Halimi: Qeveria nëpërmjet Trupit Koordinues po rezervon një status kolonial për Luginën e Preshevës (video)

Nga Redaksia 25.12.2015 09:46

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë peng i raporteve jonormale Kosovë – Serbi. Kështu thekson në intervistën ekskluzive për Portalin Informativ Titulli.com, Riza Halimi, njëri prej dy deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë. Në këtë intervistë Ai njëherit kryetar i Partisë për Vepim Demokratik (PVD) akuzon Trupin Koordinues për taktizime dhe manipulime në integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore. Ai gjithashtu kritikon pushtetet lokale, respektivisht zyrat për zhvillim ekonomik lokal të tyre që nuk kanë projekte dhe nuk po konkurrojnë në fondet zhvillimore të ministrive republikane.

Si po funksionon puna juaj si deputet në Kuvendin e Serbisë. Tani jeni dy deputetë shqiptarë, a keni arritur të sensibilizoni çështje me rëndësi për shqiptarët?

Riza Halimi: Vetë pyetja juaj po tregon edhe nivelin e aktivitetit që kemi. Mjerisht, është ende në fazën e sensibilizimit. Do të thotë, fati është i njëjtë me deputetët që i kemi pasur para luftës. Mbetemi ende mjerisht në fazën e paraqitjes së problemeve, sensibilizimit me problemet që ballafaqohet Lugina e Preshevës. Në Kosovë komplet përfaqësuesit e pakicave janë pjesë e qeverisjes dhe kjo është një praktikë në të gjitha shtetet që kanë pakica t’i mundësohet atyre të jenë pjesë e vendimmarrjes, që më lehtë të zgjidhin problemet specifike që kanë. Në Serbi nuk ka ende nivel të tillë politik, një qasje më serioze, posaçërisht kur janë në pyetje shqiptarët. Kanë probleme edhe boshnjakët, kanë probleme edhe pakicat tjera, por me specifike janë çështja e boshnjakëve dhe në veçanti e shqiptarëve, kështu që ne vazhdojmë të jemi peng i raporteve jonormale në relacionin edhe Kosovë – Serbi, por edhe në relacionet shqiptaro – serbe. Në këtë aspekt, kemi edhe problemin manipulues të Trupit Koordinues (TK). Kemi një deklaratë total të pakuptueshme të kryetarit aktual të Preshevës, ku thotë se “kjo qeveri nuk ka gatishmëri të zgjidh problemet e shqiptarëve, madje edhe kur janë në pyetje kërkesat e TK-së”. TK është i qeverisë, TK-në e ka themeluar qeveria, kështu që është një absurd që një përfaqësues i shqiptarëve konkretisht në Preshevë pranon në këtë formë një situatë të të nënshtruarit, edhe atë drejtpërdrejt nga qeveria, edhe pse akuzon qeverinë, duke lavdëruar në anën tjetër TK-në, ndërsa TK është pjellë e qeverisë. Faktikisht, qeveria ka arritur, edhe nëpërmjet TK-së, të rezervojë një status kolonial për Luginën e Preshevës.

 

Sa i përket sistemit gjyqësor, Kuvendi i Serbisë ka miratuar një disa ligje lidhur me këtë çështje. A keni kërkuar kthimin e gjykatës në Preshevë?

Riza Halimi: Ishte një set i ligjeve nga fusha e jurisprudencës, por jo ajo pika kryesore që po e presim të jetë në rend dite, shpresojmë të jetë pas Vitit, është Ligji për selitë dhe territoret që mbulojnë gjykatat dhe prokuroritë. Kemi fillimisht degradimin e pozitës gjyqësore të shqiptarëve në Preshevë e Bujanoc qysh në vitin 2008. Atëherë filloi reforma dhe me këtë reformë në vend të Gjykatave komunale që tash quhen themelore Bujanoci dhe Presheva mbetën me njësi, e gjithashtu edhe nga prokuroritë themelore kaluan në njësi. Mirëpo, reforma e reformës që u zhvillua në vitin 2013, degradoi në mënyrë plotësuese pozitën, posaçërisht të shqiptarëve në Preshevë. Në Bujanoc u kthy Gjykata themelore, por jo edhe prokuroria, jo edhe kundërvajtja. Në Preshevë ka mbetur sepse e kishim Gjykatën për kundërvajtje, por gjykata që ka ekzistuar mbi 50 vite në Preshevë, Gjykata themelore si shkallë e parë e sistemit gjyqësor, së pari u degradua në njësi dhe në këto dy vite u anulua komplet. Është një situatë e papranueshme. Në këtë drejtim shqiptarët janë të penguar në mënyrë drastike të arrijnë përfaqësimin adekuat, edhe në strukturën e gjykatësve, por edhe në gjithë të punësuarëve tjerë në sistemin e jurisprudencës në gjykatat dhe prokuroritë themelore, e mos të flasim për shkallën e dytë dhe apelacionin. Kam insistuar që jo vetëm në gjykatë themelore, por edhe në shkallë të dytë, edhe në gjykatën e apelacionit të ketë përfaqësim adekuat të shqiptarëve të Luginës, mirëpo po shihet se as atëherë ne kohën e demokratëve, por edhe tani në kohën e Partisë Përparimtare Serbe, nuk ekziston një vullnet elementar politik për një qasje adekuate të shqiptarëve në sistemin gjyqësor. Prandaj edhe ka probleme me zbatimin ligjor dhe kushtetues të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Lidhur me integrimin e shqiptarëve, cilat janë rrjedhat aktuale pas Raportit të progresit ku u përmend nënpërfaqësimi i shqiptarëve në organe shtetërore?

Riza Halimi: Çështja e integrimit ishte e paraparë me programin e vitit 2001 për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës. Sa i përket kësaj çështje, pas atyre hapave të parë dhe projektit të policisë multietnike që u realizua me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, OSBE-së, gjithë tjerat kanë ngecur. Ky projekt si hap i parë ka bërë një ndryshim shumë të rëndësishëm, por nuk ka vazhduar të sigurojë instrumente që në vazhdimësi të siigurohen kuadro nga radhët e komunitetit shqiptar. Është e pamundshme me konkurset që zhvillohen në Beograd të depërtojnë kudarot nga Bujanoci dhe Presheva. Po shohim në praktikë, kur kanë marrë pjesë. Mirëpo, në sistemin gjyqësor dhe strukturat tjera shtetërore është punuar jo shumë më pak, po gati aspak. Kemi vendimin e dytë, kur arritëm të nënshkruajmë një marrëveshje në vitin 2009 për rekonstrumin e Trupit Koordinues, që t’i mundësohet shqiptarëve përfaqësim adekuat në TK, në vendimmarrje, që në praktikë u injorua. Ne edhe atëherë kishim një plan për 250 kuadro shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si hap i parë për të përmirësuar gjendjen katastrofale të përfaqësimit të shqiptarëve në organet shtetërore. Mirëpo, plani i parë u modifikuar në vetëm 63 vende më një vendim të posaçëm të qeverisë, dhe ai vendim i vitit 2010 u zbatua diku rreth 30 për qind. Atëherë ka qenë të sigurohen kuadrot shqiptare për doganë, për shërbimin tatimor dhe në inspeksione, ku gjendja është më e vështirë se që ka qenë.

 

Po pse nuk u realizua kjo?

Riza Halimi: Tjeshtë, për shkak të taktizimeve dhe manipulimeve të TK-së. Këto manipulime të TK-së janë të qeverisë, e cila me një lloj apartheidi të krijon një organ të posaçëm, i cili në vend të merret me integrimin e shqiptarëve dhe me zgjdhjen e problemeve jetësore të shqiptarëve, ai bëhet një polic kujdestar politik, për të dhënë deklarata se shqiptarët i kanë të gjitha të drejtat, Serbia me kushtetute dhe me ligje i garantone të gjithë të drejtat atyre, por shqiptarët nuk janë të gatshëm t’i realizojnë ato të drejta.

 

Lidhur me arsimin, kemi aktuale çështjen e teksteve shkollore që ende po mbahen në terminalin doganor të Preshevës. Keni pasur kontakte me përfaqësues të Ministrisë së arsimit apo me ndërkombëtarët?

Riza Halimi: Ne si deputetë kemi pasur kontakte edhe në Ministrinë e arsimit në Beograd, edhe nën ivele më të larta në Kosovë, e këtë çështje tërë kohën e kemi adresuar tek ambasadori Davenport i Unionit Evropian, i cili është në rrjedha të kësaj problematike, mirëpo taktizimet janë në maksimum. Në radhë të parë kemi të bëjmë me problemin shumë serioz të nostrifikimit të diplomave. Për mua çështja e pranimit të diplomave të Kosovës është faktori më i ashpër diskriminues që qeveria serbe që nga viti 1991 e ka zbatuar ndaj shqiptarëve. Ky faktor është reflektuar në formën më drastike degraduese ndaj shqiptarëve të Luginës. Kemi pasur periudhën 11 vjeçare (1991 – 2002), kur është zgjedhur problemi përkohësisht. Kemi pasur një periudhë 2002 – 2007 kur u zgjidh problemi ndërsa nga shpalja e pavarësisë ripërsëritet gjendja e rëndë. Me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2011, nostrifikimi ka filluar të zbatohet nëpërmjet Asociacionit të universiteteve evropiane, janë marrë ato certifikata, dhe unë kam informata se deri më tani rreth 32 të rinj kanë arritur të bëjnë nostrifikimin në universitete të Serbisë. Mirëpo prej datës 29 prill të vitit 2014 është ndërprerë procesi sepse Gjykata kushtetuese e Serbisë e shpall jokushtetuese urdhëresën e qeverisë serbe të vitit 2012. Kështu, ne prapë jemi në pat pozicion. Mirëpo e dini ku është problemi? Kemi informata se në takimin e fundit që në fund të shtatorit e kanë pasur në Bruksel ka dal problemi se nuk është gjetur zgjidhja e pranueshme për të dy palët për Universitetin e Mitrovicës, a është pjesë e sistemit arsimor të Serbisë apo të Kosovës, dhe ne tani jemi viktimë e këtyre mosmarrëveshjeve. Të rinjëve tonë këtu i mohohet e drejta për punë dhe po na ripërsëritet periudha 1991 – 2002, ku e kryen fakultetin me investime familjare, pa ndihmë të shtetit, dhe me diplomë, i gatshëm për të punuar, të mohohet e drejta për punë sepse shteti nuk ta pranon diplomën.

Lidhur me zhvillimin ekonomik, çfarë mendoni se po pengon ardhjen e investitorëve të huaj në këtë rajon?

Riza Halimi: Që nga koha e embargos ndërkombëtare ndaj Serbisë në kohën e Milosheviqit, kur të gjithë ndërmarrjet shoqërore të asaj kohe ndalën punën. Privatizimi është katastrofal. Ka firma që janë shitur me 2 – 3 mijë euro e vlerën reale e kanë mbi 500 mijë deri në një milion euro. Ka pasur raste kur individë që kanë qenë afër pushtetit lokal në Preshevë, në dy raste kanë përfituar shumë, por punëtorët kanë mbetur pa punë. Ngjajshëm, manipulime të këtilla kemi edhe në Bujanoc. Në anën tjetër nuk ka gatishmëri nga shteti. Ju po shihni lojërat e TK-së. Ata kanë siguruar tre vjet radhazi subvencione, dhe ende nuk kemi një raport se çfarë rezultate kanë arritur, sa vende të reja të punës i kanë fituar. Për mua është problematike mënyra e ndarjes së subvencioneve nga TK. Problemi është se TK ka pasivizuar pushtetet lokale, në vend që të rrit kapacitetet e tyre të punës. Efekti është krejtësisht i kundërt, ka pasivizuar udhëheqjen komunale. Zyrat e tyre për zhvillim ekonomik nuk angazhohen të hulumtojnë kur shpallen tenderët nëpër ministri të ndryshme. Çdo ministri ka fonde zhvillimore, ku jepen me miliarda. Qesharake janë vlerat 108 milionë sa marrin Presheva e Bujanoci nga TK, që i çojnë në asfalt e në beton. Ata nuk kanë projekte e nuk konkurrojnë në gjithë këto ministri që kanë fonde shumë serioze zhvillimore. Por është edhe një taktikë, kur në ndonjë rast janë interesuar, marrin përgjigje “e keni Trupin Koordinues”.

Si e shihni zgjidhjen dhe cili është angazhimi i deputetëve lidhur me këtë çështje?

Riza Halimi: Për mua është i papranueshëm statusi i një lojaliteti të verbër që po tregojnë dy kryetarët e komunave, por edhe udhëheqjet tjera të pushteteve lokale ndaj TK-së. Halli i tyre është vetëm t’i marrin ato 105 milionë dinarë për të mbuluar një minimum të premtimeve, kur ndërtojnë ndonjë trotoar apo rrugë me shuma marramendëse. Unë fare s’mund të kuptoj që rreth rrotullimi në hyrje të Bujanocit të kushtojë 700 mijë euro. Kjo është e pakuptueshme, siç është e pakuptueshme që qendra në Preshevë të kushtojë 500 – 600 mijë euro e qendra në Bujanoc 600 – 700 mijë euro, dhe materniteti në Preshevë, një rekonstruim i një objekti ekzistues të kushtojë 1.2 milion euro. Ndërsa objekti i fakultetit në Bujanoc, ekzekutimin e të cilit e ka bërë vetë Progresi, sepse nuk ka lënë të manipulojnë pushtetet lokale, ka kushtuar gjithsej 1 milion euro. Komuna e Surdulicës në vitin e kaluar ka realizuar 8 milion euro investime me fondet IPA në bashkëpunim me një komunë bullgare. Presheva e Bujanoci kanë mbetur me ndihma të TK-së diku 104 – 105 milion dinarë. Dmth rreth 1 milion euro. Këtu është problemi, që në një anë ke diskriminim flagrant nga qendra, në anën tjetër ke pushtete lokale total të paafta.

 

Pse nuk ekziston një bashkëpunim i deputetëve me pushtetet lokale dhe me Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH)?

Riza Halimi: Me pushtetet lokale nuk ekziston sepse përfaqësuesit e pushteteve lokale nuk i pranojnë deputetët. Edhe kur ka pasur vizitë të Edi Ramës, është dashur luftë të bëhet një ditë përpara që në sallën e kuvendit të marrin pjesë dy deputetët, sepse na kanë imponuar që vetëm unë të marr pjesë si kryetar i partisë e kurrsesi nuk kanë dashur të lejojnë të jenë prezent edhe dy deputetë në sallën me 120 të pranishëm. Pushtetet lokale nuk po pranojnë ekzistencën e dy deputetëve dhe kjo është thjeshtë katastrofale, nuk ka kurrfarë logjike këtu. Me KKSH-në, prej 15 anëtarëve koalicioni udhëheqës i ka 8 delegatë, PVD dhe UDSH i kanë 7. Mirëpo, këta 7 përfaqësues që i ka PVD dhe UDSH as që thiren në mbledhjen e kuvendit të KKSH-së dhe nuk janë të angazhuar në asnjë grup punues. Në këto situata më rendësi të jashtëzakonshme kur vijnë delegacione të BE-së, pikërisht në kuadër të kaptinave 23 dhe 24 për realizimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe planin aksional që shteti e ka obligim ta bëjë për pakicat, nuk ka përfaqësues të KKSH-së. Momentalisht të gjithë pakicat e mëdha janë të përfaqësuara, por jo edhe KKSH, ndërsa strategjia është në përfundim e sipër. Në prill ka qenë delegacioni evropian, është takuar me gjithë këshillat kombëtare dhe mjerisht KKSH-në e ka përfaqësuar vetëm një njeri. Unë ftoj publikisht KKSH-në, kryetarin e tij, t’i bëjë publike dokumentet me të cilët po paraqitet pozita e rëndë karshi këtyre organeve, duke filluar prej grupit punues për përpilimin e planit aksional të pakicave në Serbi deri tek takimet me delegacionet e BE-së dhe KE-së. /Titulli.com/

Nga Redaksia 25.12.2015 09:46
Shkruaj Koment

Asnjë koment

Ende nuk ka komente!

Më lejoni tju them një histori të trishtuar! Ende nuk ka komente, por mund të jeni i pari që e komentoni këtë artikull.

Shkruaj një koment
Shiko të gjitha komentet

Shkruaj Koment

Hyrje

Fushat e patjetërsuara janë të shënuara me *

Nëse nuk jeni të regjistruar, atëherë klikoni Regjistro!

Para se të dërgoni komentin Tuaj ju lutemi që t’i përmbaheni rregullave të mëposhtme:

Mendimet e shprehura në komente janë opinione private të autorëve të komentit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e redaksisë së portalit informativ Titulli.

Gjithashtu lusim lexuesit e portalit Titulli që gjatë shkruarjes së komentit t’i përmbahen drejtshkrimit.

Redaksia mbanë të drejtën e mos aprovimit të komenteve me përmbajtje fyese, që janë vulgare, kërcënuese, raciste si dhe ato të cilat bëjnë thirrje në urrejtje etnike dhe nuk kontribuojnë në komunikim normal mes lexuesve të këtij portali.

Komentet që nuk kanë të bëjnë me temën dhe kanë përmbajtje të papërshtatshme rreth jetës private të personit në artikull, apo fyerje në autorët e tekstit si dhe anëtarët e redaksisë, nuk do të aprovohen.

Vërejtje: Për të dërguar komentin së pari duhet të regjistroheni me emrin (pseudonimin), me të cilin pas aprovimit nga redaksia, këtë emër unik (pseudonim) mund ta shfrytëzoni për dhënien e opinionit tuaj në hapësirën për komentim.