Kujtimi për mësuesin veteran, Latif Thaçi nga Bujanoci
Lokale

Kujtimi për mësuesin veteran, Latif Thaçi nga Bujanoci

07.Mar.2018 13:57
0
Para dy vitesh, pikërisht, në mars të vitit 2016, në prag të festës së Ditës së Mësuesit, në Bujanoc, ndërroi jetë për të mos vdekur kurrë Latif Thaçi, i cili në popull njihet si Mësuesi Latë.

I ndjeri, Latif Thaçi, dritë pastë, përveç si mësues, ishte edhe një burrë bujar e fisnik, një atdhetar i devotshëm, shtëpia e të cilit u vu në shërbim të organizimit të Referendumit të 1 e 2 Marsit 1992, për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës, pastaj edhe si shtëpi-shkollë për nxënësit e larguar nga Shkolla Fillore “Naim Frashëri”, që dikur mori emrin e dhunshëm “28 Marsi”, një nga datat më të kobshme për popullin shqiptar.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Ditën e Mësuesit, më 7 mars, duke kujtuar shëmbëlltyrën e Mësuesit Latë dhe misionin e tij të shenjtë, kujton gjithë veteranët e arsimit dhe personelin arsimor në përgjithësi për rrugën e përhapjes së mësimit shqip.

Në vijim po e japim të plotë portretin e Latif Thaçit, të publikuar në Revistën “Perspektiva”, nr. 202, të datës 26 mars 2016. Le ta kujtojmë për jetë e mot!)

KUR MËSUESI VDES, NË DITËN E MËSUESIT!

Dita e Mësuesit, në Shqipëri festohet, më 7 mars, në shenjë kujtimi për hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, në vitin 1878.
Mëngjesi i kësaj dite, të rëndësishme për shqiptarët, kudo që ndodhen ata nga Bujanoci e deri në Çamëri, e gjeti pa frymë mësuesin e popullit Latif Thaçin. Ai, ndërroi jetë, në ditën e festës së madhe të mësuesit.

Kujtimet

Latif Thaçi, i njohur në popull si Mësues Lata, ka punuar si mësues klasor nëpër disa vendbanime të Komunës së Dardanës, prej nga e kishte edhe origjinën.
Gjatë viteve të 70-ta, Mësues Lata, vendosi të vijë për të jetuar në Komunën e Bujanocit dhe plot 46 vjet dha një kontribut të çmueshëm në fushën e arsimit, kulturës e humanitetit.
Jo më pak se 32 vjet, punoi si mësues në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërnoc dhe në Shkollën Fillore “Naim Frashëri”, në Bujanoc.
Me Shkollën Fillore “Naim Frashëri”, në Bujanoc, të ndjerin, dritë pastë Mësuesin Latë e lidhin shumë kujtime sa të hidhura dhe aq krenare. Nëpër disa shkolla fillore të Dardanës, Kamenica e dikurshme, Mësuesin Latë, e ndiqnin si hije të zeza njerëzit e sigurimit shtetërorë, të cilin nuk e linin të punojë më shumë se 2-3 vjet, për shkak dyshimit se mund të krijoj rreth dhe të bëhet i rrezikshëm për vendin ku jetonte. Dora e zgjatur e sigurimit shtetëror, nuk e linte të qetë as në Bujanoc.

Peripecitë

Gjatë vitit 1992, Gjykata komunale e Bujanocit e dënoi Mësuesin Latë me 15 ditë burg në Vranjë, me akuzën se ka kundërshtuar ndërrimin e emrit të shkollës fillore nga “25 Maji” në “28 Mars”, datës më të kobshme të popullit shqiptar, datë që lidhej me shembjen e Autonomisë së Kosovës, me gjak e hekur, nga ish regjimi diktatorial i Millosheviqit. Gjithashtu, Mësuesin Latë e akuzonin se ka penguar fëmijët e tij, të shkojnë në një shkollë që mban emrin nga më të shpifur dhe kobzi të popullit shqiptar. Por, nuk ishin vetëm këto, që e bënin Mësuesin Latë, të jetë në shënjestër të regjimit të Beogradit.

Sakrifica

Pushteti i atëhershëm sllavo-komunist dhe ai pluralist, mbushën dosjen e këtij veprimtari të devotshëm, që nga shkollimi i tij në Prishtinë, si normalist, pastaj si mësues dhe i kryetar i Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nëna Tereze” në Bujanoc. Po ashtu i zihej për të madhe nga sigurimi shtetëror se ka pranuar jashtëligjshëm t’i bëhej shtëpia qendër e organizmit të Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1991, pastaj shtëpia e tij u shndërrua në një shtëpi - shkollë për nxënësit e përjashtuar nga objekti shkollor në Bujanoc e kështu me radhë.

Kapuçbardhi

Mësuesin Latë, që jemi mësuar ta shohim “Rrugës së Kosovës, me kapuç të bardhë mbi kokë, do të ndjejmë mall dhe dashuri. Mungesën e Latës me plis të bardh mbi kokë, e me mustakët burrëror, do ta ndjejmë edhe nëpër sheshet tona, shkollat, xhamitë, takimet e veteranëve të arsimit, në promovimet e librave, në shpërndarjen e ndihmave dhe faljen e gjaqeve etj-etj.
Por, Mësuesin Latë, do ta kemi në mendjet tona, në shpirt e zemër, si një njëri i mirë, si një mësues popullor, si një humanist i përkryer, e mbi të gjitha një atdhetar shembullor. Po si nuk e kujtojmë ne Mësuesin Latë, me qeleshe mbi kokë, ashtu të urtë, të buzëqeshur, të dashur e miqësor. Prania e tij në odat tona dhe në të gjitha proceset edukativo – arsimore, humanitare e veprimtari të tjera me interes shoqëror e kombëtarë, na bëjnë të ndihemi shumë krenarë, që e patëm e deshëm dhe e respektuam.

Mospërfillja

Për të gjitha këto kontribute autoritetet shqiptare të Komunës së Bujanocit, i dhanë Mësuesit Latë, vetëm një mirënjohje, duke e shpallur veteran të arsimit dhe hiç më shumë.
Pushtetet shqiptare në Bujanoc, nuk e panë të udhës, që këtij veprimtari të çmuar të çështjes shqiptare, t’ia punësojnë të paktën një djalë nga 5 sish, të cilët u detyruan të ikin nga Bujanoci, për të gjetur ndonjë vend pune në Kosovë dhe perëndim.
Kjo është arsyeja pse i ndjeri Mësuesi Latë, nuk pranoi që shoqja e tij, e vdekur para 3-4 muajsh, të varroset në Bujanoc, por në Gjilan, ku edhe, ai, e la amanet të përcillet për në banesën e fundit, më 9 mars 2016, për t’ia dërguar lulet e dhuratës për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të dashurës së tij.

Dita e varrimit

Për ta përcjell, në banesën e fundit, Mësuesin Latë, kishin ardhur miq e dashamirë të shumët, nga të gjitha anët e Kosovës dhe krahut të saj lindor: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Prania kaq shumë e njerëzve për ta nderuar Latif Thaçin, është treguesi më i mirë, se kemi pasur punë me një njeri të madh, të mirë dhe atdhetar. Fjalët mortore dhe pamjet e organizuar nga familjarët Thaçi, tregojnë biografinë e pasur, të këtij mësuesi, i cili la vepra të mira për t’i kujtuar për jetë të jetëve.

Mesazhi

Një filozof ka thënë: “Shpirtvegjël janë ata, që punën e mësuesit e konsiderojnë të vogël!”

Shkruar nga: Sevdail Hyseni-Bujanoc

"Dita e mësuesit- 7 Marsi" shënohet edhe në Bujanoc
Ymeri: Gjendja e arsimit në Luginën e Preshevës nuk dallon nga vitet e 90-ta
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration