Trupi Koordinues ndihmon avancimin e gjuhës serbe në shkollat shqipe (Foto & Video)
Lokale

Trupi Koordinues ndihmon avancimin e gjuhës serbe në shkollat shqipe (Foto & Video)

23.Oct.2015 08:21
0
Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës me mësim në gjuhën shqipe, gjuha serbe është obligative si gjuhë joamtare.

Në fillim të vitit shkollor 2015/2016 Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka nisur një projekt për të avancuar gjuhën serbe tek nxënësit shqiptarë të Luginës të Preshevës.

Katër shkolla fillore të Bujanocit dhe Preshevës janë përfshirë në projektin “Avancimi i gjuhës serbe si gjuhë joamtare në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë”, në të cilin gjatë këtij viti shkollor, mësimdhënësit e gjuhës serbe në këto shkolla do të kenë një asistent, me qëllim të avancimit të njohurive të gjuhës serbe tek nxënësit shqiptarë.

Njëra prej katër shkollave të përfshira në këtë projekt është shkolla fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, fshat i banuar vetëm me shqiptarë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës, Naim Salihu, thotë se me këtë projekt Trupi Koordinues ka dashur të ndihmojë mësimin e gjuhës serbe, ndërsa për rezultatet do të tregojë koha.

“Në Luginën e Preshevës ka shumë arsimtarë që nuk janë të aftësuar të punojnë me nxënës në lëndën e gjuhës serbe. Trupi Koordinues me këtë projekt ka dashur të ndihmojë këtë çështje për të rritur nivelin si p.sh në Vojvodinë, pasi në fshatin tonë nxënësit gjuhën serbe e dëgjojnë për herë të parë në shkollë apo televizion. Sa do të ndihmojë ky projekt do të tregojë koha”, thotë Naim Salihu për portalin informativ Titulli.

Vjollca Sadiku është njëra prej shtatë arsimtareve të gjuhës serbe në këtë shkollë. Sadiku ka përvojë 35 vjeçare dhe thotë se më herët nxënësit kanë pasur më tepër interesim për të mësuar gjuhën serbe.

“Projekti është i mirëseardhur, besoj se do të punojmë edhe më shumë, e sa do të kemi sukses do të duket. Mirëpo, pa njohur mirë të dyja gjuhët, nuk mund të ketë sukses në shkollën shqipe, edhe pse po mundohemi të flasim sa më tepër në gjuhën serbe. Pa e njohur gjuhën shqipe është vështirë të punosh më nxënësit, sidomos këtu në Tërnoc”, shprehet arsimtarja Vjollca Sadiku.

Sadiku shton se në përgjithësi është e kënaqur më nxënësit, për shkak se Tërnoci është një vend ku fëmijët nuk kanë komunikim me serbë, ndërsa në çdo klasë mund të gjesh së paku 10 deri në 15 nxënës që dijnë të komunikojnë në gjuhën serbe.

Asistente në projektin e Trupit Koordinues në këtë shkollë është profesoresha e gjuhës serbe nga Nishi, Dragana Krstiq. Ajo thotë se para se të vijë këtu ka ndjekur seminare me njerëz profesionistë të ligjërimit të gjuhës serbe si gjuhë joamtare nga universitetet e Beogradit dhe Novi Sadit.

“Kjo është hera e parë që diçka e këtillë realizohet, që nxënësit të kenë asistentë në shkollat fillore, kështu që sa i përket përshtypjeve të para, jam shumë e kënaqur. Në orët e mësimit i përmbahemi programit, harmonizojmë programin e punës, varësisht nga niveli i dijes së nxënësve, dhe në bashkëpunim me arsimtaret mësojmë sërbishten e nevojshme për komunikim të përditshëm”, thotë Dragana Krstiq.

Një vështirësi, sipas saj, është që ajo nuk e din gjuhën shqipe.

“Një vështirësi e vogël është që unë nuk e di gjuhën shqipe, kështu që kemi ndërmarrë disa masa në këtë drejtim, që edhe ne profesorët që kemi ardhur në këto shkolla të kemi orë të gjuhës shqipe, që të mësojmë së paku leksikun shkollor që është i nevojshëm në orë me fëmijët. Nxënësit janë shumë të kënaqur kur unë në orë të mësimit përdori gjuhën shqipe, kështu që kjo bukvalisht është një shkëmbim i ndërsjellë i dijes”, shton asistentja Krstiq.

Ne intervistuam edhe tre nxënës të klasës së shtatë të shkollës fillore “Muharrem Kadriu” dhe nga ata mësuam se gjuhën serbe e mësojnë në shkollë dhe nëpërmjet televizionit.

“Në orët e gjuhës serbe kalojmë shumë mirë, mësuesja është shumë e mirë e gjithashtu edhe asistentja. Unë jam shumë aktive në orët e gjuhës serbe pasi më pëlqen kjo gjuhë dhe di të komunikoj, të shkruaj. Gjuhën e kam mësuar nga televizioni dhe në shkollë”, thotë Bjondina Aliu, nxënëse e klasës së shtatë.  

“Në orët e gjuhës serbe mësojmë të lexojmë, mësojmë gramatikë dhe letërsi. Është mirë të dijmë serbisht pasi nëse shkojmë në një vend ku flitet gjuha serbe atëherë e kemi më lehtë të komunikojmë”, shprehet nxënësja Medina Bajrami.

“Në orët e gjuhës serbe nuk kam vështirësi pasi mësuesja na shpjegon gjithë atë që nuk e dijmë. Di të komunikoj dhe të shkruaj, gjuhën e kam mësuar nga familja ime, në veçanti nga xhaxhai im. Gjuha serbe është gjuhë që na nevojitet në vendin tonë”, thekson Albin Aliu, gjithashtu nxënës i klasës së shtatë.  

Ky projekt, siç është paraparë, do të zgjasë dhjetë muaj, sa zgjat edhe viti shkollor, deri më 15 korrik.

Shkolla fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc edhe këtë vit ka shënuar rënie të numrit të nxënësve, pasi vitin e ri shkollor e ka filluar me një paralele më pak.

“Këtë vit e kemi filluar një numër më të vogël të nxënësve se viteve tjera. Unë mbaj në mend kur shkolla ka pasur edhe 1.300 nxënës, ndërsa këtë vit janë vetëm 685 nxënës. Në shkollën qendrore kemi 477 nxënës, në shkollën tek lagja e Strukarëve janë 201, ndërsa në Mal Tërnoc i kemi shtatë nxënës. Këtë vit kemi 36 paralele, ndërsa në vitin e kaluar i kemi pasur 37. Për çdo vit numri i nxënësve është në rënie”, thotë UD i drejtorit të shkollës, Naim Salihu.

Kjo shkollë ka punësuar 86 punëtorë, prej tyre 65 janë mësimdhënës, ndërsa të tjerët janë administrata, punëtorët e kuzhinës dhe punëtorët ndihmës./Titulli.com/

VIDEO

 

Përfundon ndërtimi i objektit të Fakultetit Ekonomik në Bujanoc
Kolonizimi në Preshevë ndodhi edhe në vitin 1945 në Jugosllavinë Socialiste
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration