Shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe në Bavari festoi njëvjetorin e saj

Nga RedaksiaI 04.05.2018 11:17

Krasniqi, në emër të KMPGJSH-së, i ftoi të gjithë bashkëkombësit, shoqatat dhe bizneset t’i bashkohen rrugëtimit për shkollën shqipe, ngaqë shkolla është e të gjithëve dhe të gjithë e kemi të drejtë dhe detyrë kombëtare, që të japim kontributin, këshillat, vërejtjet dhe sugjerimet, për Mësimin Plotësues në Gjuhë Shqipe në Bavari.

Më 29 prill 2018 në Munih të Gjermanisë u mbajt njëvjetori i themelimit të shkollës shqipe me Mësim Plotësues në Gjuhën Shqipe. Të pranishëm, përpos bashkëkombësve, përfaqësues të shoqatave, Këshillave të Prindërve, prindërit, ishte edhe përfaqësuesi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, dr. Hamdi Reçica, përfaqësuesi nga kultura Gjermane, Christian Hoferer, si dhe përfaqësuesit nga shoqata gjermane “Morgen.V.” Songul Akpinar.

Po ashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit nga shoqatat dhe bizneset shqiptare, të cilat veprojnë në Bavari, si: Anton Krasniqi, Ujkan Nikqi, Milaim Krasniqi etj.

Ndërsa programin e hapi moderatori, Tefik Jaha dhe Lorita Ismaili, më pastaj fjalën e mori Mustafë Krasniqi, ku ndër tjera tha: “Prania e juaj në këtë përvjetor jo vetëm që na nderon, por na inkurajon edhe më tepër, për të ecur rrugës së dritës, rrugës së rilindësve për të qenë në mbrojtje të vlerave kombëtare, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Këtë gjuhë hyjnore, shqipen e bukur ta shpërndajmë si shkëndija te fëmijët tanë mërgimtarë, të cilët pa fajin e tyre, brezi i dytë sikur ka filluar ta zbehë me të madhe gjuhën e nënës! Megjithatë, edhe është duke u bërë përpjekje gjithëpërfshirëse dhe senzibilizuese, që fëmijët shqiptarë të jenë të pranishëm në shkollën shqipe, me Mësimin Plotësues, gjë që për këtë edhe është adresë për landin e Bavarisë, KMPGJSH, e cila e ka përkrahjen e institucioneve tona kombëtare.

Pra, megjithëkëtë angazhim të vullnetshëm, do të preku një detaj të dhimbshëm sa dhe i frikshëm për mërgatën tonë, e cila sikur e ka harruar jetën në dhe të huaj, madje trajtesat nga ana psikologjike shpesh dhe ngatërrohen me dhimbje, dilema e pyetje: Kemi humbur dhe tretur, fëmijët tanë po e humbin gjuhën, fëmija im nuk di të flasë dhe të shkruajë mirë shqip! Ka pyetje tjera; se çka na duhet gjuha shqipe kur ne jetojmë dhe punojmë jashtë atdheut?

Fatkeqësisht në mes të këtyre ngatërresave psikologjike, sikur me dashje futet edhe individualizmi – hije, ironia, shpesh dhe ndikimi i prapaskenave të shëmtuara, të atyre, me apo pa qëllim, që nuk duan të përballen me realitetin. Pra, ne si komunitet, përkundër kësaj shpërfillje, fuqishëm, të bashkuar, ta realizojmë projektin për mësimin plotësues edhe pse është sfiduese çështja! Andaj, për të qenë gjuha shqipe e pranishme te fëmijët tanë, na duhet punë e pareshtur dhe vullnet, gjë që dhe e kemi obligim moral e atdhetar të përkujdesemi, në mënyrë që të mos na përsëritet fati i atyre mërgimtarëve që e kanë harruar gjuhën, apo edhe janë asimiluar!

Realisht, për keqardhje, mësimin e vijojnë shumë pak nxënës, në krahasim me numrin e atyre që duhet ta vijojnë mësimin dhe, për këtë si komunitet, pa dallim religjion, partie, shoqate, na takon të gjejmë rrugë alternativë të përbashkët që fëmijët tanë ta vijojnë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe, për ta pasur të qartë se shkolla shqipe ka të vetmin qëllim, fëmijët shqiptarë ta zotërojnë mirë gjuhën amtare, ta njohin historinë e tyre, gjeografinë, t’i njohin vlerat e çmuara të trashëguara brez pas brezi, ta njohin kulturën e tyre dhe më në fund ta kuptojnë se janë shqiptarë, pasardhës të Pellazgo – ilirëve.

T’u bëhet e qartë bashkatdhetarëve se nuk qëndron ajo logjikë, se gjoja, shqipja është pengesë për mësimin e gjuhës së atij shteti ku jetojnë, por përkundër kësaj, ata nxënës, të cilët e ndjekin mësimin plotësues,  do të jenë edhe më të suksesshëm në çdo lëmi të jetës dhe në gjuhën ku ata mësojnë.

Të nderuar të pranishëm, i falënderoj veprimtarët e vullnetshëm, Këshillat e prindërve, prindërit dhe përkushtimin e palodhshëm të mësimdhënësve të cilët po sakrifikojnë shumë për të arritur realizimin e projektit, për Mësimit Plotësues. Për këtë, në vazhdimësi, po shtohet besimi i bashkëkombësve dhe përkrahja e institucioneve tona, shoqatave dhe bizneseve për KMPGJSH-në, gjë që nga fillimi e tutje kishim dhe kemi përkrahjen e tyre. Në saje të punës dhe vullnetit, përgjatë një viti, kemi arritur të mbajmë kuvendin themelues, më 23 prill 2017, në prani të bashkëkombëseve, shoqatave, biznesit dhe të institucioneve shtetërore, të Ministri së Diasporës, të punëve të jashtme dhe të Arsimit të Republikës së Kosovës, si dhe dy konsullatat tona shqiptare që veprojnë në Munih, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës. T’i nxjerrim organet legjitime, ku nga ky kuvend doli kryesia e gjerë prej 19 vetash, ku dhe u zgjedh kryetari, nënkryetarët, sekretari dhe arkëtari e zëdhënësja. Të regjistrohemi me të drejtat e barabarta si komunitetet tjera pranë organeve Bavareze, të nxjerrim programin dhe statutin, rregulloren e punës, emblemën dhe vulën, të hapim shumë klasa dhe të rrisim numrin e nxënësve. Të organizojmë takime të shumta me shoqata e biznese, për media të nxjerrim deklaratën e parë të KMPGJSH-së, intervista, njoftime për aktivitetin dhe hapjen e klasave. Po ashtu kemi shpërnda fletëregjistrime për vitin 2016/17 e 2017/18, ku edhe jemi në shpërndarje për vitin 2018/19, bashkë me kërkesën për të gjithë ata bashkëkombës mërgimtarë, shoqata e biznese që të na bashkohen në këtë rrugëtim të realizimit të projektit për Mësimin Plotësues.

Kemi qenë pjesëmarrës në seminarin e organizuar nga Ministria e Diasporës në Kroaci disa mësimdhënës, po ashtu për herë të parë kemi organizuar mbajtjen e seminarit në Munih, të organizuar nga KMPGJSH-ja, ku ishin të pranishëm institucionet tona nga: Ministrisë e Arsimit dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës, përfaqësues të shkollave nga Austria dhe Gjermania.

Ndërsa, seminari e përshëndetën si një seminar që ka arritur qëllimin profesional. Për këtë falënderoj organizatorët dhe mësimdhënësit, të cilit ishin të përkushtuar dhe arritën që të cilësohej seminari i arritshëm e profesional.

Ju njoftojmë edhe për kërkesën dërguar organeve gjegjëse Bavareze për të përfituar 8 euro për orë mësimi, si dhe për të qenë e pranishme nota e gjuhës shqipe në dëftesat e nxënësve, që i marrin në shkollat bazë.

Për këtë dhe mësimdhënie meritë të veçantë kanë mësimdhënësit, ku dhe meritojnë më shumë se një falënderim, të cilët kanë punuar me përkushtim edhe shpesh pa paga, si dhe hapjen e klasave të para në Landau, Deggendorf, Kempten, në Rosenheim, më vonë në Munih, Holzkirhen, Fustenfenbruck e gjetiu. Pë këtë e përshëndesim kontributin e Tefik Jahës, Donika Zonjës, Arif gashit, Hakif Qerimit, të Skënder Lumit dhe shumë veprimtarëve tjerë, që u hapen klasat e para.

Duke përshëndetur Konsullatën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë në Munih si dhe nismëtarët e parë të saj që dhe përkrahën projektin tonë: Dr. Hamdi Reçicën, Fran Tanushi, Fadil Lumin, Deli Balidemaj, Donika Zonja, Hateme Morina, Isuf Bytyçi, Jonuz Veliu, Agron Ibrahimi, Mislim Berisha, si dhe mësueset e para: Mervete Ismaili, Ismie Haxhaj, Minire Gajtani, Nerxhivane Qorrollit, Anila Xhani, Vlora Ahmeti, Xhevahire Sylejmani, Blerina Shabani, Donika Zonja, Syngyl Sallauka, Ardiana Mani, Fahrie Basha dhe Milazim Kajtazi  e Shqipe Kukulaj, etj.

Më tutje Krasniqi, në emër të KMPGJSH-së, i ftoi të gjithë bashkëkombësit, shoqatat dhe bizneset t’i bashkohen rrugëtimit për shkollën shqipe, ngaqë shkolla është e të gjithëve dhe të gjithë e kemi të drejtë dhe detyrë kombëtare, që të japim kontributin, këshillat, vërejtjet dhe sugjerimet, për Mësimin Plotësues në Gjuhë Shqipe në Bavari.

Dhe, në fund, e falënderoi Fondacionin Besa”, i cili që nga fillimi ka treguar një bashkëpunim, ku në saje të këtij bashkëpunimi ka dërguar edhe një anëtar të përhershëm në kryesi të KMPGJSH dhe, po ashtu kemi edhe disa shoqata që i kanë angazhuar anëtarët e tyre në këtë Këshill. Patjetër se është për t’u përshëndetur dhe falënderuar për kontributin e dhënë për shkollën shqipe, biznesmenit, Isak Nezirit dhe Fatmir Hasanit.

Në fund të fjalisë, Krasniqi u bëri thirrje të gjithë atyre që e kanë pëshpëritë gjuhën shqipe që ta ndihmojnë dhe kërkoi që të angazhohen, profesionistë, kontribuues në këtë rrugëtim të dritës, të bashkuar sa më shumë të hapim klasa dhe të rrisim numrin e nxënësve dhe e përmbylli me falënderimin  për vëmendje!

Më pastaj fjalën e mori përfaqësuesi nga Stellv. Bundessvorsizender der PEJ Bayern gjerman, Christian Hoferer, ndër të tjera përshëndeti të pranishmit, kryetarin e KMPGJSH-së dhe kërkoi që të jemi sa më të integruar me komunitetin vendas e ta mësoni mirë gjuhën gjermane, ngaqë jetoni këtu, po ashtu duke mos e harruar gjuhën e nënës.

Pas fjalëve të Hofererit, mori fjalën ish-Konsulli i Republikës së Kosovës,   tashmë në cilësinë e përfaqësuesit nga Ministria e Punëve të Jashtme, përshëndeti së pari nxënësit, ku ndër të tera tha: Sot për ju jemi ardhur dhe ju meritoni përshëndetjen më të madhe më pastaj përshëndeti kryetarin e KMPGJSH-së Këshillin dhe Këshillat e Prindërve dhe prindërit e pjesëmarrësit tjerë të pranishëm.

Dr. Reçica preku dhe një detaj tjetër të punës sfiduese të KMPGJSH-së, ku ndër të tjera shtoi: “Ndihem i nderuar që pata fatin të rrugëtoj bashkë me ju në angazhimin për hapjen e shkollave shqipe. Ju ishit shtylla kryesore ndërsa unë isha ai që vetëm ju kam dhënë ndihmën time po dhe ju premtoj se do të keni ndihmën e institucioneve e përkatësisht në Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku dhe jam përfaqësues i saj”. Më tej Reçica shtoi: “Ju keni kaluar nëpër shumë sfida të mëdha, ku dikush nuk ka besua se do të arrihet hapja e shkollave, dikush dhe e ka penguar. Përkundër kësaj ju vullnetshëm vazhduat rrugë dhe ja ku jeni sot, me sukses po festoni njëvjetorin e KMPGJSH-së. Andaj ju po mësoni një gjeneratë që ata nesër do të jenë ambasadorët me të mirë, nga fakti se njohin dy gjuhë dhe mësojnë nëpër shkolla më të mira. Ju bëjë me dije se vizita e përfaqësuesve tuaj me ministra, zëvendësministra, ka ndikuar që zëri i juaj të shkon deri te instancat më të larta shtetërore, ngaqë përfaqësuesit e juaj denjësisht kanë paraqitur rendësin, sfidat dhe pengesat që i keni pasur para institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës. Kisha nderin të isha pjesë e një projekti madhor për shkollën shqipe dhe është për t’u përshëndetur kontributi vullnetar i kryesisë së KMPGJSH-së dhe për këtë zotohem se do të keni përkrahjen e institucioneve.

Ndërsa raportin njëvjetor të KMPGJSH-së e paraqiti Isuf Bytyçi, kurse raportin financiar e paraqiti arkëtari, Agron Ibrahimi.

Njëvjetorin e përshëndeti edhe Songül Akpinar kryetare e Morgen e.V, përfaqësuesi i  Fondacionit “Besa” Rexhep Nikçi, përfaqësuesi i shoqatës Bavareze shqiptare, Milaim Krasniqi dhe nga Shoqata Kulturore humanitare “Ilirida” në Landua, kryetar-Ujkan Nikqi. Ndërsa për ndihmë që i dhanë shkollës shqipe u ndan tri mirënjohje për: Fondacionin “Besa”, Isak Nezirin dhe Fatmir Hyseni.

Programi artistik filloi me vallen e shotës të luajtur nga nxënësit e shkollës në Landau për të vazhduar me recitime e këngë nga nxënësit e shkollave të Munihut, Landau dhe të Holckirhnit. Për këtë angazhim përshëndesim Mësueset: Mervete Ismaili, Donika Zonja, e cila me aktrimin e saj artistik dha ca pjesë recitalit bashkë me nxënësit e saj, po ashtu mësuesen Blerina Shabanin, Xhevahire Sylejmanin dhe Fahrije Basha, të cilat kishin përgatitur nxënësit e tyre për manifestimin e njëvjetorit të KMPGJSH-së.

Programi manifestues, njëvjetori i KMPGJSH-së, u përmbyll me himnin Kombëtar, të kënduar nga nxënësit e mësueses Donika Zonja, ndërsa për nder të njëvjetorit KMPGJSH-ja, për të pranishmit shtroi koktej, ku dhe kishte ushqime tradicionale-shqiptare.

 

Nga RedaksiaI 04.05.2018 11:17
Shkruaj Koment

Asnjë koment

Ende nuk ka komente!

Më lejoni tju them një histori të trishtuar! Ende nuk ka komente, por mund të jeni i pari që e komentoni këtë artikull.

Shkruaj një koment
Shiko të gjitha komentet

Shkruaj Koment

Hyrje

Fushat e patjetërsuara janë të shënuara me *

Nëse nuk jeni të regjistruar, atëherë klikoni Regjistro!

Para se të dërgoni komentin Tuaj ju lutemi që t’i përmbaheni rregullave të mëposhtme:

Mendimet e shprehura në komente janë opinione private të autorëve të komentit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e redaksisë së portalit informativ Titulli.

Gjithashtu lusim lexuesit e portalit Titulli që gjatë shkruarjes së komentit t’i përmbahen drejtshkrimit.

Redaksia mbanë të drejtën e mos aprovimit të komenteve me përmbajtje fyese, që janë vulgare, kërcënuese, raciste si dhe ato të cilat bëjnë thirrje në urrejtje etnike dhe nuk kontribuojnë në komunikim normal mes lexuesve të këtij portali.

Komentet që nuk kanë të bëjnë me temën dhe kanë përmbajtje të papërshtatshme rreth jetës private të personit në artikull, apo fyerje në autorët e tekstit si dhe anëtarët e redaksisë, nuk do të aprovohen.

Vërejtje: Për të dërguar komentin së pari duhet të regjistroheni me emrin (pseudonimin), me të cilin pas aprovimit nga redaksia, këtë emër unik (pseudonim) mund ta shfrytëzoni për dhënien e opinionit tuaj në hapësirën për komentim.