Mustafa thotë se kemi zhvilluar Preshevën, opozita vlerëson se zhvillimi në duar të amatorëve (video)
Lokale

Mustafa thotë se kemi zhvilluar Preshevën, opozita vlerëson se zhvillimi në duar të amatorëve (video)

22.Jan.2016 10:11
0
Lidhur me gjendjen aktuale në komunën e Preshevës dhe kërkesat e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror, përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe ata të opozitës kanë vlerësime të kundërta.

Derisa opozita vlerëson se asgjë nuk është bërë në fushën e zhvillimit ekonomik, kryetari i komunës, Ragmi Mustafa thotë se është bërë shumë më tepër se në vitet e kaluara.

Nadër Sadiku, shef i grupit të këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) opozitare në Kuvendin Komunal të Preshevës thotë se pushteti lokal shumë pak angazhohet për zhvillim ekonomik, edhe pse ka ndarë mjete për rregullimin e zonës industriale.

“Mirëpo, nëse ndahen mjete për rregullimin e asaj zone nuk do të thotë që je angazhuar në zhvillim ekonomik. Ajo zonë mund të mos rregullohet edhe 2-3 vite. Ekonomisë së vogël nga buxheti komunal nuk i jepet asnjë cent, nidhmat që ndahen janë nga Trupi Koordinues (TK). Pastaj fondi që ndahet për bujqësi për ne opozitën ka qenë qesharak. Me katër milionë dinarë nuk mund të të zhvillosh bujqësinë”, thotë Sadiku për portalin informativ Titulli.com.

Shqipërim Arifi, kryetar i subjektit të ri politik Alternativa për Ndryshim (AN) akuzon pushtetin lokal se nuk kanë ide për zhvillim ekonomik.

“Zhvillimi ekonomik është aktualisht është në duar të diletantëve, njerëzve amatorë, njerëz që nuk kanë kurrfarë përvoje ekonomike. Gjithashtu, kjo është më me rëndësi, nuk dijnë të ndërtojnë politikë për të zhvilluar ekonominë. Kjo është problematika. Këta njerëz që sot neve na udhëheqin, idenë nuk e kanë për ekonominë, sepse pa zhvillim ekonomik nuk do të ketë as stabilitet politik”, shprehet Arifi për Titullin.

Këto deklarata i kundërshton kryetari i komunës, Ragmi Mustafa, i cili thotë se është bërë shumë në këtë fushë, duke filluar nga zhvillimi i infrastrukturës, ndarja e subvencioneve dhe rregullimi i zonës industriale.

“Kemi zhvilluar infrastrukturën e transportit, kemi përforcuar furnizimin me energji elektrike, duke ndikuar që në gjithë vendbanimet e komunës së Preshevës të kemi ndërmarrje që bëjnë punësime. Kemi subvencionuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me mjete pa kthim, nga buxheti komunal dhe nga TK. Pastaj, në 4-5 vitet e fundit kemi ndarë subvencione për bujqit”, thekson Ragmi Mustafa për portalin tonë.

Sipas fjalëve të tij, kulmi është zona industriale, e nisur para katër viteve, dhe siç shprehet ai, investimet në këtë zonë do të vazhdojnë në vitin 2016 me rreth një milion euro.

“Kujtoj që viti 2017 do të jetë shumë afër dhënies në shfrytëzim të 26 parcelave kadastrale për industrialistë që vijnë nga Evropa perëndimore, për bashkëatdhetarët tonë, apo edhe investitorë tjerë që ka shumë të interesuar”, shprehet kryetari i komunës së Preshevës.

Ndërkaq, në fushën e gjyqësisë edhe pozita edhe opozita kanë kërkesë të njëjtë, rikthimin e gjykatës themelore në Preshevë. Mirëpo, kryetari i Altërnativës thotë se partitë politike shqiptare kanë gabuar me rastin e bojkotimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.

“Ne këtë problematikë e kemi marrë shumë seriozisht. Kemi inicuar dhe realizuar një peticion, të cilin e kemi dërguar në institucionet përkatëse që e kanë për detyrë të na kthejnë gjykatën. Ka ndodhur një gabim që është bojkotuar regjistrimi i popullatës por për këtë nuk duhet të dënohët e tërë popullata shqiptare”, thotë Arifi.

Kryetari i komunës dhe i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, thotë se kërkesat ndaj ministrisë së drejtësisë për kthimin e gjykatës dhe prokurorisë janë të vazhdueshme.

“Vendbanimet e komunës së Preshevës janë largë mbi 70 kilometra nga Vranja dhe rreth 50 kilometra nga Bujanoci. Kërkesat janë për një rikthim sepse plotësohen të gjithë kushtet. Është një praktikë e shteteve të zhvilluara që institucioni të jetë afër palës e jo pala të shkojë pas institucionit, deklaron Mustafa.

Nadër Sadiku, nga PVD thekson pakënaqësinë lidhur me gjendjen në sistemin gjyqësor.

“Shqiptarët e komunës së Preshevës nuk janë të kënaqur me gjendjen në gjyqësi. Nuk them se komuna e Bujanocit pse e ka gjykatën i ka kushtet më të mira. Lidhur me kuadrot shqiptare që punojnë në gjykatë, me një angazhim të deputetit është arritur kyqja e shqiptarëve në institucione të gjyqësisë”, thotë Sadiku.

Mungesa e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë është problemi kryesor në arsimin e komunës së Preshevës.

Kryetari i komunës shpreh pakënaqësi që donacioni i qeverisë së Kosovës prej 103 mijë teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë akoma po mbahet në terminalin doganor.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë, që një donacion të ndalë shteti dhe të mos lejojë të shkojë në duart e fëmijëve. Nga ana tjetër sa munden nisin tekste mësimore për nxënësit serb në Kosovë, duke mos i penguar askush. Në këtë drejtim, absolutisht nuk ka arsye që Serbia të bëjë këtë për shqiptarët e Luginës”, shprehet Mustafa.

Nadër Sadiku nga opozita thotë se për tekstet shkollore shqiptarët e Luginës duhet të drejtohen nga Shqipëria, e jo nga Kosova.

“Defekti më i madh është se shqiptarët po drejtohen për tekstet nga Kosova e jo nga Shqipëria. Sepse Serbia është e obliguar që neve si pakicë të na lejojë tekstet nga Shqipëria. Tekstet nga Kosova po i konteston sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës”, përfundon Sadiku./Titulli.com/

 VIDEO: 

Serbia i lejon katër libra leximi në gjuhen shqipe në Preshevë
Zbatohen masa të reja ndaj emigrantëve në Preshevë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration