Shqiptarët kërkojnë që kryetari i gjykatës në Bujanoc të jetë shqiptar (Video/Foto)
Lokale

Shqiptarët kërkojnë që kryetari i gjykatës në Bujanoc të jetë shqiptar (Video/Foto)

15.Jan.2016 10:06
0
Përveç kërkesës për kthimin e Gjykatës themelore në Preshevë, shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që kryetari i Gjykatës themelore në Bujanoc të jetë shqiptar.

Shqiptarët janë të pakënaqur me integrimin e tyre në organet e jurisprudencës dhe sipas strukturës etnike të popullatës në Bujanoc i takon edhe kryetari i gjykatës të jetë shqiptar, thonë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të kësaj komune.

Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, thotë se në emër të administratës, respektivisht pushtetit lokal, përveç shumë kërkesave drejtuar ministrive përkatëse në Beograd, kanë kërkuar integrimin e plotë të shqiptarëve në organet shtetërore.

“Gjithashtu kemi kërkuar edhe decentralizim të gjyqësisë, policisë, mirëpo deri tash nuk ka rezultate, mbeten vetëm kërkesa pa përgjigje”, thotë Arbër Pajaziti për portalin Titulli.com.

Sipas fjalëve të Ismail Pajazitit, nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), shqiptarët janë shumë të pakënaqur me integrimin e tyre në organet e jurisprudencës, në gjykata dhe në prokurori.

“Numri i gjykatësve, prokurorëve është shumë i vogël dhe ministria përkatëse duhet të merr parasysh kërkesat legjitime të shqiptarëve që të inkuadrohen në këto organe sipas strukturës etnike të popullatës e cila jeton në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”, thotë për portalin tonë Ismail Pajaziti.

Megzon Ismaili, këshilltar i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD) në Kuvendin Komunal të Bujanocit mendon që shqiptarët janë prekur më së shumti nga reformat në gjyqësi.

“Konsiderojmë që udhëheqës i gjykatës, kryetar i gjykatës duhet të jetë shqiptar. Pjesa më e madhe e popullsisë këtu jemi shqiptar dhe na takon që shqiptari të udhëheq një instancë të lartë shtetërore, siç është gjykata në Bujanoc”, thekson Ismaili.

Vlen të ceket se me rrjetin aktual të gjykatave dhe prokurorive në Serbi, Medvegja nuk ka asnjë gjykatë, në Bujanoc funksionon Gjykata themelore, në Preshevë vetëm Gjykata për kundërvajtje, ndërsa prokurori nuk kanë asnjëra prej këtyre tre komunave.

Edhe në fushën e sigurisë, Megzon Ismaili nga LPD, parti e koalicionit udhëheqës në Bujanoc, mendon që kryeshefi i policisë duhet të jetë shqiptar.

“Sa i përket stacionit policor kërkesat tona janë që stacioni të ketë udhëheqësin shqiptar dhe administrata të jetë e përfaqësuar me proporcionin e popullsisë që jeton në komunën e Bujanocit”, thotë Ismaili.

Edhe Ismaili Pajaziti nga PVD opozitare në pushtetin lokal të Bujanocit, mendon që shqiptarët janë të nënpërfaqësuar në organet e punëve të brendshme, sidomos në postet udhëheqëse.

“Shqiptarët që janë të punësuar në këto organe janë kryekëput policë të thjeshtë, kurse në vendet kyçe udhëheqëse janë serbët. Këtu ekzistojnë probleme të mëdha sepse struktura e të punësuarëve nuk i përgjigjet nevojave të shqiptarëve që jetojnë këtu”, thotë Pajaziti.

Sa i përket kërkesave ndaj qeverisë së Serbisë në fushën e zhvillimit ekonomik, Arbër Pajaziti, që vjen nga Partia Demokratike (PD), që udhëheq pushtetin lokal, thotë se rëndësi të veçantë i kanë dhënë zhvillimit ekonomik, duke fajësuar pushtetin qendror që me privatizim të pasuksesshëm ka ndikuar në gjendjen aktuale.

“Kemi kërkuar që përmes subvencioneve të ndihmohen ndërmarrjet private që veprojnë në komunën e Bujanocit. Kemi një sinjal pozitiv nga Trupi Koordinues, që tani tre vite ndan për kompanitë tona subvencione”, thotë shefi i kabinetit të kryetarit të komunës.

Ismail Pajaziti nga opozita nuk është i kënaqur me angazhimin e pushtetit lokal në zhvillim ekonomik, dhe në bujqësi që nuk i është dhënë vëmendje e duhur.

“Mendoj që administrata komunale mund të bëjë shumë më tepër në zhvillimin ekonomik, përmes zyrës për zhvillim ekonomik, e cila ekziston në komunën e Bujanocit. Jemi dëshmitar se për dallim nga pushteti i mëparshëm, në këtë mandat kjo zyrë nuk ka arritur të thith asnjë cent, qoftë nga ministritë, qoftë nga organizatat ndërkombëtare”, mendon Pajaziti nga PVD.

Edhe Megzon Ismaili nga LPD mendon që një pjesë të fajit për  gjendjen e rëndë ekonomike e mban pushteti lokal.

“Një pjesë të fajit për këtë gjendje e mban pushteti lokal, sidomos kur është fjala te biznesi shqiptar. Kanë mund të gjejnë mekanizma tjerë për të subvencionuar biznesin shqiptar, i cili viteve të fundit has në vështirësi të mëdha, duke pasur parasysh se në lidhjet me Kosovën ka hasur në pengesa të ndryshme”, thekson Ismaili.

Ndërkaq, lidhur me gjendjen në fushën e shëndetësisë, Ismail Pajaziti, thotë se viteve të fundit shëndetësia në këtë komunë është degraduar.

“Shtëpia e shëndetit në Bujanoc ka qenë një vend ku shqiptarët nuk janë trajtuar ashtu siç duhet edhe pse është obligim i organeve udhëheqëse që të trajtojnë pacientët në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo fetare”, mendon Pajaziti.

Ndërkaq, këshilltari lokal Megzon Ismaili, thotë se shëndetësia në komunën e Bujanocit ka ngecje, duke shtuar se mjekët shqiptarë po hasin në vështirësi në punësim.

“Kemi mungesë të mjekëve në Bujanoc, sidomos kohëve të fundit kur na vijnë mjekët nga vendet tjera, siç është rasti kur u punësua një mjeke nga Surdulica. Ne kemi kuadro mjekë shqiptarë dhe ata hasin në vështirësi në punësim. Gjithë kjo lidhet me politikë”, përfundon Ismaili./Titulli.com/

VIDEO

Sherret politike në Tiranë dhe Prishtinë po dëmtojnë shqiptarët
Themelohet Qendra për Humlumtime dhe Monitorime, do të sfidoj pushtetet lokale në Luginë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration