Politika shqiptare në Luginë edhe pas 13 viteve qeverisje nuk e zgjidh problemin e flamurit (video) Selia e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc- Aty ku vendoset për çështjen e flamurit
Lokale

Politika shqiptare në Luginë edhe pas 13 viteve qeverisje nuk e zgjidh problemin e flamurit (video)

27.Nov.2015 09:45
0
Edhe këtë vit festa e flamurit kombëtar shqiptar, 28 Nëntori, shqiptarët e Luginës së Preshevës i gjen me çështjen e pazgjidhur të përdorimit të lirshëm të simboleve kombëtare.

Pasi ligji për këshillat kombëtare në Serbi në kompetencat e përgjithshme i jep të drejta Këshillit Kombëtar të përcaktojë propozimet e simboleve kombëtare, shenjave dhe festave të pakicës kombëtare, edhe përbërja e kaluar edhe përbërja aktuale e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) kanë qëndrimin që të përdorin flamurin kombëtar shqiptar pa asnjë ndryshim.

Por, këtë ia mohon Ligji për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare në Serbi, i cili në nenin 16 thotë se “simboli kombëtar dhe shenjat nuk mund të jenë identike me simbolin dhe shenjat e një shteti tjetër”.

Kryetari i KKSH-së, Jonuz Musliu, përsërit qëndrimin për mos ndryshim të simbolit kombëtar të shqiptarëve, duke shtuar se atë mund ta bëjë vetëm Shqipëria.

“Ne si shtyllë kryesore në KKSH, por edhe në koalicion kemi qëndrimin se nuk ka ndryshim të simbolit kombëtar. Ne jemi shqiptarë dhe flamurin e kemi me shqiponjë dykrenare. Deshtën apo s’deshtën qeveria, nuk ka ndryshim, pasi nuk jemi ne ata që mund ta ndryshojmë flamurin kombëtar, por atë mund ta bëjë vetëm Shqipëria”, shprehet Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, kryetari i KKSH-së thotë se “ligjet janë për t’u ndryshuar, Serbia duhet të ndryshojë Ligjin për t’i dhënë të drejta shqiptarëve. Duhet gjithsesi që shqiptarëve t’i lejohet përdorimi i simboleve kombëtare, të bëhet një reciprocitet sepse kur valon flamuri serb në Kosovë, pse të mos valojë edhe flamuri shqiptar në Luginë të Preshevës”.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, thotë se Qeveria e Serbisë nuk ka vullnet për të zgjidhur këtë çështje.

“Ne jemi për të zgjidhur këtë çështje me një vullnet të përbashkët të gjithë subjekteve politike, por më duket që qeveria e Serbisë nuk ka vullnet që të zgjidhur këtë problem. Shpresojmë që me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës kjo çështje të zgjidhet një herë e përgjithmonë”,thotë Nagip Arifi për portalin Titulli.com.

Ai thotë se shqiptarët në kohën e ish regjimit kanë pasur të drejtë të përdorin lirshëm simbolin kombëtar ndërsa tani kanë probleme.

“Shqiptarët ne kohën e ish regjimit kanë pasur të drejtë të përdorin simbolin kombëtar, ndërsa tani për fat të keq, gjithmonë kur vjen festa e flamurit, ne kemi probleme. Përdorim flamurin kombëtar më datën 28 nëntor, e vendosim në ndërtesën e komunës dhe në disa objekte private, por kjo çështje nuk është e zgjidhur. Unë kam dy ftesa në Gjykatën për kundërvajtje për shkak që në vitin e kaluar kemi vendosur simbolin kombëtar shqiptar në godinën e komunës dhe në selinë e partisë”,deklaroi kryetari i komunës dhe Partisë Demokratike, Nagip Arifi.

Në anën tjetër, njohësi i rrethanave politike në rajon, gazetari me përvojë, Jeton Ismaili, thotë se në zgjidhjen e këtij problemi nuk bëhet fjalë për ndryshimin apo jo të flamurit kombëtar, por për përshtatjen e elementeve identifikuese të shqiptarëve.

“Mendoj se shqiptarët kanë ngecur mjaftë në këtë drejtim, e sidomos në prag të fushatave zgjedhore kanë përhapur mjaftë propagandë lidhur me atë se do të ndryshojë apo jo flamuri kombëtar. Këtu në fakt nuk kemi të bëjmë me ndryshimin e flamurit kombëtar, ngase shqiptarët e Luginës, apo përfaqësuesit e tyre politik janë të vegjël të bëjnë ndryshimin e flamurit kombëtar. Mirëpo, duhet të përshtatet një element identifikues i shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në këtë drejtim duhet të gjejnë një zgjidhje siç e kanë gjetur, për shembull, kroatët, hungarezët e sllovakët, shtetet amë të të cilëve janë pjesë e BE-së”, thotë Ismaili për Titullin.

“Për mua është e paimagjinueshme, që një kuvend në Bujanoc të marrim shembull, ka 30 këshilltarë shqiptarë e 11 serbë dhe në atë kuvend mbrapa foltores qëndron flamuri shtetëror i Serbisë, ndërsa nuk ka asnjë shenjë identifikuese të shqiptarëve”, thekson Ismaili, duke shtuar se “më mirë do të ishte që para godinës së komunës, para gjykatës, para institucioneve tjera, të kemi një element identifikues që jemi shqiptarë, që jetojmë këtu, e jo si deri më tani të kemi vetëm flamurin shtetëror”.

Qytetarët thonë se liderët politik e institucional duhet të zgjidhin këtë problem.

“Duhet me zgjidh këtë problem. Na kanë premtuar udhëheqësit e komunave, si në Preshevë si në Bujanoc. Kryetari i Këshillit Nacional kur ka ardhur para dy viteve shumë premtime na ka dhënë për flamurin, për librat, por u bënë dy vite e asgjë s’ka punuar në këtë drejtim. Kryetari ka premtuar edhe vende të punës, edhe festat të gjitha do t’i festojmë. Një ditë për një orë e vendos flamurin në komunë, pas një ore zhduket flamuri. Mendoj se shqiptarët të bashkuar duhet të zgjidhin këtë problem, e jo vetëm të shohin interesat personale”, thotë Qenan Sefedini, banor i fshati Nesalcë të komunës së Bujanocit.

Edhe qytetarë tjerë ndajnë mendimin e Sefedinit që liderët e zgjedhur duhet të punojnë në zgjidhjen e kësaj çështje.

Të rikujtojmë se ligji për të drejtat e pakicave në Serbi është aprovuar në vitin 2002 dhe shqiptarët deri në vitin 2004 kanë pasur probleme edhe në përdorimin privat të flamurit, si në rastin e dasmave, por në këtë kohë ish Komisioneri i OSBE-së për të Drejtat e Pakicave ka ndërhyrë duke ndarë çështjen e përdorimit të flamurit në atë privat dhe zyrtar, duke i ndaluar autoriteteve të Serbisë që të përzihen në përdorimin privat./Titulli.com/

VIDEO: 

 

Vulin: Akomodim shtesë për refugjatët në Preshevë
Kosova dhe Shqipëria braktisin shqiptarët e Luginës!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration