Reportazh: Rruga (e dikurshme) e gurbetit të një familje preshevare (foto)
Lokale

Reportazh: Rruga (e dikurshme) e gurbetit të një familje preshevare (foto)

15.Jul.2016 00:12
0
Hallakamë në familje, po e ngarkojmë kerrin për t'u nisur. Në fillim kishim një Ford Capri -babës i pëlqenin kerret e sportit- i vogël për krejt familje: kishte vetëm tri ulëse mbrapa. Et si t'na zinte gjithëve, ne, të gjashtë fëmijët? S'ka nevojë me pas pesëshe në matematikë për ta kuptuar se nuk ishte e mundur të hypnim të gjithë bashkë!

Disa shkonin te kerri i tezës me të cilën udhëtonim bashkë, për çdo rast – një problem teknik, një ndeshje, kurrë nuk dihet. Asnjëri prej nesh nuk kishte shumë dëshirë të shkojë në kerrin e tezës dhe të burrit të tezës (asokohe nuk kishin ende fëmijë), sepse duhet ndejur urtë, dëgjuar ata dhe kështu të përshendetëshim me lojën e pickimit. Përndryshe, atje në Capri-n e kaltër metalike, zhvillohej beteja më e heshtura dhe më mizore e historisë: pickoheshim pa guxuar të bërtasim, të qajmë, ta kthejmë me dhunë, sepse baba vëzhgonte - me shikimin e tij të rreptë në pasqyrë. O Zot, sa ishte i aftë edhe të vozis edhe, njëkohësisht, të përcjell çka bënim ne. Ai mund të tregohej shumë i shkathtë për t’na dhënë ndonjë flakareshë, ose së paku të provoj, sepse ne iu shmangeshim sikurse bokseri i shmanget goditjes së kundërshtarit të tij.

Posa e ngarkonimin kerrin, u nisnim. Mos të harroj të përmendi dyshekun që e mbushnim me tesha që ne, jo të pasurit, do t'i a çonim më pak të pasurit, ashtu mendonim, në vendlindje. Dhe hypin mbi dyshekë. Disa vite më vonë kur filluam të ndërtojmë shtëpinë në Preshevë, bartnim në remorkio, mobilje dhe gjëra të tjera për ta veshur atë. Në kthim nga pushimi, bostanet dhe specat zëvendësonin mobiljet. “Keni diçka për të deklaruar? “ pyetnin doganierët, baba përgjigjej “Fëmijë, bostanë dhe speca” , dhe qeshte. Edhe doganieri qeshte, ndonjëhere, kur ishte i mirë.

Pas Belgjikës, mbërrinim në Aachen, pas shumë vite e kam kuptuar se në frëngjisht quhej Aix-la-Chapelle. Fillonte atëherë udhëtimi i gjatë në autostradet e Gjermanisë. “Ausfahrt”, dalje, ne nuk dilnim, shkonim drejtë, sikur sot me Google Maps nga A në B, nga Namyri në Preshevë. Mendoja se ku shpienin këto “Ausfahrt” që defilon djathtas autostradës në në një ritëm të rregullt. Rrugës takonim kamioneta të shumta të stërngarkuara, familje turke, kurdë, të cilët ktheheshin në vendin e tyre për pushime, dukeshin edhe më të mjerë se ne. 

Pastaj vinte Austria, kujdes kalim drerash, baba na tregon se si njëhere e kishte goditur një nga këto kafshët e bukura - neve nuk po na kujtohet, e pastaj Viena. S'kishte turizëm. Tek pas dhjetë vitesh e vizitova përnjëmend këtë qytet. Baba, që vdiste për gjumë, kaloj semaforin në të kuqe. Një policë i dhunshëm ia drejtoj revolën dhe e tërheqi nga jaka e këmishës. Ne fëmijët, të tmerruar, mbrapa,  qanim dhe dridheshim nga frika. Kjo frikë nga policia (dhe nga ushtria) nuk m'u hoq gjatë shumë viteve , ajo u rrit me luftën në Kosovë. Një vit, kishim vendosur të kalojmë kah Hungaria komuniste. Në kufij, i treguam pasaportat tona jugosllave, po sikur të dhënat e tona mos i mjaftonin, policët na kërkonin emrat e gjysheve tona (nga nëna, nga baba?)...Po çka lypnin ato këtu? Kerri jonë me targa belge kalonte nëpër Budapest (s'kam asnjë kujtim, përmes Budës apo përmes Pestit?”), në drejtim të Jugosllavisë. Gjatë  këty dy ditëve të stërlodhshme udhëtimi, bota e nanës përmbledhej në : shurra, uturaku, pelena, baba. Sepse në vitet e para te gurbetit, ne ishim dy vajza, e treta rritej në bark. Nana kujdesej për shoferin, babanë tonë, duke i bërë muhabet që mos ta zërë gjumi, duke ia dhezur cigarën dhe duke i shërbyer kafe nga termosi. S'vinte në shprehje të ndaleshim për kafe në ndonjë pompë benzini: s'kishim kohë për të humbur, s'kishim para për të harxhuar. Herë pas herë, nana kthehej kah ne për me na dhënë një copë mollë apo për me na thënë –“ Shuni, baba është i lodhur.”

Për të pushuar, më në fund, u ndalnim në një parking, buzë rrugës. Flinim në qiell të hapur, e linim babës kerrin, ulëset, sepse të nesërmen, do ta vazhdonim rrugën, do ta kalonim Jugosllavinë! Sa e madhe ishte Jugosllavia, pa mbarim – Sllovenia, Kroacia e pastaj Serbia. Ishte veç më nxehtë, por ja, ishim në “vendin tonë”, në jug. Po mbërrinim. Në ulësen mbrapa, përlaheshim për  stripat belg « Bob et Bobette » që i lexonim për të njëqind herë. Qeshnim me hajgaret tona palidhje të kalamjeve të lodhur. S'donim më as të pickohemi. E dinim që ishte fundi i udhëtimit kur e shihnim shenjën “Vranje”, sepse aty do të laheshim në Banjën e njohur të këtij qyteti për ta hequr tërë pisllëkun e kësaj rruge të gjatë. Do të behëshim të bukur, do të na vinte era mirë, edhe nëse do të na dhimbte trupi edhe disa ditë. Sidomos babës që ishte gjithnjë i tendosur në timon, dhe nënës që kujdesej për pjellën dhe për burrin e saj. Në Vranjë do të pinim “bozë”,  pije osmane e bërë nga drithërat. Pastaj hipnim prapë në kerr ku era e vezëvë të ziera, të kofshëve të pulës dhe të kafës e bënin ajrin të padurueshëm - “jo, jo dy xhamat çelë, promaja”.

Kishin mbet edhe disa kilometra, të fundit. Dhe më në fund baba drejtohej kah dalja, “izlaz” kësaj herë, në drejtim të Preshevës. Na pritnin axhallarët dhe gratë e axhallarëve, kusherinjtë. E çanim dyshekun , por jo në prani të tyre, për t'i nxjerr “dhuratat”.

Fillonin  atëherë pushime të thjeshta, me familjen, në shqip. Të huaj në vendin ku nuk u rritnim, të huaj në Belgjikë, do të ktheheshim, përmes të së njejtës rrugë, në fund të pushimeve. Dhe nana do të këndonte, në shqip, për qejfin e babës, dhe për qejfin tonë. Por ajo edhe qante, sikur atëhere, kur patëm një ndeshje. Kerri mori flakë, por fatmirësisht kishim dalë të gjithë, pa ndonjë plagë, por nana nuk e shihte vëllain, bërtiste: “Djali!”. Ai ishte më i vogli,  pas pesë vajzave,  siç e do tradita. Kjo është një nga imazhet që mbajë në kujtesë nga ajo kohë. Vëllai im, Belgzimi, i vogël, që shikon nanën që e kërkon, kur ajo e ka atë para vete. Autostrada e pushimeve ishte autostrada e emocioneve, e lumturisë, e bashkimit, e lamtumirës. E familjës. Dhe e padurimit.

Shkruar nga: Nerimane Kamberi

Reportazhi është botuar në portalin frankofon për Ballkan,“Courrier des Balkans”: http://www.courrierdesbalkans.fr

Kryetari i Preshevës Arifi: Bojkotimi i regjistrimit të popullatës jo i drejtë (video)
Prezantohet Autostrada e tretë kosovare, Prishtinë-Gjilan-Konçul
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration