Librat shqip ndajnë spektrin politik në Luginë, bashkëpunimi me Tiranën zgjidhje e pranueshme (Video&Foto)
Lokale

Librat shqip ndajnë spektrin politik në Luginë, bashkëpunimi me Tiranën zgjidhje e pranueshme (Video&Foto)

19.Feb.2016 10:47
0
Përdorimi i teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës ka krijuar amulli mes spektrit politik shqiptarë të këtushëm, qeverisë në Beograd dhe institucioneve tjera përkatëse të arsimit.

Një pjesë e spektrit politik shqiptarë protestoi para terminalit doganorë në Preshevë që po mbahen rreth 103 mijë libra nga Kosova të dedikuara për nxënësit e shkollave fillore të Luginës, ndërsa një pjesë tjetër thotë se zgjidhja më e mirë është bashkëpunimi me Shqipërinë.

Në protestën e organizuar më 18 shkurt para terminalit doganorë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar kërkesa kryesore ishte që qeveria e Serbisë të lejojë përdorimin e këtyre teksteve, pasi nxënësit shqiptarë të këtij rajoni një kohë të gjatë po ballafaqohen me mungesën e teksteve në gjuhën e tyre amtare.

Protestuesit mbanin në duar flamuj kombëtar shqiptarë dhe pankarta me tituj si “Duam librat tona”, “S’ka BE pa libra shqip”, “Jo në terminal po në shkolla” dhe pankarta tjera në gjuhën shqipe dhe angleze. 

“Duam reciprocitet. Sikur serbët që mësojnë në Republikën e Kosovës, duam edhe në për nxënësit tonë t’i kemi tekstet nga Kosova”, theksoi ndër të tjerash, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu.

Sipas Musliut, nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkojnë t’i kenë tekstet në gjuhën amtare dhe të jenë të barabartë me nxënësit tjerë në rajon.

 “Kërkojmë me çdo kusht që të lirohen këto tekste mësimore dhe të shkojnë atje ku janë nisur, në duart e nxënësve të shkollimit fillor në Luginë të Preshevës”, tha para protestuesve Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës, raporton Titulli.com.

Mustafa theksoi se shqiptarët nuk do të heqin dorë asnjëherë nga tekstet burimore në gjuhën shqipe që vijnë nga Republika e Kosovës apo e Shqipërisë.

“Apelojmë tek qeveria e Serbisë dhe faktori ndërkombëtar, lejoni tekstet për nxënësit shqiptarë, respektoni normat ndërkombëtare, mos cenoni të drejtat e shqiptarëve, respektoni parimin e reciprocitetit”, tha kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, njofton Titulli.com.

Arifi shtoi se nuk po kërkojnë as më shumë e as më pak se ajo që i është garantuar nxënësve serbë në Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër ish kryetari i KKSH-së, Galip Beqiri, i cili nuk ishte prezent në këtë protestë thotë se protesta para terminalit doganor është një qasje e gabuar e zgjidhjes së këtij problemi.

“Faji nuk është në terminal, por në ministrinë e arsimit dhe në dogana. Problemi është në raportet e ministrive të arsimit të Serbisë dhe Kosovës dhe politizimi i kësaj çështje. Zgjidhja është që sa më shpejtë të bashkëpunojmë me Shqipërinë, sepse Serbia nuk e njeh Kosovës si shtet dhe çdo proces që vjen nga Kosova ajo e pengon”, tha Beqiri për Portalin Informativ Titulli.com.

Ai shton se bashkëpunimi me Shqipërinë, nëpërmjet KKSH-së është metoda më e mirë që të sigurojmë tekstet shkollore në gjuhën shqipe.

Sa i përket qëndrimit të organeve qeveritare të Serbisë, Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në një deklaratë të mëhershme për Titullin theksoi se përdorimi i teksteve nga Kosova është problem derisa të përfundojnë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Kur janë në pyetje tekstet nga Kosova dhe Metohija, këtu qëndron problemi deri sa të përfundohen bisedimet ndërmjet organeve të qeverisë së Prishtinës dhe Beogradit. Deri në atë moment është e pamundshme përdorimi i këtyre teksteve”, u shpreh Stankoviq për Portalin Titulli.com.

Ndërkaq ministri i punëve të jashtme të Serbisë, gjatë një diskutimi në Kuvendin e Serbisë me deputetin shqiptar Riza Halimi, pat thënë se pakica shqiptare në Serbi nuk do të mund të mësojë në shkolla se Kosova është e pavarur.

“Dëshironi që tekstet shkollore nga Kosova dhe Shqipëria të përdoren në Serbi, që në Serbi të mësohet që Kosova është e pavarur. Kjo nuk do të bëhet. Mund të thireni në këdo që dëshironi”, tha Daçiq në parlament.

Sa i përket Drejtorisë së doganave të Serbisë, në prononcimin e tyre të vetëm lidhur me këtë çështje, në fund të tetorit të vitit 2015 nëpërmjet një komunikate patën theksuar që është vazhduar afati i deponimit të librave sepse po zgjat procedura e marrjes së lejes për përdorim nga ana e ministrisë së arsimit.

“Leja e përmendur nga Ministria e arsimit nuk është kusht për import, por pa të përdorimi i librave në shkolla nuk do të jetë i mundur”, thuhej në komunikatën e Drejtorisë së Doganave.

Deri sa po vazhdon qëndrimi i teksteve në terminal dhe deklaratat kundërthënëse të politikanëve shqiptarë dhe zyrtarëve nga qeveria e Serbisë, nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, në mungesë të teksteve ende po mësojnë nga shënimet dhe skriptat./Titulli.com/

fondi-shqip-1

VIDEO: 

OVL bënë homazhe në fshatrat e Bujanocit
Presheva me kamion të ri për grumbullimin e mbeturinave(foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration