Zgjidhja e dytë “përfundimtare” për Kosovën: Mes modelit të Irlandës Veriore dhe atij të Distriktit të Brçkos

Nga Redaksia 21.05.2018 21:17

Kanë kaluar më se tetë vite që nga fillimi i të ashtuquajturit “dialog i nivelit teknik” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili siç edhe pritej, përfundoi në dialog të pastër politik mes dy vendeve.

Sipas medieve beogradase, por edhe forcave të ndryshme politike në Serbi, tashmë ekziston një perceptim i gjerë se është e qartë që Serbia është e gatshme të negociojë për zgjidhjen përfundimtare, nëse në lojë futet edhe veriu i Kosovës. Ndoshta jo si formë klasike e shkëmbimit të territoreve, por si një lidhje më e institucionalizuar me serbët e Kosovës, nëpërmjet Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sidoqoftë, si rezultat i qëndrimeve tejet antagoniste të palëve, kohëve të fundit janë shtuar zërat për përfshirjen direkte të fuqive perëndimore, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, sado që ky koncept interpretohet ndryshe nga të gjitha palët e përfshira në proces. Por, ajo që mbetet ende në mjegull është modeli që do t’u propozohet palëve, meqë është e qartë që kompromisi me Pakon e Ahtisaarit nuk është i krejtësisht i mjaftueshëm për zgjidhjen e problemit. Kjo çështje është trajtuar në heshtje nga pala serbe, e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiq.Ky i fundit, i konsideruar si politikani me pushtetin më të madh politik që nga periudha e Millosheviçit, ka deklaruar se serbët janë të gatshëm të shqyrtojnë një propozim, i cili garanton se asnjëra palë nuk do të humbë apo fitojë gjithçka. Si rrjedhojë, topi dhe barra kryesore për një zgjidhje të tillë bie mbi Kosovën, e cila ndodhet para një dileme të madhe. Të pranojë një propozim eventual të sponsorizuar nga SHBA-të, që shkon përtej Pakos së Ahtisaarit, apo të refuzojë madje edhe që të diskutojë për këtë çështje, që do të nënkuptonte daljen e parë haptazi kundër qëndrimeve të shteteve mike.Por, cilat janë në fakt opsionet që mund t’iu propozohen Prishtinës dhe Beogradit zyrtar? Në disa nga medietprestigjioze ndërkombëtare, kohëve të fundit flitet se zgjidhja mund të jetë diçka në mes modelit të Irlandës Veriore dhe modelit të qeverisjes së Distriktit të Brçkos së Bosnje dhe Hercegovinës. Një version i përmirësuar i këtij të fundit, thuhet të jetë edhe i preferuari për SHBA-të.

Mirëpo, çfarë modele të qeverisjes janë realisht ato? Cilët janë parametrat e funksionimit të tyre, dhe sa janë të zbatueshme për Kosovën?

Vlerësimi bazë mund të jetë se pothuajse asnjë model i përdorur në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk mund të ‘importohet’ dhe mbivendoset në rastin e Kosovës, marrë parasysh karakteristikat sui-generis të vetë projektit të Kosovës. Në pak fjalë, nevojitet një përzierje e elementeve të modeleve të ndryshme për të ofruar mundësi për normalizim të plotë tëmarrëdhënieve mes vendeve që kanë kaluar në periudha të konfliktit.Mirëpo, cilido qoftë plani, nëse ka në të vërtetë një të tillë, ai duhet medoemos të përfshijë edhe elemente të drejtësisë tranzicionale, në veçanti zgjidhjen e çështjes së të zhdukurve dhe reparacionet e luftës.

Ajo çfarë palëve, e në veçanti Kosovës, i duhet më së paku, në raport me të ardhmen drejt Bashkimit Evropian, është vazhdimi i një konflikti të ngrirë.

Modeli i Irlandës Veriore

Më 10 prill të vitit 1998, pas një konflikti të përgjakshëm shumë-vjeçar,qëkulmoi gjatë çerekut të fundit të shekullit të kaluar pas suprimimit të autonomisë së Irlandës Veriore në vitin 1972 kur ky rajon u vendos nën pushtetin direkt të Britanisë, konflikt i cili la mijëra të vrarë e të plagosur, u arrit Marrëveshja historike e Belfastit, mes qeverisë britanike, qeverisë irlandeze dhe dy kampeve politike kryesore në Irlandën e Veriut (unionistëve dhe nacionalistëve). Kjo marrëveshje, që njihet ndryshe si “Marrëveshjaetë Premtes së Mirë”, filloi një etapë të re paqeje në këtë rajon.

Marrëveshja në fjalë, e cila u pasua më vonë me disa marrëveshje tjera, parashihte që Irlanda Veriore të mbetet pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa Uestminsteri u obliguatë transferojë një seri të pushteteve tek institucionet e Irlandës Veriore. Elementi kryesor i kësaj marrëveshje ishte vënia në pah për herë të parë e ‘parimit të dhënies së pëlqimit’ (“principle of consent”), sipas të cilit çështja e Irlandës Veriore nuk mund të zgjidhjet pa dhënien e pëlqimit nga të dy palët, të cilat qeverisin këtë vend nëpërmjet parimit të shpërndarjes së pushtetit (“power-sharing”). Pra, me pak fjalë, qytetarëve të Irlandës Veriore u njihet e drejta e vetëvendosjes, që nëpërmjet një referendumi, të vendosin se a duan të mbeten pjesë e Britanisë së Madhe, apo të ndahen nga Britania e Madhe dhe ti bashkohen Republikës së Irlandës. Gjatë kësaj kohe, ata gëzojnë të drejtën të kanë pasaportë britanike, irlandeze, apo edhe të dyja bashkë, duke gëzuar privilegje nga të dy shtetet.

Marrëveshja e Belfastit ngërthen në vete tri dimensione funksionale të sistemit politik irlandezo-verior. Dimensioni i parë është ai i funksionimit të brendshëm, i cili rregullon funksionimin e legjislativit dhe ekzekutivit në Irlandën Veriore bazuar në parimin e shpërndarjes së pushtetit. Dy dimensionet tjera parashohin institucionalizimin e bashkëpunimit mes Irlandës së Veriut, Republikës së Irlandës dhe Britanisë së Madhe. Më konkretisht, dimensioni i dytë ofron një dimension irlandez për rregullimet qeverisëse të Irlandës Veriore, duke krijuar institucione të bashkëpunimit mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Në anën tjetër, dimensioni i tretë inkurajon zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes Britanisë dhe Republikës së Irlandës, shtete të cilat do të mund të merreshin me çështje të rezervuara, për të cilat autoritetet e Irlandës Veriore nuk kanë kompetenca.

Sa i përket zbatueshmërisë së këtij modeli në Kosovë, pa pasur nevojë që të analizohet në detaje sistemi i qeverisjes atje, mund të konkludohet se një model i tillë do të ishte jashtëzakonisht i dëmshëm për vendin, dhe do të ishte një kthim prapa në kohë prej rreth 30 vitesh. Ky model, apo çfarëdo modeli që është i bazuar mbi rastin e Irlandës, do të nënkuptonte lejimin e përfshirjes direkte të Beogradit në proceset vendimmarrëse kyçe në Kosovë, qoftë përmes subjekteve politike, apo ndonjë mekanizmi tjetër.

Për më shumë, nëse ngritët analogji mes rastit të Irlandës dhe Kosovës, del se një model i këtij lloji do të ishte një abstrahim i plotë i qenësisë juridiko-politike të shtetit të Kosovës, pasi që projekti i shtetit të Kosovës do të merrte trajtë të përkohshme, dhe se do të ishte bazuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, nëpërmjet krijimit të mekanizmave të ngjashëm si në Irlandën e Veriut.

Mësimi pothuajse i vetëm që mund të nxirret nga rasti i Irlandës Veriore është se marrëveshjet historike që zgjidhin konflikte mes popujve zbatohen ngadalshëm, andaj pala kosovare do të duhej që në rast të një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, të insistojë në përcaktimin e afateve strikte kohore për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes. Pozicioni negociues i Kosovës do të duhej të ishte i bazuar mbi situatën faktike në terren, e që është kapitalizuar me shpalljen e Pavarësisë në vitin 2008.

Modeli i Distriktit të Brçkos

Për dallim nga modeli i Irlandës Veriore që do të nënkuptonte ri-dizajnimin e plotë të projektit të shtetit të Kosovës, një model tjetër më i koncentruar dhe reduktuar, do të mund të ishte një “kondominium” i Kosovës dhe Serbisë mbi komunat veriore, apo në përgjithësi të komunave me shumicë serbe. Kondominiumi është formë e qeverisjes politike së një territori të caktuar, për të cilin ka pretendime nga dy apo më shumë vende. Si rrjedhojë, vendet pajtohen formalisht që mbi territorin në fjalë të ushtrohet në mënyrë të barabartë sovraniteti dyfishtë. Kjo teori zë vend të rëndësishëm në doktrinat e së drejtës ndërkombëtare. Fillet e përdorimit të një modeli të tillë janë qysh në kohët e lashta, përkatësisht gjatë Perandorisë Bizantine dhe tutje.

Përpos Distriktit të Brçkos, i cili do të elaborohet në vijim, shembuj tjerë të territoreve kondominiume, jashtë kontinentit të vjetër, janë Antarktida, Gjiri i Fonseçës, Lumi Parana, Ishulli Fazan, dhe të tjerë.

Distrikti i Brçkos historikun e krijimit të tij e ka qysh gjatë kohës së negociatave në Dejton, duke qenë se ishte i vetmi element që nuk u përfshi zyrtarisht në Marrëveshjen e Paqes në Dejton. Ky distrikt u krijua zyrtarisht gjatë vitit 1999, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit për Mosmarrëveshjen mbi Kufirin mes Entiteteve në Zonën e Brçkos. Sipas këtij vendimi, tri qytetet e deriatëhershme të Brçkos do të unifikoheshin, duke krijuar një distrikt, që në thelb është një zonë me nivel tejet të lartë të kompetencave të vetëqeverisjes lokale, të cilat delegohen nga dy entitetet e Bosnje dhe Hercegovinës (Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës Serbe), mirëpo që në instancën e fundit, mbetet nën sovranitetin e plotë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ky distrikt, sipas vendimit për krijimin e tij, duhet të udhëhiqet nga një Mbikëqyrës në kuadër të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (me kompetenca ekzekutive), si dhe një qeveri e cila reflekton karakterin multi-etnik të popullsisë së distriktit, me gjyqësor të pavarur nga sistemi juridik i entiteteve, dhe një Kuvend i cili miraton ligje në interes të distriktit, dhe që kanë juridiksion vetëm mbi këtë rajon. Ndërsa, ligjet e miratuara nga niveli qendror vlejnë vetëm për aq kohë sa ato nuk zëvendësohen nga ligje të reja nga Kuvendi i Distriktit të Brçkos. Karakteristikë tjetër e këtij distrikti është demilitarizimi i plotë i zonës nga forcat ushtarake të entiteteve, duke garantuar prani ushtarake të forcave ndërkombëtare, apo të autoriteteve ushtarake të nivelit qendror konfederal të Bosnje dhe Hercegovinës. Qytetarëve të këtij rajoni, nuk u njihet e drejta e shtetësisë së veçantë, përpos shtetësisë së njërës nga entitetet e Bosnje dhe Hercegovinës.

Statusi i Distriktit, i cili është i inkorporuar edhe në Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës, parasheh që ky distrikt të mos ketë flamur apo stemë të tij, si dhe kërkon që të gjithë zyrtarët publik të betohen dhe operojnë vetëm sipas kushtetutës. Kompetencat e garantuara për distriktin shtrihen në fushën e ekonomisë, financave, pronave publike, shërbimeve publike, shërbimeve të mirëqenies, gjyqësorit, sektorit të sigurisë dhe planifikimit urban.

Por, a do të ishte një model i përmirësuar i Distriktit të Brçkos kompatibil në rastin e Kosovës? Politikisht, vështirë të thuhet, ndërsa juridikisht, mbase po.

Decentralizimi në baza etnike, sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, e njohur ndryshe si ‘Pakoja e Ahtisaarit’, u garanton komunave me shumicë serbe kompetenca të shtuara vetanake në fusha të ndryshme, që në parim ngjasojnë me kompetencat që ka Distrikti i Brçkos. Ky nivel i lartë i vetëqeverisjes lokale është reflektuar edhe në Marrëveshjen për Parimet e Përgjithshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila është arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, gjatë vitit 2015.Nëse merren për bazë këto dy dokumente, atëherë bashkësia do t’a ketë dukshëm më të lehtë të arsyetojë një plan të tillë, duke i lënë palët që nëpërmjet ambiguitetit konstruktiv të deklarojnë se kanë fituar atë për çka kanë luftuar. Diferencën në këtë rast, do ta bëjnë detajet që do të përfshihen ne planin në fjalë.Meqë në fushat tjera si kultura, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ai rural si dhe zhvillimi ekonomik lokal, tashmë komunitetit serb i është dhënë gjithçka çfarë mund të ofrohet, madje duke zbatuar standardet më të larta të diskriminimit pozitiv, tema kryesore e diskutimit mes palëve dhe bashkësisë ndërkombëtaredo të jetë lidhur me elementin e sigurisë, përkatësisht prezencën ushtarake të Kosovës në veri të vendit, pasi që sipas të gjitha gjasave nga pala serbe, e mbase edhe nga vetë bashkësia ndërkombëtare do të kërkohetqë të ndiqet pothuajse i njëjti model sikur në Brçko, duke i hequr të drejtën autoriteteve qendrore që të dërgojnë forca ushtarake, duke sanksionuar që vetëm trupat e KFOR-it të jenë prezentë atje. Kjo sferë duhet të jetë pika ku pala kosovare duhet të lobojë më së shumti tek partnerët ndërkombëtarë.

Sa i përket premisave demografike, nuk ekziston pothuajse asnjë ngjashmëri mes rastit të Kosovës dhe Distriktit të Brçkos, duke qenë se koncentrimi i popullatës serbe në veri është dukshëm më kompakt, krahasuar me shpërndarjen mjaft diverse të popullsisë në Distriktin e Brçkos. Derisa në Kosovë, Asociacioni pritet të përfshijë 10 komuna, të cilat paraqesin 15.65% të territorit, me rreth 75,000 banorë (4,15% e popullsisë), Distrikti i Brçkos është dukshëm më i vogël në të dy aspektet, meqë ai përbëhet nga vetëm 2,63% të popullsisë së përgjithshme dhe 0,96% të territorit të Bosnje dhe Hercegovinës.

Nëse merren parasysh predispozitat e lartcekura, atëherë skenari më i mundshëm i asaj se çfarë do të mund të propozojë bashkësia ndërkombëtare, bazuar në modelin e Brçkos, është futja e statutit të Asociacionit si kategori kushtetuese, me kompetenca të shtuara në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe menaxhimit të financave. Po ashtu, nga modeli i Irlandës Veriore nuk do të ishte befasi nëse do të merrej elementi i lidhjes direkte të Asociacionit me autoritetet e Beogradit, qoftë nëpërmjet bashkëpunimit financiar (që është paraparë edhe në ‘Pakon e Ahtisaarit’) apo edhe bashkëpunim direkt politik.

Se a do të zbatohet në të vërtetë ndonjëri nga këta skenarë, mbetet të shihet në një të ardhme relativisht të afërt. I sigurt është fakti se bashkësia ndërkombëtare, me në krye SHBA-të, është lodhur duke pritur që palët të merren vesh vetë, kurse ndërmjetësimi i BE-së nuk është treguar sa duhet efektiv. Njëkohësisht, një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që mund të shihet si një zgjidhje e dytë përfundimtare për Kosovën, do të përshpejtonte ndjeshëm rrugët përkatëse të vendeve drejt anëtarësimit në BE, gjegjësisht marrjen e një ulëse në OKB.

(Autori është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës - KDI)

Nga Redaksia 21.05.2018 21:17
Shkruaj Koment

Asnjë koment

Ende nuk ka komente!

Më lejoni tju them një histori të trishtuar! Ende nuk ka komente, por mund të jeni i pari që e komentoni këtë artikull.

Shkruaj një koment
Shiko të gjitha komentet

Shkruaj Koment

Hyrje

Fushat e patjetërsuara janë të shënuara me *

Nëse nuk jeni të regjistruar, atëherë klikoni Regjistro!

Para se të dërgoni komentin Tuaj ju lutemi që t’i përmbaheni rregullave të mëposhtme:

Mendimet e shprehura në komente janë opinione private të autorëve të komentit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e redaksisë së portalit informativ Titulli.

Gjithashtu lusim lexuesit e portalit Titulli që gjatë shkruarjes së komentit t’i përmbahen drejtshkrimit.

Redaksia mbanë të drejtën e mos aprovimit të komenteve me përmbajtje fyese, që janë vulgare, kërcënuese, raciste si dhe ato të cilat bëjnë thirrje në urrejtje etnike dhe nuk kontribuojnë në komunikim normal mes lexuesve të këtij portali.

Komentet që nuk kanë të bëjnë me temën dhe kanë përmbajtje të papërshtatshme rreth jetës private të personit në artikull, apo fyerje në autorët e tekstit si dhe anëtarët e redaksisë, nuk do të aprovohen.

Vërejtje: Për të dërguar komentin së pari duhet të regjistroheni me emrin (pseudonimin), me të cilin pas aprovimit nga redaksia, këtë emër unik (pseudonim) mund ta shfrytëzoni për dhënien e opinionit tuaj në hapësirën për komentim.