Trupi Koordinues s'ka (ka) përmbushur misionin e tij për integrimin e shqiptarëve në Serbi Foto: TK
Lokale

Trupi Koordinues s'ka (ka) përmbushur misionin e tij për integrimin e shqiptarëve në Serbi

18.Mar.2016 11:03
0
Edhe përkundër arritjes së disa rezultateve pozitive, Trupi Koordinues nuk ka realizuar qëllimin kryesor, integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë, kanë thënë për portalin Titulli përfaqësues të shoqërisë civile nga Presheva.

Trupi Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është formuar më 16 dhjetor të vitit 2000, në atë kohë nga qeveria e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe qeveria e Republikës së Serbisë për të zgjidhur krizën në rajonin e kapluar nga lufta.

Trupi Koordinues (TK) është organ administrativo-ekzekutiv i cili koordinon aktivitetet e Qeverisë së Sërbisë, organeve shtetërore, shërbimit publik, organeve të qeverisjes lokale si dhe qytetarëve  të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me qëllim të zhvillimit të këtyre tre komunave si rajon stabil politik, ekonomik, me standarde dhe kualitet të zhvilluar të jetës së qytetarëve, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut, të pakicave, të drejtat fetare e politike, thuhet në vebfaqen zyrtare të këtij organi tek Misioni i TK-së.

Por, sa është përmbushur ky mision, çfarë ka bërë dhe çfarë mund të bëjë Trupi Koordinues për avancimin e pozitës së qytetarëve të Luginës së Preshevës, biseduam me përfaqësues të shoqërisë civile në Preshevë.

Belgzim Kamberi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut (KDNJ), thotë se TK me vite vepron më shumë si organ tekniko-administrativ që nuk zbaton obligimet që ka marrë shteti serb me marrëveshjet e dakorduara me përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës.

“TK ka pasur disa rezultate pozitive në fushën e infrastrukturës, subvencionimit të ndërmarrjeve private apo studentëve, por që janë simbolike kundrejt obligimeve kyçe shtetërore, siç janë integrimi i shqiptarëve në sistemin publik, çështjeve të sigurisë, ku nuk është angazhuar për kthimin e gjendjes normale rreth largimit të forcave speciale ushtarako-policore, si dhe ndaj rimëkëmbjes ekonomike e zgjidhjes së të drejtave kombëtare të komunitetit shqiptar, edhe në fushën e arsimit, simboleve kombëtare etj”, thotë Belgzim Kamberi për portalin informativ Titulli.com.

Sipas Kamberit, Trupi Koordinues duhet të riorganizohet, si rrjedhojë të rinisjes së zbatimit të marrëveshjeve të arritura midis qeverisë republikane dhe përfaqësuesve politik shqiptar, të bllokuara dhe të pazbatuara nga qeveria serbe. Pa këtë proces, TK, sipas tij, mund të jetë vetëm organ që sherben për krijimin e përshtypjes se shteti serb po angazhohet për përmirësimin e gjendjes në Luginë të Preshevës.

Kujtim Sadriu, nga Qendra për Hulumtim dhe Monitorim nga Presheva mendon që misioni i Trupit Koordinues, nuk është ai që paraqitet në Planin dhe Programin, për zgjidhjen e problemeve në Luginë të Preshevës.

“Vet  fakti tregon se me krijimin e TK-së, qeveria e Beogradit, na konsideron si qytetarë të dorës së dytë dhe jo si bashkëqytetarë të saj. Funksioni i këtij institucioni, më shumë ka shkuar në llogari të pushtetarëve në Luginë të Preshevës, se sa në dobi të qytetarëve të këtyre komunave, nga më të pazhvilluarat në shkallë republike. Pikërisht, ata që ishin kundër këtij organi shtetëror, sot janë të privilegjuar, po nga ky organ”, thotë Sadriu për portalin Titulli.

Sipas fjalëve të tij, nëse TK është krijuar pas konflikteve të armatosura të vitit 2000-2001, në Luginë të Preshevës, për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, si është e mundur, që struktura udhëheqëse të tij, të jenë nga Beogradi.

“Nënkryetarët e këtij institucioni, janë kryetarët e komunave të Luginës, të cilët e përcaktojnë politikën e tij në zhvillimin e infrastrukturës, aty ku luajnë paratë rreth tenderëve”, thekson Sadriu.

Ai mendon që ky organ duhet të largohet menjëherë, dhe se kryetarët e ardhshëm, deputetët e ardhshëm, nëse do të ketë, të bashkëpunojnë direkt me Qeverinë në Beograd, për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Luginë, ngase, siç thotë ai, organet e dorës së dytë e të tretë, nuk mund të shënojnë rezultate pozitive.

Kujtojmë lexuesit se kryetar i parë i Trupit Koordinues ishte Nebojsha Çoviq, e pas tij në këtë post u emërua Rasim Lajiq. Pas Lajiqit TK-në e udhëhoqi për disa vite Milan Markoviq, ndërsa aktualisht në krye të këtij organi qeveritar është Zoran Stankoviq./Titulli.com/

 

LPD dorëzon listën pranë KKZ-së në Bujanoc, deri më tani katër lista të certifikuara
Mërgimtarja nga Zvicra ndihmon shkollën fillore në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration