PVD:  Pas 26 viteve të luftës politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, akoma përballemi me sfida
Lokale

PVD: Pas 26 viteve të luftës politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, akoma përballemi me sfida

22.Aug.2016 10:39
0
Partia Për Veprim Demokratik ka lëshuar një deklaratë për opinion me rastin e 26 vjetorit të kësaj partie dhe funksionimit politik.

“Në këto 26 vite të luftës politike të PVD-së, për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive, shqiptarët e këtij rajoni u ballafaquan me sfida ekzistenciale në kushte të diskriminimit shtetërorë dhe shkatërrimit të përgjakshëm të ish Jugosllavisë, e posaçërisht gjatë luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e PVD-së.

Më tej thuhet ne deklaratë se angazhimi themelorë i PVD-së në këto rrethana të jashtëzakonshme, i kompletuar me veprimtarinë e pushtetit lokal në Preshevë, të deputetëve në parlamentin qendrorë dhe të këshilltarëve të saj në Bujanoc dhe Medvegjë, ishte i orientuar në mbrojtjen e substancës kombëtare të rrezikuar më shumë se asnjë herë në historinë e Luginës së Preshevës.

PVD ka akuzuar Partinë Demokratike Shqiptare që udhëhiqet nga Ragmi Mustafa se kanë penguar kyçjen e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore dhe ka se PDSH ka bërë përçarjen e faktorit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës, shkruan Titulli.com.

Riza Halimi, kryetar i PVD-së ka përmenduar edhe takimin me mandatarin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit,Aleksandër Vuçiq që sipas tij  delegacioni i PVD-së insistoi në realizimin e programit qeveritarë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e posaçërisht në çështjen e përfaqësimit propocional të shqiptarëve në organet shtetërore, çështje këto të cilat në mënyrë efikase do të realizoheshin nëse udhëheqja e Trupit Koordinues i besohet në formë adekuate kuadrove shqiptare, transmeton Titulli.com.

“Është e njohur se mandatari i dha përkrahje kërkesave tona, andaj mbetet që ai si Kryetar i Qeverisë t’i realizojë qëndrimet e paraqitura në deklaratën e tij publike me këtë rast. Nëse realizohet kjo deklaratë e kryetarit Vuçiq, qeveria serbe do të bënte kthesë të rëndësishme pozitive në qasjen e saj ndaj Luginës së Preshevës dhe në përgjithësi ndaj pozitës së shqiptarëve në Serbi”, theksoi Halimi./Titulli.com/

 

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PVD-së

 

Më 19 gusht 1990, filloi aktivitetin e vet Partia për Veprim Demokratik, si parti e parë dhe e vetme që arriti t’i tubojë në organizim të pavarur politik, shqiptarët në tërë hapësirën e Luginës së Preshevës, gjithashtu edhe në diasporën tonë në Zvicër dhe Gjermani. Në këto 26 vite të luftës politike të PVD-së, për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive, shqiptarët e këtij rajoni u ballafaquan me sfida egzistenciale në kushte të diksriminimit shtetërorë dhe shkatërrimit të përgjakshëm të ish Jugosllavisë, e posaçërisht gjatë luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës. Angazhimi themelorë i PVD-së në këto rrethana të jashtëzakonshme, i kompletuar me veprimtarinë e pushtetit lokal në Preshevë, të deputetëve në parlamentin qendrorë dhe të këshilltarëve të saj në Bujanoc dhe Medvegjë, ishte i orientuar në mbrojtjen e substancës kombëtare të rrezikuar më shumë se asnjë herë në historinë e Luginës së Preshevës.

Deri ne vitin 2001, kur u përmbyllën luftërat dhe gjendjet e jashtëzakonshme, PVD me rivalin e sajë PDSH-në kishte mosmarrëveshje të kohëpaskohshme mirëpo për çështjet më të rëndësishme rregullisht arrihej uniteti, kur duhej edhe me ndihmën e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqipëtare në ish Jugosllavi. Prej fillimit të pregaditjeve të zgjedhjeve lokale të vitit 2002 filloi procesi i dëmshëm i parcializimit të skajshëm të spektrit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në stimulimin e përçarjeve brenda këtij spektri politik rol të veçant pati udhëheqja e Trupit Koordinues të Qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke e zhvendosur në plan të dytë realizimin e programit qeveritar për zgjidhjen e krizës në Luginë, për çka ishte edhe themeluar fillimisht. Tani më e kemi të njohur se ky program i qeverisë serbe në pjesën më të madhe mbeti i parealizuar, sikur që nuk filluan të zbatohet marrëveshja për rikonstruimin e Trupit Koordinues, e marsit të vitit 2009 si dhe plani shtatë pikësh i qershorit të vitit 2013.

Kulminacioni i absurdit të përçarjeve ne Luginë të Preshevës u arrit në prillin e vitit 2009 kur PDSH e prishi koalicionin qeverisës me PVD-në në Preshevë për shkak të mospranimit dhe mos njohjes së Trupit Koordinues të reformuar, që parashihte kyçjen proporcionale të shqiptarëve në organet shtetërore, e për t’u angazhar menjëherë pas këtij akti degradues vetë kryetari i PDSH-së si kryetar komune në rolin e nënkryetarit të Trupit Koordinues, i cili për këto shkaqe mbeti i pareformuar. Në këtë drejtim patjetër nevoitet të potencohet fakti se reformimin e Trupit Koordinues dhe kyçjen adekuate të shqipëtarëve në udhëheqjen e tij e kërkonin OSBE dhe posaçërisht ambasadorët e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Andaj është shumë e qartë se qeveria e atëhershme e Serbisë në mënyrë perfide e shfrytëzoi këtë qëndrim destruktiv të udhëheqjes së PDSH-së për t`a margjinalizuar këtë marrëveshje dhe për t`u liruar nga obligimet që ishin të parapara me te.

Strukturat shtetërore në Serbi rregullisht i shfrytëzuan gabimet e rënda të një pjese të spektrit politik në Luginë të Preshevës, e posaçërisht praktikën e bojkotimeve të zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve për Këshill Nacional. Edhe pse përfaqësuesit qeveritar publikisht gjithnjë i kishin akuzuar shqiptarët për praktikën e bojkotimeve, në fakt ata rregullisht i stimulonin bojkotuesit si në procesin e privatizimit plaçkitës të ndërmarrjeve ekonomike, poashtu edhe gjatë ndërtimit të koalicioneve qeverisëse në pushtetet lokale. Shembulli më drastik ishte ndërtimi i koalicionit qeverisës në Bujanoc pas zgjedhjeve të viti 2012, kur partitë politike që udhëhiqnin me qeverinë e Serbisë nuk pranuan koalicionin qeverisës me tri partitë politike shqiptare, PVD, UDSH dhe LPD, që kishin siguruar një mandat në parlamentin qendrorë, duke i dhënë përparësi koalicionit me PD që kishte 6 këshilltarë më pak dhe njëkohësisht kishte bojkotuar zgjedhjet parlamentare!

Pas tetë viteve të bojkotit të përgjithshëm, me pjesëmarrjen në zgjedhje vetëm nga ana e PVD-së dhe UDSH-së në vitin 2010 u themelua Këshilli Nacional i Shqipëtarëve, i cili filloi procesin e zgjidhjes së problemit shumë të ndieshëm, atë të sigurimit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe. Në mandatin e parë zgjedhorë të KNSH-së ishte arritur që në procedurë ligjore të lejohet përdorimi i një numri të teksteve mësimore të botuara në Shqipëri, por ishin siguruar edhe disa tekste të përkthyera në mënyrë profesionale sikur që u botuan edhe tekste origjinale nga matematika të autorit nga Presheva.

Mjerisht në mandatin e dytë të KNSH-së, kur shumicën e siguruan bojkotuesit e mëparshëm, u ndërprenë këto aktivitetet shumë të rëndësishme dhe KNSH u orientua vetëm në kartën e sigurimit të teksteve mësimore nga Kosova, tentativë kjo që dështoi dhe krijoi një vakum të rrezikshëm në shkollat shqipe në Luginë. Pas këtij dështimi pasuan veprimet e pamatura. Në fillim u refuzua kategorikisht, e më pas pa menduar fare u nënshkrua marrëveshja e KNSH-së me Ministrinë e Arsimit në Beograd për përkthimin e teksteve mësimore vetëm për shkollat fillore në gjuhën shqipe, e cila këto ditë po kontestohet njëanshëm nga KNSH.

Është e qartë se kemi të bëjmë me çështje shumë të rëndësishme me ndjeshmëri të jashtëzakonshme, që kërkon zgjidhje urgjente. Mirëpo në këtë drejtim është e domosdoshme të sigurohet qasje serioze dhe profesionale, që nënkupton eliminimin e të gjitha kalkulimeve dhe manipulimeve të deritanishme politike.

Në rrethanat aktuale është shumë e qartë se vazhdon të jetë me rëndësi të posaçme realizimi i objektivave themelore të programit të PVD-së të parashturara para 26 viteve. PVD ishte themeluar në kushte të diskriminimit të rëndë dhe dhunës shtetërore gjatë regjimit të Millosheviqit, që e kishte degraduar skajshmërisht pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Pas luftrave të përgjakshme edhe në rajonin tonë kishte angazhim të donatorëve ndërkombëtarë, që ishin të koordinuar me qeverinë e formuar pas tetorit të vitit 2000. Në anën tjetër parlamenti i Serbisë në ndër kohë kishte aprovuar shumë ligje të harmonizuara me legjislacionin europian. Mirëpo, edhe përskaj këtyre fakteve në Luginë të Preshevës, ende nuk është riparuar pjesa më e madhe e dëmeve të rënda të shkaktuara në atë kohë. Nëse shtojmë edhe faktin se kohët e fundit po paraqiten gjithnjë e më tepër kërkesa brengosëse për rehabilitimin e Millosheviqit është shumë ë qartë se programi dhe përvoja e PVD-së janë shumë të rëndësishme për Luginën e Preshevës. Andaj edhe nuk është e rastit që edhe pas zgjedhjeve të fundit PVD, si e vetmja parti rajonale, është pjesë substanciale e koalicioneve qeverisëse në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, sikur që njëkohësisht arriti të sigurojë një përfaqësues legjitim në parlamentin qendrorë.

Në takimin me mandatarin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit, delegacioni i PVD-së insistoi në realizimin e programit qeveritarë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e posaçërisht në çështjen e përfaqësimit propocional të shqiptarëve në organet shtetërore, çështje këto të cilat në mënyrë efikase do të realizoheshin nëse udhëheqja e Trupit Koordinues i besohet në formë adekuate kuadrove shqiptare. Është e njohur se mandatari i dha përkrahje kërkesave tona, andaj mbetet që ai si Kryetar i Qeverisë t’i realizojë qëndrimet e paraqitura në deklaratën e tij publike me këtë rast. Nëse realizohet kjo deklaratë e kryetarit Vuçiq, qeveria serbe do të bënte kthesë të rëndësishme pozitive në qasjen e saj ndaj Luginës së Preshevës dhe në përgjithësi ndaj pozitës së shqiptarëve në Serbi.

Riza Halimi, Kryetar i PVD-së

Sos fshati i fëmijëve Serbi, ka shpallur konkurs për një bashkëpunëtorë në Bujanoc
Bujanoc: Po ikin mërgimtarët!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration