Pacientët të pakënaqur, kërkojnë shërbime cilësore (Foto & Video)
Lokale

Pacientët të pakënaqur, kërkojnë shërbime cilësore (Foto & Video)

02.Oct.2015 01:12
0
Shqiptarët e komunave Bujanoc, Preshevë e Medvegjë në vitin 2013 kishin hartuar një dokument të quajtur "Masat e domosdoshme për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës", i njohur si plani shtatë pikësh i shqiptarëve të këtij rajoni për bisedime me qeverinë serbe.

Kërkesat e shqiptarëve në fushën e shëndetësisë ishte hapja e maternitetit, i cili në ndërkohë u hap në Preshevë, mungesa e shëndetësisë sekondare, respektivisht spitalit për këto tre komuna, mungesa e stacionareve për sëmundje interne në kuadër të shtëpive të shëndetit, pavarësimi i barnatores në Preshevë dhe pajisja e institucioneve të shëndetësisë primare që janë nën kompetenca të pushteteve lokale ma pajisje mjekësore.

Duke marrë për bazë këto kërkesa dhe gjendjen aktuale të shëndetësisë në terren, gjegjësisht në komunën e Bujanocit, portali informativ Titulli.com ka anketuar qytetarët për të mësuar sa janë të kënaqur me shërbimet shëndetësore, por edhe cilat janë planet e Trupit Koordinues sa i përket shëndetësisë.

Sipas Zoran Stankoviqit, kryetar i Trupit Koordinues (TK) për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, pas hapjes së maternitetit në Preshevë, ata do të përqendrohen në punësimin e njerëzve të rinj në mënyrë që secili rajon të plotësojë nevojat e popullatës sipas normave të parapara me ligj.

“Ajo që planifikohet në veçanti kur është në pyetje shëndetësia është që pas skadimit të kufizimit për punësim, gjegjësisht pas paralajmërimit të mundësisë për punësim të njerëzve nga kjo degë, mjekë, motra medicinale, fizioterapeutë etj, secili rajon të mund të plotësojë nevojat e parapara me ligj dhe në bazë të vëllimit të punës së entit shëndetësor”, thotë Stankoviq.

Sipas tij, përveç rritjes së punësimit TK ka në plan edhe rritjen e shërbimeve specialistike në këto tre komuna, si për shembull shërbimin e fizioterapisë në Preshevë.

Në komunën e Bujanocit funksionon Shtëpia e Shëndetit, me stacionet shëndetësore në fshatrat Tërnoc, Klenikë dhe Bilaç, dhe ambulancat në Breznicë, Konçul, Muhoc, Nesalcë, Samolicë, Lilancë, Spançevc dhe Zhbevcë.

Këtë institucion e udhëheq specialistja e pediatrisë Lela Jovanoviq, të cilën e ka emëruar koalicioni qeverisës në komunën e Bujanocit.

Sipas drejtoreshës së Shtëpisë së Shëndetit, gjendja e shëndetësisë në këtë komunë është relativisht e mirë, dhe sipas saj, ky institucion shëndetësor ka nevojë për më shumë punëtorë, për pajisje të reja medicinale dhe autoambulanca të reja për urgjencën.

“Mund të them se gjendja aktuale është relativisht e mirë. Kemi aq punëtorë sa na ka lejuar ministria, por ne gjithmonë kemi nevojë për fuqi punëtore. Ne jemi ent shëndetësor primar që kryen veprimtarinë nëpërmjet shërbimeve tona, e gjithashtu kemi edhe gati të gjithë shërbimet specialistike që duhet të ketë një shtëpi e shëndetit”, thotë drejtoresha Jovanoviq për portalin Titulli.com.

Me këtë vlerësim të gjendjes pajtohet edhe ish drejtori i Shtëpisë së shëndetit, Burhan Halili, por ai në krahasim me drejtoreshën, pranon se kanë mungesë të barnave dhe materialit sanitar.

 “Gjendja e shëndetësisë në komunën e Bujanocit është relativisht e mirë, apo relativisht e kënaqur. Kohëpaskohe pacientët kanë vërejtje në mungesat e barnave dhe materialit sanitar, prandaj edhe aty pacientët janë më të ndjeshëm. Mirëpo kjo dukuri nuk është prezente vetëm në komunën e Bujanocit, por edhe në komunat tjera në Serbi”, thotë doktor Halili për mediumin tonë.

Qytetarët nga ana tjetër ankohen për shërbimet mjekësore që i ofrohen, duke filluar me blerjen e barnave nga buxheti i tyre, për mungesën e mjekëve dhe terminet.

Halit Bajrami është 66 vjeçar nga fshati Breznicë, 13 kilometra larg Bujanocit. Ai thotë se ka ardhur në Shtëpi të Shëndetit për kontrollim specialistik, por nuk mund të gjejë mjekun.

“Kam ardhur nga Breznica dhe më duhet të kthehem sepse më thanë se nuk punon mjeku, doktor Stojança. Më thanë se as javën tjetër nuk punon, nuk e di a është në pushim apo e ka lon krejt. Sa i përket Breznicës, mjeku është rregullisht aty, barnat na sjellin dhe shërbimi është shumë i mirë”, thekson Bajrami.  

Hysen Misimi, pensionist 75 vjeçar nga Nesalca thotë se nuk është i kënaqur me shërbimet shëndetësore, sepse të gjithë barnat duhet paguar.

“Nuk jam i kënaqur sepse po duhet të paguajë krejt pi xhepit. Kam qenë në Vrnjaçka Banjë, mjeku më ka dhënë injeksione që duhet blerë 10 copa 6.000 dinarë. Unë ku t’i marr këto të holla, ku gjysmën e pensionit e kam 6.000 dinarë. I mora vetëm tre copa, sepse nuk kam të holla për gjithë. Këto duhet t’i ketë shteti, sepse kemi paguajtur kontribute sa kemi punuar”, shprehet pensionisti Misimi.

Ndërsa 57 vjeçari nga Bujanoci, Mehmet Dalipi, ankohet për radhët e gjata që duhet pritur pacientët dhe terminet që nuk po zbatohen si duhet.

“Nuk jam i kënaqur sa duhet, sepse duhet pritur radhë të gjata. Për kontrollimet e rëndomta terminet janë të mira, por jo edhe për shembull, tek sëmundjet e zemrës, ku duhet pritur 20 – 30 ditë për një kontrollim, sepse mund të vijë deri tek vdekshmëria”, thotë Dalipi.

Në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, se bashku me stacionet shëndetësore dhe ambulancat nëpër fshatra, aktualisht janë të punësuar gjithsej 258 punëtorë, dhe prej tyre 57 janë mjekë.

“Kemi të punësuar 238 punëtorë me kohë të pacaktuar dhe përveç kësaj kemi 7 punëtorë me kohë të caktuar. I kemi edhe 23 punëtorë me kohë të caktuar që i kemi angazhuar prej muajit gusht për shkak të rritjes së vëllimit të punës, për të cilët pagat i siguron pushteti lokal i Bujanocit”, thotë drejtoresha Lela Jovanoviq.

Lidhur me punësimet në këtë institucion ish drejtori Burhan Halili thotë se punësimet po bëhen nën ndikimin e politikës.

“Unë jam për të pranuar punëtorë të rinj, sepse ka nevojë Shtëpia e Shëndetit, por në punësim nuk duhet të ndikohemi politikisht”,  thotë Halili.

Ai shton se për punëtorët që paguhen nga buxheti komunal, që kanë punuar edhe në kohën e tij, pas shkarkimit të tij nga posti i drejtorit, udhëheqësia e re e Shtëpisë së Shëndetit, me përkrahje të pushtetit lokal, kanë ngritur kundër tij aktakuzë në gjykatë për shkak se, siç thuhet në aktakuzë “ka vazhduar kontratat e 22 punëtorëve në mënyrë joligjore”.

“Po i njejti numër i punëtorëve për të cilin unë akuzohem, në momente të caktuara ka vazhduar punën, ndërsa prej gushtit të këtij viti numri është rritur në 25 punëtorë. Mendoj se është bërë e padrejtë ndaj meje, sepse vetë fakti që edhe më tutje punojnë numër po aq i madh i punëtorëve, të cilët tash kanë ngjyrime tjera politike, tregon se në Shtëpinë e Shëndetit ka pasur nevojë për këta punëtorë”, shprehet Halili, duke shtuar se “injoranca më e madhe është se këtë numër të punëtorëve që i kam vazhduar kontratën i kam trashëguar nga drejtori i mëparshëm”.

Sa i përket përkatësisë etnike të punëtorëve në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, sipas burimeve tona brenda këtij institucioni, prej numrit të përgjithshëm të punëtorëve 258, vetëm rreth 100 janë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër serbë.

“Tendenca kur kam qenë drejtor ishte të rritet numri i shqiptarëve të punësuar konform numrit përqindjes së popullatës që jetojnë në komunën e Bujanocit. Kjo në vitet e fundit nuk po respektohet nga udhëhesësia aktuale dhe pushteti lokal. Kemi rastin e fundit kur janë dhënë katër vendime në kohë të pacaktuar ku raporti është tre serbë e një shqiptar”, përfundon doktor Burhan Halili.

Përveç problemeve të theksuara, Shtëpia e shëndetit në Bujanoc po ballafaqohet me aparaturën e vjetruar medicinale, e cila sipas drejtoreshës Jovanoviq, duhet të rifreskohet e të zëvendësohet me pajisje të reja, e gjithashtu edhe të rritet numri i punëtorëve.

Së fundmi, me ndihmën e pushtetit lokal, Shtëpia e Shëndetit është pajisur me ultrazërin, që i mungonte rreth një vit, e gjithashtu edhe ka siguruar dy automjete moderne sanitare./Titulli.com/

VIDEO

 

PD përshëndet vendimin për Asociacionin dhe rezultatin e zgjedhjeve në Medvegjë
"Karvani i Shkrimtarëve të Luginës" do të vazhdojë në shkollat shqipe të Medvegjës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration