk na ka rënë ndër mend që ta pyesim Serbinë, Kroacinë a këdo për aksionet tona. Këtë aksion e ka kryer Shërbimi Federativ”, ka thënë Spasiq. 

Thotë të jetë autor i rreth 90 aksioneve në të gjitha kontinentet për shuarjen e, siç ka thënë ai, “bandave terroriste të ustashëve dhe shqiptarëve”.

Spasiq tregoi se i kishte vëzhguar vëllezërit Gërvalla në Gjermani. Tha se ata operonin në një ndërtesë 4-katëshe dhe se mbanin orë letrare, porse sipas tij, kjo ishte vetëm një farsë për t’i arsyetuar tubimet dhe aktivitetin e tyre.

“Ata ishin nismëtarë të ushtrisë shqiptare”

“Kam qenë aty, e kam parë ndërtesën. Pra kinse aty mbanin orë letrare... n’hamam orë letrare. Ata kanë qenë nismëtarët e ushtrisë shqiptare të quajtur ANAR, e më vonë UÇK. Shërbimi ynë mori informata shumë të mira... të gjallë janë shqiptarët që na i kanë zbuluar vendndodhjen e tyre, në Maqedoni e...”, tha ai para se të ndërpritej nga prezantuesi i emisionit.

Vëllezërit Gërvalla dhe Zeka u vranë në një atentat në janarin e vitit 1982 në Gjermani.

Spasiq gjithë kohën ka punuar në drejtorinë që i ka luftuar të ashtuquajturat “banda terroriste ustashe e shqiptare”. Strategjia e ish-Jugosllavisë ka qenë që lufta kundër “terrorizmit” të udhëhiqej në territorin ku gjendeshin “terroristët”.

I dekoruar dy herë nga shteti që nuk ekziston më, që i kishte dhuruar edhe revolverë e gjësende të ngjashme, vetë Spasiq thotë se e ka përgatitur edhe atentatin mbi ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes të Sllovenisë, Janez Jansha, më 1993. Vrasjen e tij e parandaluan njësitë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, nën udhëheqjen e Jovica Stanishiqit.

Spasiq ka folur edhe për vrasjen e Enver Hadrit, veprimtar për të drejtat e njeriut dhe politike të shqiptarëve të Kosovës. Ai u vra më 1990 në Belgjikë.

Ai mohoi ta ketë vrarë Hadrin, siç e ka akuzuar Radmilo Bogdanoviq, ish-ministër i Jugosllavisë në periudhën 1989-1991.

“Hadri, agjent i CIA-s, Rusisë...”

“Shpifje më të madhe zor se gjen. Por nuk ka ditur si ta arsyetojë faktin se pse na kanë shpënë në gjyq. Dosja e Hadrit ka qenë kaq e madhe. Hadri ka qenë agjent i CIA-s. Ka qenë agjent i Rusisë dhe kjo është më interesante këtu... është takuar në Rusi... Ky Hadri ka ikur në Shqipëri, ka qenë mësues.... ka ikur dhe është kthyer. ‘Sigurimi’ e ka angazhuar për spiun. E kur e kemi kuptuar këtë, i kemi thënë do të spiunosh edhe për ne, kurse ai iku në Perëndim”, tha Spasiq.

Pranoi se Hadri nuk iu bashkua sigurimit jugosllav.

“Po çfarë agjenti, kurrë asnjë raport s’e ka nisur”, shtoi ai.

Spasiq dhe dy bashkëpunëtorë të tij, Veselin Vukotiq e Andrija Drashkoviq, janë shpallur fajtorë më 2016 nga një gjykatë në Bruksel për vrasjen e Hadrit dhe janë dënuar me burgime të përjetshme. Më pas u anuluan këto vendime.

Pas gjykimit, Spasiq kishte thënë se për procesin gjyqësor në Belgjikë nuk ishte i njoftuar. Mohoi se i njeh Vukotiqin dhe Drashkoviqin dhe tha se Kushtetuta e Serbisë nuk lejon që të ekstradohet në Belgjikë.

“Thashethemet se ne i kemi vrarë sigurisht vijnë nga nëntoka e Beogradit”, kishte thënë ai pas gjykimit. “Ai kishte qenë agjenti ynë, por më vonë humbi”.

Hadri ishte vrarë brenda në veturë nga një veturë tjetër në lëvizje.

Që nga viti 1993, Spasiq është pronar i një agjencie detektivësh. Por ka respekt për shërbimin ku punoi, por edhe vrau shqiptarë të pafajshëm.

“Policia e Beogradit ka qenë fantastike... porse ne... ne kemi pasur njerëz prej Gjevgjelisë e deri në Lubjanë”, tha ai në “Tv Happy”.

Policia e Kosovës ndalon një person te Dheu i Bardhë, nuk posedonte dëshmi të vaksinave anti COVID
Media amerikane: Moska mund të tentojë skenarë destabilizues në Ballkan
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration