Stevanoviq: Serbia ka një ekonomi më të mirë, për Bujanoc e Preshevë duhet punë e përbashkët (video)
Lokale

Stevanoviq: Serbia ka një ekonomi më të mirë, për Bujanoc e Preshevë duhet punë e përbashkët (video)

01.Apr.2016 10:30
0
Në një intervistë ekskluzive për Portalin Informativ Titulli.com Dragan Stevanoviq, sekretar shtetëror pranë Ministrisë së Ekonomisë në qeverinë e Serbisë, thotë se nuk di për një përvojë të atillë që shteti ka penguar privatizimin e ndërmarrjeve nga ana e shqiptarëve.

Në këtë intervistë Stevanoviq flet për gjendjen ekonomike në Serbi, në veçanti në komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, për privatizimin e ndërmarrjeve, bashkëpunimin me këto komuna, si dhe për interesimin e investitorëve të huaj për këtë rajon.

Ai gjithashtu thekson edhe mbështetjen që ofron Ministria e ekonomisë për pushtetet lokale dhe ndërmarrësit në drejtim të zhvillimit ekonomik.

 

Si e vlerësoni gjendjen ekonomike në jug të Serbisë?

Dragan Stevanoviq: Gjendja ekonomike është më e mirë se para dy viteve, duke marrë parasysh që gjendja ekonomike është më e mirë në tërë Serbinë, e këtë e tregojnë statistikat dhe të dhënat që të gjithë i shohin dhe i dëgjojnë. Shteti ka arritur që të bëjë konsolidimin fiskal dhe të zvogëlojë deficitin, të shtojë shkallën e punësimit, gjegjësisht të zvogëlojë papunësinë. Kjo natyrisht nuk mund të fshihet, nuk mund të mos e vëreni këtë. Në anën tjetër kur flasim për jugun e Serbisë, këtu me të vërtetë na presin edhe shumë punë. Më duket që asnjë qeveri, sikur qeveria aktuale nuk është e përkushtuar ndaj jugut të Serbisë, në veçanti ndaj Rrethit të Pçinjës. Mendoj që me nivelin e mjeteve që kemi ndarë nëpërmjet programeve dhe linjave të ndryshme për këtë rreth, kemi treguar që këtu gjërat me të vërtetë po ndryshojnë. Për infrastrukturën rrugore asnjëherë më shpejtë e më shumë nuk është punuar se sa këto dy vite. Pritet që kjo të përmbyllet për periudhën e ardhshme njëvjeçare, që natyrisht për ne në jug të Serbisë do të ndryshojë e do të avancohet edhe ekonomia edhe çdo sferë e jetës. Natyrisht nuk është krejt çështja tek qeveria, diçka është edhe tek ne Në nivel lokal ne duhet të ndryshojmë shprehitë tona, duhet që shumë më tepër t’i përkushtohemi gjërave që do të thonë jetë për neve. Kjo është natyrisht ekonomia. Duhet që jetën ekonomike ta ndajmë nga ambiciet tona politike, nga moskuptimet tona politike, dhe si pjesëmarrës të jetës publike të jemi në mënyrë absolute në shërbim të atyre që e krijojnë ambientin ekonomik këtu në jug të Serbisë.

Cili është bashkëpunimi i ministrisë suaj me pushtetet lokale në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë?

Dragan Stevanoviq: Bashkëpunimi i ministrisë sonë me këto komuna në dy vitet e kaluara, por edhe në periudhën e ardhshme do të jetë ekskluzivisht në dy segmente. Segmenti i parë është mbështetja projekteve infrastrukturore në fushën e infrastrukturës afariste. Këtë vit do të financojmë ndërtimin e infrastrukturës në komunën e Preshevës në vlerë dhjetë milionë dinarë. Komuna e Preshevës i ka fituar këto mjete në vitin e kaluar, tani në rrjedhë e sipër është shpallja e thirrjes publike në mënyrë që në zonën industriale Çukarkë në Preshevë punët të fillojnë me sezonin e ndërtimtarisë dhe të përfundojnë këtë vit. Sa i përket komunës së Bujanocit lidhur me këtë çështje, ata kanë aplikuar, por mendoj që nuk kanë plotësuar kushtet nga kriteret. Me ministrin Sertiq kemi vizituar komunën e Bujanocit, me këtë rast kemi biseduar me udhëheqësinë lokale, dhe kemi shprehur dëshirën dhe vendosmërinë tonë të mbështesim këtë projekt, pa marr parasysh faktin që ka pasur vlerën mbi 100 milionë dinarë. Pushteti lokal ka financuar projektin dhe e ka përfunduar, dhe faktikisht kanë aplikuar që ministria t’i rimbursojë mjetet, por me program dhe me ligj nuk kemi mundur ta bëjmë këtë. Për fat të keq Bujanoci, edhe përkundër dëshirës sonë, ka mbetur pa këto mjete. Natyrisht, këtë vit përsëri është shpallur konkursi. Do të shohim, nëse komunat e jugut të Serbisë kanë aplikuar, para së gjithash Presheva dhe Bujanoci, unë jam i gatshëm t’i mbështesë, nëse edhe njëra edhe komuna tjetër kanë projekte që i plotësojnë kushtet e parapara me rregullore dhe program.

Në anën tjetër, ekzistojnë disa bisedime me investitorë që ndoshta janë të interesuar për një investim greenfield në Preshevë. Ende është herët të flasim për cilën fabrikë dhe për çfarë prodhimi bëhet fjalë, por vetëm kemi filluar disa biseda.

Problem këtu janë edhe shumë ndërmarrje që janë në portfel, respektivisht që tani janë nën kompetenca të Agjencisë për falimentim, gjegjësisht Drejtoratit për pronë të Republikës së Serbisë. Për fat të keq këtu kemi probleme të mëdha sepse vlerësimet e këtyre objekteve dhe kësaj pasurie janë plotësisht irracional, nuk i përgjigjen realitetit, nuk përkojnë me gjendjen në terren, dhe në të ardhmen duhet që seriozisht të merremi me këtë çështje që këto prona të mund që në një mënyrë adekuate t’i vëmë në dispozicion investitorëve të interesuar.

E dimë që deri më tani nuk ka investime të huaja në këto komuna. A ka pasur deri më tani investitorë të interesuar?

Dragan Stevanoviq: Krejt që ka të bëjë me shtetin, ne e kemi bërë. Sot kur mendoni Preshevën dhe Bujanocin nuk mund ta ndani as nga Surdulica, as nga komunat tjera në Serbi ku nuk ka pasur investitorë të huaj. Në njërën anë keni dëshirën dhe vullnetin e investitorëve, nuk mundemi që t’i obligojmë në cilin vend dhe si t’i investojnë mjetet e tyre. Në anën tjetër pasqyra që pushtetet lokale e dërgojnë për komunat e tyre, i tërheq, apo i nxit të investojnë në këto komuna. Mendoj që programe të ndryshme ka ofruar edhe shteti, respektivisht Ministria e ekonomisë në njërën anë, dhe Trupi Koordinues në anën tjetër, i cili investitorëve, gjegjësisht ndërmarrësve në këto dy komuna i ka ofruar mjete. Mirëpo, cili është problemi kryesor, pse asnjë investitor i madh e serioz nuk ka shprehur dëshirën të vijë në Preshevë, në Bujanoc, apo në një komunë të tretë, kjo megjithatë nuk është çështje për Ministrinë e ekonomisë. Ne jemi të hapur, nën kushte të njëjta trajtojmë investitorët në cilëndo komunë. Nëse vjen në komunat me status si Bujanoci dhe Presheva, është shumë më thjeshtë dhe më volitshëm. Por në të ardhmen duhet që të gjithë së bashku të punojmë shumë më tepër që të promovojmë edhe Bujanocin edhe Preshevën edhe Medvegjën, si edhe gjithë komunat tjera në Rrethin e Pçinjës dhe të Jabllanicës. Mendoj se kemi lokacion të mirë, pozita strategjike është e mirë, të dyja komunat gjenden në Korridorin 10, aty është Maqedonia, afër është Bullgaria, aty është edhe porti në Greqi. Mendoj që bashkërisht duhet të punojmë pak më tepër, që të përpiqemi, dhe rezultatet nuk do të mungojnë.

Çfarë mendoni për privatizimin në këto komuna?

Dragan Stevanoviq: Përvoja është shumë e keqe. Këtë e kam dëgjuar nga kryetarët e dyja komunave. Disa privatizime nuk kanë pasur sukses, disa privatizime janë anuluar. Pronat të cilat, siç thash më herët, kanë kaluar nën kompetenca të Drejtoratit për pronë, sot paraqesin barrë serioze edhe për R. Serbisë, edhe për buxhetin e komunës së Bujanocit, sepse prona, toka, objektet nuk janë në funksion. E kjo që nuk janë në funksion krijon disa obligime. Këto obligime objektivisht janë shpenzime të buxhetit të pushtetit lokal apo R. Serbisë. Pastaj, ka kaluar kohë e gjatë dhe askush nuk është marrë me këto prona, me këto ndërmarrje të shkatërruara. Sot për fat të keq, gjendemi në kohën e blerësve, e jo në kohën e shitësve. Atë që ju dhe unë do të kishim dëshiruar ta shesim për një apo dy milion euro, sot është dikush i gatshëm të ofrojë 100 apo 200 mijë euro, sepse ajo aq në të vërtetë vlen. Por kjo është diçka që duhet pranuar si realitet. Ekziston një ide, që të përpiqemi të bisedojmë lidhur me standardet nacionale më anë të cilëve kemi në dispozicion masën falimentuese dhe të provojmë që mekanizmat e shitjes dhe posedimin e këtyre kësaj mase t’i relaksojmë, t’i thjeshtësojmë, që sa më shpejtë dhe efikas të shesim këto prona. Pajisjet nëse ekzistojnë, ndërtesat, toka, t’i vihet në dispozicion investitorëve që ata të nisin punën këtu.

Cili është komenti juaj rreth pohimeve të disa liderëve politik shqiptar që shteti nuk ka lejuar që disa ndërmarrje të privatizohen nga ana e shqiptarëve?

Dragan Stevanoviq: Unë për përvoja të këtilla nuk di. Unë mund të flas për shtetin për këto dy vitet e kaluara. Për fat të keq atë që e përmenda më herët, kam frikën që ndërmarrjet që i kemi gjetur në gjendjen çfarë e kanë, as serbët as shqiptarët nuk dëshirojnë t’i blejnë me çmimin që ofrohen. Jo vetëm serbët ose shqiptarët, por as të tretët, as të dhjetët. Kjo është fushë që më nuk kemi hapësira të ndahemi në serbë dhe shqiptarë. Të gjithë jemi në probleme të njejta, dhe për besë të gjithë kemi shanse të njëjta. Shteti me të vërtetë ka treguar në këto një vite e gjysmë apo dy, e ka treguar edhe kryeministri gjithashtu. Mendoj që asnjë kryeministër i Republikës së Serbisë për një vit nuk ka ardhur si Aleksandar Vuçiq në Preshevë dhe në Bujanoc. Mendoj që nëpërmjet disa projekteve dhe disa akteve kemi treguar që absolutisht më nuk ka dallime, nuk ka nevojë të krijimit të këtyre dallimeve. Të gjithë kemi probleme të njejta, e për besë edhe ambicie të njëjta, kështu që për çështje ekonomike, nëse do të jemi të përgjegjshëm dhe të mençur në të ardhmen, mund të bëjmë shumë bashkërisht.

Dhë në fund, çfarë mund të presin ndërmarrësit e këtyre komunave nga ministria juaj?

Dragan Stevanoviq: Ne kemi pasur një projekt të prezantimit të gjithë asaj që qeveria e R. Serbisë, respektivisht Ministria e ekonomisë ofron për subjektet ekonomike në territorin e R. Serbië në kuadër të Vitit të ndërmarrësisë. Atë që dua të theksoj, nuk do të jem modest, është se ndërmarrësit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, kanë një, respektivisht dy programe më tepër, që ofron Trupi Koordinues. Unë i ftoj që këto progame t’i shfrytëzojnë, të jenë serioz dhe të përgjegjshëm. Nëse i nevojitet çfarëdo ndihme logjistike, kanë në dispozicion Inkubator Qendrën e Biznesit në Vranjë, ëshë pse mendoj që ata kanë mjaftë këshilltarë dhe agjenci që ndërmarrësit e këtyre komunave i shfrytëzojnë. Mendoj që gjithë këto që i kemi ofruar në vitin 2016, si Vit i ndërmarrësish. Kisha shfrytëzuar rastin që të ftoj jo vetëm ndërmarrësit e Preshevës dhe Bujanocit, por edhe ndërmarrësit e komunave tjera të Rrethit të Pçinjës, të tregojnë më shumë përgjegjësi kur është në pyetje kthimi i kredisë që marrin nga Fondi për zhvillim apo nga linjat tjera. Mendoj që në këtë kontekst statistika ka qenë rrënuese. Këtë i kemi prezantuar në një rast pushteteve lokale në Bujanoc dhe Preshevë. Mendoj që me një vullnet të mirë nga viti i mirë 2016, viti 2017 do të jetë edhe më i mirë./Titulli.com/

fondi-shqip-1

VIDEO

 

 

PVD: Gënjeshtrat e prodhuara në seli të prishta, nuk mund ta dëmtojnë imazhin e partisë
Kamberi: Pjesëmarrja e Luginës në zgjedhjet parlamentare e lidhur me Bashkimin Evropian (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration