Të rinjtë dhe të talentuarit largohen nga Ballkani Perëndimor
Lokale

Të rinjtë dhe të talentuarit largohen nga Ballkani Perëndimor

20.Dec.2017 13:57
0
UET Press promovoi librin "NË OPINIONIN TIM", me autore Valbona Zenelin, pedagoge në Marshall Center.

Libri shoqërohet me skica të djalit 12-vjeçar të autores dhe vjen me parathënie nga personalitete të shquara në fushën e sigurisë dhe gazetarisë në Europë. Me fokus kryesor çështje të Ballkanit dhe nevojën për integrim europian të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë, ekspertja e sigurisë, Valbona Zeneli, sjell librin e saj me 39 artikuj “NË OPINIONIN TIM…Çështje të sigurisë europiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor”, botim i UET Press.

Politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor shpesh ankohen se mendjet e tyre më të mira po largohen. Por ankohen pa ofruar ndonjë zgjidhje si ta rregullojnë këtë çështje.

Ankesa, por jo ide të reja. Çështjet që duhet të zgjidhen janë më se të qarta. Problemet janë të  lidhura me trajtimin e deficiteve të mëdha për qeverisjen e duhur dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Që është ekzaktësisht se si “të brendshmit”, domethënë atyre në pushtet, u intereson që gjendja të vazhdojë. Në fund të fundit, janë ata që shpesh përfitojnë nga kjo situatë.

Ideja se është vetë këmbëngulja e tyre për të ruajtur strukturat antidemokratike dhe të korruptuara të pushtetit, që zvogëlojnë shanset për një të ardhme më të mirë dhe nxisin largimin e të talentuarve (dhe atyre pa lidhjet e duhura politike) është e pakundërshtueshme, megjithëse shumë e vështirë për t’u besuar.

Kufizim i të rinjve?

Në vend që të përmirësojnë gjendjen e përgjithshme, një ide e diskutueshme është që të kufizohet lëvizshmëria e njerëzve më të talentuar. Megjithatë, jashtë rindërtimit të strukturave totalitare, kjo është thjesht e pamundur (fatmirësisht) në botën e sotme. Prova më bindëse vjen në formën e një eksperimenti: imagjinoni sikur lëvizja e të rinjve të kufizohet. Edhe sikur të ndodhte kjo, Ballkani Perëndimor nuk do të bëhej më i kualifikuar.

Nëse njerëzit ndalohen që të largohen, këta nuk do të fitonin aftësitë shtesë që do të duheshin për të avancuar ekonomitë e vendeve të tyre. Për më tepër, horizontet mendore të të rinjve tashmë janë zgjeruar dhe ata janë të etur të kërkojnë mundësi për të realizuar potencialin e tyre të plotë. Mungesa e mundësive në vend, i bën ata të largohen.

Studimet sugjerojnë se sa më i varfër vendi, aq më i lartë numri i shkencëtarëve (shpikësve) që shtyhen të largohen jashtë vendit. Një studim i fundit i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale tregon se përqindja e patentave teknologjike të prezantuara nga emigrantët është 98% në rastin e Shqipërisë (pra nga shqiptarët që kanë marrë patenta teknologjike, 98% e tyre janë emigrantë që jetojnë jashtë vendit). Këto shifra janë 75% për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe 71% për Serbinë.

“Rrjedhja e trurit” si një mundësi

Nga kjo perspektivë, rrjedhja e trurit mund të shihet edhe si një mundësi për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Sipas kësaj perspektive, emigracioni i kualifikuar shikohet si një investim, për t’u rieksportuar në periudhën afatgjatë në vendin e origjinës, me aftësi dhe njohuri të reja.

Megjithatë, në vend të ankimit me trishtim vetëm për “ikjen e trurit”, iniciativat për “thithjen e trurit” janë gjithnjë e më shumë të domosdoshme.

Hapësirat e mundshme të emigracionit qarkullues cilësor mund të kenë një rëndësi vërtet transformuese për zhvillimin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor. Por për fat të keq, ky debat nuk zhvillohet mjaftueshëm në rajon.

Ndoshta emigracioni nuk do duhej të konsiderohej si një problem për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Por do duhej të shihej si një mundësi, apo edhe një nxitje më e madhe për të reformuar qeveritë, strukturat politike, si edhe ato ekonomike.

Në të vërtetë, duke pasur parasysh normat e larta të papunësisë dhe mungesën e kapaciteteve të brendshme për të absorbuar fuqinë punëtore në rritje, liderët politikë të rajonit nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të jenë “mirënjohës” për emigrimin.

Aq më keq, ata më cinikët midis udhëheqësve të rajonit po e përdorin dhe keqpërdorin çështjen e emigrimit të popullsisë. Në fund të fundit, ata parapëlqejnë largimin e njerëzve të arsimuar. Për ata liderë jo vizionarë, kjo përkthehet në përfitime afatshkurta dhe në reduktimin e rrezikut të opozitës politike dhe të shoqërisë civile në vend, duke eksportuar kështu jashtë vendit kërkesat për transparencë dhe llogaridhënie.

Emigracioni si mbrojtje politike

Me fjalë të tjera, një shpërngulje e tillë jashtë vendit e të rinjve të arsimuar mund t’u duket liderëve të rajonit si çelësi për t’i mbajtur gjërat siç janë, dhe ruajtur status-quo. Më e keqja është se kjo gjë zvogëlon konkurrencën e ndershme në sektorin publik, si sektori më i madh i punësimit në vendet e rajonit.

Në vend që pozicionet në administratën publike t’u shkojnë njerëzve më të talentuar, atyre që vërtet mund të çojnë përpara vendin e tyre, këto pozicione të lakmuara shpërndahen në baza patronazhi politik apo ekonomik. Si rezultat, nuk është ai që është më i kualifikuari, që i merr këto vende, por ai që është më i ndërlidhuri. Dhe në afatgjatë, humbja e aftësive është duke e privuar rajonin nga faktorët e tij më të rëndësishëm për transformimin e tij demokratik dhe socialo-ekonomik. Një zgjidhje me dy hapa. Në rrjedhën e diskutimit të mësipërm, për të arritur një progres domethënës, qeveritë e Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme të përqendrohen tek:

  1. Forcimi i institucioneve dhe politikave ekonomike për të krijuar mjedisin që i inkurajon qytetarët të qëndrojnë në vendin e tyre.
  2. Promovimi i kthimit të emigrantëve dhe thithjes së trurit, përmes politikave dhe strategjive të fokusuara, e jo thjesht me “thirrje”.

Kjo është e vetmja mënyrë me anë të së cilës të mund të shmangen rreziku i qartë dhe i pranishëm i emigrimit të të rinjve, dhe konvergjenca shumë e ngadaltë e të ardhurave të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor me vendet perëndimore, dy koncepte që përforcojnë reciprokisht njëri-tjetrin.

*Fragment nga libri

Valbona Zeneli

BDL dhe Nisma e re për Preshevën: Program zhvillimorë në arsim, shëndetësi dhe kulturë (video)
Programi i Memetit: Stabilitet politik, zhvillim agro blegtorisë dhe arsim cilësorë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration