Shkëmbimi i Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, ide e Rusisë?
Lokale

Shkëmbimi i Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, ide e Rusisë?

22.Jul.2018 08:32
0
Më poshtë mund ta gjeni intervistën e realizuar nga gazetarët e "˜Zërit' në vitin 2014 me diplomatin rus në Prishtinë, Andrey Y. Shugurov. Për shkak të riaktualizimit të kësaj ideje, po e përsërisim intervistën e realizuar 4 vite më parë.

Diplomati rus: Serbia ta marrë veriun, Kosova Luginën

Diplomati rus në Prishtinë, Andrey Y. Shugurov, është i bindur se minoritetet nuk kanë të ardhme në Kosovë, prandaj, siç thotë ai, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte opsioni më i arsyeshëm për të dyja palët.

Sipas tij, përfshirja e komunave veriore në kuadër të Kosovës në vitin 1959 ka qenë artificiale, kështu që situata duhet të kthehet në mesin e shekullit të kaluar, kur Lugina e Preshevës ishte Kosovë, e pjesa veriore Serbi.

LEXO EDHE: Diplomati rus: Serbia ta marrë veriun, Kosova Luginën

“Mendoj se ky do të ishte opsioni më i arsyeshëm. Por, po e përsëris ky është mendimi im personal që është krijuar pas pesë viteve që po qëndroj këtu në Kosovë”, thotë për gazetën “Zëri” Shugurov, udhëheqës i Zyrës ruse në Prishtinë, e cila funksionon në kuadër të Ambasadës Ruse në Beograd.

Gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, e cila do të botohet në dy vazhdime, diplomati rus thotë se ka ekzistuar marrëveshja e Treshes për kohën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe njohjen nga Rusia dhe Serbia, mirëpo, siç thotë ai, një marrëveshje e tillë është shkatërruar nga presidenti amerikan, George Bush.

Shugurov flet edhe për sanksionet ekonomike të Qeverisë së Kosovës ndaj Rusisë dhe se kur kjo e fundit mund ta njohë Republikën e Kosovës, etj.

Zëri: Si e vlerësoni situatën politike aktuale në Kosovë?

Shugurov: Unë zyrtarisht nuk jam i akredituar nga autoritetet kosovare apo presidentja e Kosovës dhe nuk kam përgjegjësi diplomatike ndaj lidershipit kosovar, prandaj mund të jem pakëz më i hapur në deklaratat e mia. Mendimi im personal është se Kosova pavarësisht zgjedhjeve të suksesshme të qershorit të këtij viti, gjendet në një situatë krize politike dhe kushtetuese. Tashmë kanë kaluar 4 muaj që nga zgjedhjet e fundit dhe Kosova ende nuk ka Parlamentin e ri e as qeverinë. Pra është një gjendje krize dhe pajtohem plotësisht me deklaratën e fundit të zotëri Frank Wizner, i cili ka thënë se kjo situatë ka dëmtuar me të vërtetë imazhin e Kosovës, si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Zëri: Me siguri keni kontaktuar me serbët e Kosovës. Cilin krah politik duhet ta mbështesin ata?

Shugurov: Nuk është detyra ime t’u jap këshilla serbëve të Kosovës. Supozoj se nëse ata e dëgjojnë dikë, ata do të janë liderët në Beograd. Por, kë duhet ta mbështesin ata është thënë qartë nga lideri i Listës “Srpska”, Alexander Jabllanoviq. Ata do t’i bashkohen shumicës. Ata duhet të jenë pjesë e qeverisë, sepse ajo u është ofruar nga Ahtisari, Kushtetuta e Kosovës, etj. Dhe normalisht se ata do të jenë në anën e atyre që do t’u ofrojnë kushte më të mira dhe nuk është ndonjë sekret se shumica nacionale ka problem serioz me Kushtetutën etj. Së fundi kemi marrë deklarata nga të gjitha komunitetet e Kosovës, liderët e tyre, nga boshnjakët, romët, serbët, në lidhje me kushtet e vështira të jetës së tyre dhe se si ata duan të ikin nga Kosova. Kjo është një situatë anormale, pavarësisht faktit se të drejtat politike ekonomike po u ofrohen minoriteteve. Pra, situata me të vërtetë duhet të ndryshojë dhe të përmirësohet.

Minoritetet nuk kanë të ardhme në Kosovë

Zëri: A ka qenë vendim i drejtë që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe nacionale në Kosovë?

Shugurov: Supozoj se qeveria serbe në Beograd, e cila miratoi pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, ka pasur plotësisht të drejtë. Nuk më takon mua të them se çfarë është e drejtë e çfarë jo, por nëse serbët duan që të drejtat e tyre të promovohen, ata gjithsesi duhet të jenë në pozitat e pushtetit.

Zëri: A mendoni se relacionet ndëretnike në Kosovë tashmë janë më të relaksuara?

Shugurov: Nuk do të them se situata ndëretnike është ideale këtu. Për shembull, kur shëtis nëpër Kosovë, nëpër vendbanimet shqiptare i shoh të shlyera mbishkrimet në gjuhën serbe dhe e njëjta ndodh edhe në vendbanimet serbe, ku mbishkrimet në gjuhën shqipe janë të shlyera. Kjo është një gjë e vogël, por që tregon diçka.

Nuk do të thosha se shqiptarët këtu kanë jetë të përsosur, sepse situata ekonomike e sociale është e vështirë. Minoritetet këtu mund të mbijetojnë vetëm përmes bujqësisë dhe të ardhurave nga qeveria serbe. Për momentin duket se minoritetet nuk kanë të ardhme në Kosovë.

Zëri: Megjithatë, nëse krahasohemi me vitin 1999 relacionet e tilla janë shumë më të relaksuara

Shugurov: Po, janë më të relaksuara. Megjithatë, përfshirja e komunave veriore në kuadër të Kosovës në vitin 1959 ka qenë artificiale. Serbët në veri të Kosovës nuk kanë pasur traditë të jetesës me shqiptarë. Ka qenë territor i pastër serb, nuk flasin shqip dhe kanë shumë pak fqinj shqiptarë.

Bashkimi i veriut me Kosovë, s’ka qenë ide e mirë

Zëri: Thoni se ka qenë e gabuar ideja që pjesa veriore e Kosovës të bashkohet me pjesën qendrore?

Shugurov: Nuk ka qenë ideja më e mirë. Ndoshta situata duhet të kthehet në mesin e shekullit të kaluar kur Lugina e Preshevës ishte Kosovë, e pjesa veriore ishte Serbi. Besoj se një gjë e tillë do ta lehtësonte dukshëm situatën në Kosovë. Ky është mendimi im personal.

Zëri: Pra, sipas jush, është më mirë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës e veriu Serbisë?

Shugurov: Po. Mendoj se ky do të ishte opsioni më i arsyeshëm. Por, po e përsëris ky është mendimi im personal që është krijuar pas pesë viteve që po qëndroj këtu në Kosovë. Më duket se jam diplomati i huaj me shërbimin më të gjatë këtu. Prandaj, kam krijuar ndjenjat dhe vlerësimet e mia personale.

Zëri: A e keni diskutuar paraprakisht këtë ide edhe me zyrtarët serbë?

Shugurov: Pse do ta diskutoja? Kjo është punë për ta. Ky është vetëm mendimi im personal në lidhje me atë se si ndjehem dhe çfarë do të ishte më mirë për të dyja anët. Por çfarë vendimi do të merret në të ardhmen, më vjen keq, por unë nuk mund të them.

Zëri: Pse thoni se serbët nuk kanë të ardhme në Kosovë, kur përfaqësuesit e tyre janë pjesë e Parlamentit, Qeverisë, pushtetit lokal...?

Shugurov: Vetëm disa prej tyre janë pjesë e pushtetit dhe me autoritet shumë të dobët. Do të doja të shoh se si do të zhvillohet situata në të ardhmen. Por konkludimi im pas pesë viteve të fundit të qëndrimit tim në Kosovë është se nëse situata mbetet e këtillë, serbët nuk kanë të ardhme në Kosovë. Sepse politika e kthimit të tyre ka dështuar. Shumë pak serbë janë kthyer në Kosovë. Të themi se janë 200.000 refugjatë në Serbi nga Kosova. Gjatë gjithë këtyre viteve ndoshta 20.000-25.000 janë kthyer, madje vetëm formalisht, sepse vetëm 4-5 mijë të kthyer po qëndrojnë këtu. Të tjerët do të kthehen prapë në Serbi. Sepse më duhet ta përsëris se nuk ekzistojnë kushtet ekonomike dhe sociale për mbijetesën e minoriteteve në Kosovë. Edhe shqiptarët e kanë shumë të vështirë të jetojnë këtu për shkak të kushteve të vështira ekonomike e sociale e lëre më minoritetet.

Zëri: Zëvendëskryeministri i Kosovës, disa ministra, deputetë, kryetarë komunash janë nga radhët e minoritetit serb

Shugurov: Përsëri do të doja t’i shoh statistikat që tregojnë se sa serbë e kanë lëshuar Kosovën gjatë viteve të fundit.

Zëri: Statistikat gjithashtu tregojnë se 70 mijë shqiptarë e kanë lëshuar Kosovën që nga viti 2009

Shugurov: Saktësisht. Është tendencë gjithëpërfshirëse. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ju keni probleme me liberalizimin e vizave.

Zëri: Cili është komenti juaj për bisedimet Kosovë-Serbi dhe marrëveshjet e fundit?

Shugurov: Më vjen keq që Rusia nuk është partner në bisedime, kështu që nuk kemi mesazh për të dyja palët. Ne thjesht po vëzhgojmë ecurinë e saj, dhe nuk po komandojmë asgjë.

Më mirë të negociohet sesa të luftohet

Zëri: A është më mirë për të dyja palët që të negociojnë me njëra-tjetrën?

Shugurov: Sigurisht. Të negociosh është gjithmonë më mirë sesa të luftosh. Nuk ka dyshim për këtë. Dhe ne mbështesim dialogun, sepse përmes tij po përmirësohet jeta e minoriteteve, përfshirë serbët.

Zëri: Si e vlerësoni mbarëvajtjen e dialogut mes palëve deri më tani?

Shugurov: Janë arritur disa rezultate, marrëveshje të posaçme, por ato nuk janë shumë vendimtare. Madje ndonjëherë janë shumë të zbehta. Secila palë është duke tentuar të arrijë marrëveshjet që u konvenojnë, që është me të vërtetë e paqartë. Shqiptarët e Kosovës thonë se është arritur marrëveshje në një pikëpamje, e ana serbe mban një pikëpamje tjetër.

 

Zyrtare: Beogradi s'e lejon Pacollin të shkojë në Novi Pazar, vizitat në Luginë me reciprocitet
Mediat e Tiranës për Luginën e Preshevës: Problemi më jetik, mungesa e teksteve shqip?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration