Vit i njëjtë mos edhe më i rëndë për Luginën
Lokale

Vit i njëjtë mos edhe më i rëndë për Luginën

20.Dec.2015 12:58
0
Thuajse çdo qeveri, komunë, institucion, biznes apo çfarëdo subjekti tjetër në fundvit bën një rishikim të punës, që e ka përshkuar vitin kalendarik. Raportet, kontrolle, rishikime, analiza, mundësitë e alternativat për më mirë janë gjithmonë temë diskutimi e planifikim-veprimi për vitin tjetër. Ashtu, si rrjedhojë, në mesin e këtyre analizave e kontrolleve të mirëshikuara dhe të mirëplanifikuara për të ardhmen, normalisht që, nuk përjashtohen as komunat e institucionet publike në Luginë.

Shkruan. Fatlum Q. Hetemi

Meqë komunat në Luginën e Preshevës, sidomos, ajo në Bujanoc dhe Preshevë, si dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, institucione që nuk shquhen për transparencë të qindpërqindshme, madje as të pesëdhjetëpërqindshme, pyetjet që dalin pashmangshmërish janë: Çka do të bëni me taksat tona? Çfarë projektesh keni? Arsimin do ta depolitizoni? Shëndetësinë do ta shëndoshni? Ekonominë do ta zhvilloni? Librat do të na siguroni? Simbolin kombëtar do të na mundësoni?..., e sa pyetje tjera vijnë ndërmend që ndoshta kurrë gatishmëri për përgjigje s’do të tregojnë. Pyetjet e lartpërmendura janë bërë për të ardhmen, sepse të tashmen tanimë e dimë.

E di, ndoshta, shumica e këtyre problemeve nuk varen krejtësisht nga kompetencat e pushtetit lokal, por, në të njëjtën kohë, e di që paaftësia e pushtetit lokal, në Bujanoc e Preshevë, ka qenë një ndihmesë tejet e madhe në ecurinë e njëjtë të kësaj situatë të vështirë të qytetarëve shqiptarë në Luginë. Prandaj, secili qytetar ka të drejtë t’i shtrojë këto pyetje, ashtu siç e kanë për obligim llogaridhënien pushtetet lokale e Këshilli Kombëtar Shqiptar për dështimet në këto pyetje. E, meqë, jemi mësuar për mospërgjigje, atëherë kthejmë sytë nga realiteti dhe aty përgjigjet do të mundohemi t’i lexojmë.

Fillojmë një nga një

Çka do të bëni me taksat tona?

Normalisht, tani, politikëbërja do të rreket që edhe këtu të fajësojë Beogradin zyrtar, por qytetari duhet ta di, ndoshta disa e dinë, se taksat tona nëpërkëmbën gjithandej. Darka, mëditje e qejfe personale e investime të vdekura, që vazhdimisht herë i zgjojnë e herë i mbytin, por kurrë nuk i lënë të jetojnë. Vizion tjetër s’kanë. Janë mësuar, më lehtë po ju vjen. Demokracia pa llogaridhënie, veç e tillë s’mund të quhet.

Çfarë projektesh keni?

Edhe këtu, përsëri, politikëbërja do të mundohet që krejtësisht fajin ta adresojë te pushtetit qendror, por qytetari duhet ta di, ndoshta disa e dinë, se përpos projekteve të asfaltit dhe atyre ku është e mundur tenderomania, tjetër s’dinë të bëjnë. Qofsha i gabuar, por kjo vazhdimësi e këtij mentalitetit “pasurohu sa je ndër dardha” është këngë e vjetër tanimë. S’janë të parët, po në kushtet normale, duhet të ishin të fundit.  

Arsimin do ta depolitizoni?

Pa dyshim edhe në këtë fushë gjejnë përgjigje që të shfajësohen, por qytetari duhet ta di, ndoshta disa e dinë, se degradimi dhe politizimi i arsimit nuk erdhi si presion nga Beogradi. Jo. Assesi. Politizimi dhe degradimi i arsimit ka filluar qysh herët, pra është këngë e vjetër tanimë. S’janë të parët, por, normal, të fundit do duhej të ishin.

 

Shëndetësinë do ta shëndoshni?

Kurrsesi. S’kanë lënë gjë pa bërë aty. Kanë punësuar djemtë, vajzat, nipat, mbesat, dajat dhe gjithë farefisin dhe, çuditërisht, përsëri aty nuk shërohen. Qytetari duhet ta di, ndoshta disa e dinë, se shumica e problemeve të përditshme në shëndetësinë në Luginë, vijnë pikërisht nga pangopësia e sëmurë e politikëbërjës në vend dhe kjo ka filluar qysh herët. Është këngë e vjetër tanimë, çdokush e di.

Ekonominë do ta zhvilloni?

Këtë do ta kalojmë edhe më shkurt, sesa tjerat. Ekonominë, sigurisht, do ta zhvillojnë,- e kam fjalën për ekonominë familjare të politikanëve privatë, ani pse të zgjedhur nga qytetarët dhe për qytetarët.

Librat do të na siguroni?

Ah librat, librat! Për këtë problem fotot në kufi te “Dheu i Bardhë”, si duket në sirtar gjatë do t’i mbajnë. As për festat e fundvitit s’arritën që librat në shkollë për fëmijë t’i dërgojnë. Prapë edhe këtu fajin kryesor e ka Beogradi. E di, për këtë qasje diskriminuese “mirënjohje” për “mosmirënjohje”, gjithsesi do t’i ndajnë!!!

Përdorimin e simbolit kombëtar do të na mundësoni?

Edhe kjo fushë nuk varet prej nesh krejtësisht,- kështu do të thonë. Por, Këshilli Kombëtar Shqiptar e ka në kompetencë zgjidhjen, ani pse ka vite që s’ka bërë asgjë. Kur them vite, e kam fjalën edhe për ata para kësaj qeverisje. Dhe, meqë, s’mund të bëni asgjë në këtë drejtim, ju lutem mos premtoni dhe në fushata mos mashtroni. Edhe këtë këngë tanimë qytetarët e dinë. Është e vjetër, apo jo!?

Dhe, në fund, në një realitet krejtësisht normal, problemet e drejtpërdrejta nga Beogradi, shumë më lehtë dhe më dobishëm do të zgjidheshin, sikur pak të kishim qeverisje të ndërgjegjshme lokale. Por, kur dyanshëm të vijnë problemet, rishikimi dhe analizimi në fundvit i gjendjes të jep të njëjtin raport me vitet tjera, në mos edhe më te keq, ashtu siç po e përjetojmë tani në kohëreale. Megjithatë, me shpresë se në fundvitin e ardhshëm shkrimi i njëjtë s’do të jetë aktual.  

Bilall Maliqi nga Presheva prezantohet me poezi në gjuhën serbe në revistën letrare të Novi Pazarit
Shefat Isufi bokson për titullin IBF të Evropës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration