Bujanoc: Kukavajka opozitare-vaj i qyqes në bregore!
Lokale

Bujanoc: Kukavajka opozitare-vaj i qyqes në bregore!

06.Aug.2016 14:07
0
Subjektet opozitare, në Luginë të Preshevës, nuk po i përmbahen qëndrimeve të tyre partiake, të deklaruara pas rezultatit të zgjedhjeve, se do të jenë konstruktive, karshi qeverisjeve të reja lokale.

Pa u mbushur akoma 100 ditë nga konstituimi i kuvendeve komunale në Bujanoc dhe Preshevë, zëri i opozitës sa vjen e bëhet më i thekshëm, më i vrazhdë, madje edhe më banal. Më të zëshmet në skenën politike paraqiten Partia Demokratike e Nagip Arifit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës, të cilat nuk po pajtohen me humbjen e pushtetit dhe assesi nuk po munden të adaptohen me jetën opozitare.

Këto dy parti opozitare i kanë ngarkuar vetes si mision luftën propagandistike, duke krijuar rrëmujë nëpër seancat kuvendore dhe duke shkaktuar turbulenca në jetën mediale. Ky stil i veprimit të tyre politik, nuk dallon shumë nga, ai, i mëparshmi institucional. Veprimet e tilla nuk do t’i provokojnë pushtetet aktuale, për të rënë në revanshizëm provincial, ashtu siç kanë vepruar ata vet para katër vjetësh.

Për dallim nga Presheva, në Bujanoc, ata që nuk i ka lënë kujtesa e mbajnë mend mirë se me çfarë fshese politike erdhi në pushtet partia e Nagip Arifit. Kjo parti e ndihmuar nga partnerët qeverisës, shkarkoi gjashtë muaj, para skadimit të mandatit, drejtorët e ndërmarrjeve publike me diagnozën për keq-menaxhim, keq-përdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim të parasë publike.

Jo vetëm kaq! Pushteti i mandatit të kaluar, gjithashtu, inicio proceduara penale kundër funksionerëve rivalë, disa prej të cilëve edhe pas katër vjetësh sorollaten nëpër korridoret e gjykatave komunale. Në këtë drejtim e pësuan keq edhe punëtorët me kontrata, të cilët fluturuan nga puna, për tu zëvendësuar me militantë partiak të pushtetit në fuqi.

Ka edhe më keq...

Opozita në Bujanoc dhe Preshevë, ankohet se aktivistët e saj janë vënë para fshesës politike e disa nga funksionerët, madje nuk kanë kompjuterë dhe punojnë në grupe nëpër zyre. Të njëjtit, sikur kanë harruar fushatën e spastrimeve, të cilën e udhëhoqën në mënyrën më primitive, ata lëre që i lanë kundërshtarët politikë pa punë, por shkuan edhe më larg, duke i gjobitur me fatura të fryra komunalie e madje duke ua ndërprerë edhe ujin e pijes e duke ua hedhur mbeturinat e qytetit deri te pragu i derës.

Këto shembuj nga më ekstremët të ish pushtetit komunal në Bujanoc, duhet të shërbejnë si mësim i mirë për aktivistët e opozitës, të cilët duhet të heshtin e mos të bien pre e nxitjeve të shefave të tyre partiak. Ata edhe pas ndërrimeve të pushteteve, kurrë nuk kanë ngelë pa punë, duke llogaritur edhe pushtete e mëhershme të epokës së komunizmit. Bile, veprimtarët e opozitës, duhet të mendojnë mirë e të largohen nga ata që i kanë ndërsyer në afera skandaloze për favore politike. Të largohen një orë më parë, për t’i lënë ata të vetëm, ngase politika e tyre miope, korruptive dhe shantazhuese, i dha një imazh të keq Bujanocit, i cili edhe sot skuqet nga turpi prej atyre, që e udhëhoqën keq, njëanshëm dhe me prapavijë.

Përvoja e hidhur

Ditë jo të këndshme, po vijnë për opozitarët. Formimi i Qeverisë në Beograd, më 11 gusht, do të përshpejtoj proceset e riorganizimit të Trupit Koordinues, i cili me fanatizëm i shkoi për lale ish pushteteve komunale. Çdo ndryshim eventual në kreun udhëheqës të këtij institucioni të lartë shtetëror, do të favorizonte pushtetet aktuale për të bërë ndryshime edhe në Këshillin Nacional. Kështu që, përvoja e hidhur e ish qeverisjeve komunale në Bujanoc dhe Preshevës, nuk i lë njerëzit e ndërgjegjshëm për të shkuar rrugës së tyre pa krye, pa vizion dhe pa perspektivë.

Rinia e partive opozitare, duhet të jetë e vëmendshme për zërin melankolik të kukuvajkave dhe qyqeve në bregore, të cilat ndjellin kob me lotët e krokodilit, për t’i mbajtur ata rreth vetes artificialisht dhe për t’u ngjallur tek ata fobinë nga pushtetet e dala prej votës së popullit.

Për të rinjtë, të cilët kanë vendosur të merren me politikë dhe të jetojnë nga ajo, ua kemi servirur një poezi të huazuar e cila, meriton të mësohet përmendësh dhe të jetë një udhërrëfyes në misionin e tyre politik.

 Shkruar nga Sevdail Hyseni: “Perspektiva”, në Bujanoc

Bujanoc: Amerika dhe Lugina e Preshevës të lidhura përmes kulturës shqiptare (foto&video)
Yusra Mardini dikur refugjate në Preshevë, sot fitojë garën në RIO
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration