Zëri i poetëve, zë poetik i paqes !
Lokale

Zëri i poetëve, zë poetik i paqes !

20.Sep.2015 21:25
0
"Poetët janë paraprijës të agimeve zbardhëllim, janë muza dhe shpirti i ëndrrave shpresërim, janë fryma dhe muzikaliteti i fjalës shenjtërim, janë koloriti më i ndritshëm i qënësisë tonë qytetërim"!

Të nderuar dashamirë të artit poetik, letrar dhe të kulturës në përgjithësi, mirë se keni ardhur në Manifestimin vjetor dhe të veçantë që e organizon “Galaktika Poetike Atunis”  “100.000 poetë për ndryshime”.

Të dashur të pranishëm sot në 100 vende të botës tubohen poetë, shkrimtarë ,artistë, piktorë dhe njerëz të artit, për ta organizuar këtë Manifestim të këtij formati. Sikur në shumë vende të botës edhe në vendet shqiptare, në qytetet si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe këtu në Luginën e Preshevës (krahinën e populluar me shqiptarë) e gjetiu ku ka shqiptarë të ndarë mbahet ky eveniment me rëndësi kulturor.

Vetë emri i Manifestimit tregon qartë se 100.000 poetë në mbarë rruzullin tokësor kërkojnë ndryshime pozitive në çdo aspekt të jetës shoqërore, ekonomike e politike me qëllim të avancimit të të drejtave elementare të mbarë njerëzimit.

Jemi të vetëdijshëm se kohët e fundit nga vatrat e luftës nëpër qytetin tonë në Preshevë po kalojnë mija e mija emigrantë sirianë, Afganistan e të tjerë, pasqyrë kjo rrëqethëse dhe dhembjeje. Këta emigrantë kanë kaluar mija kilometra, nëpër kufij të Greqisë dhe të Maqedonisë, janë rrahur e keqtrajtuar, janë abuzuar materialisht nga njerëz të pandërgjegjshëm, andaj edhe ne si poetë të këtij nënqielli apelojmë për humanizëm, tolerancë dhe ndihmë këtyre emigrantëve, në mesin e të cilëve ka gra, pleq e fëmijë, kështu që poetët ngrisin zërin e protestës shpirtërore me anë të shkrimeve të tyre, piktorët me anë të pikturave të lloj-llojshme dhe me anë të organizimeve të manifestimeve të cilat përçojnë mesazhe përmirësimi dhe vetëdijesimi të të gjithë atyre që janë kundër qytetërimit.                                           

Të nderuar të pranishëm 

Edhe në tri komunat tona (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), të populluara me shumicë absolute shqiptare shkelen në një masë të madhe të drejtat elementare jetësore, si : Përdorimi i simbolit kombëtar, e drejta për punësim, për përdorimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe nga Shqipëria dhe nga Kosova, për shkollim universitar etj., të cilat janë të shkurtuara nga pushteti qendror dhe se në një masë të madhe ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e jetës normale në këtë krahinë të ndarë nga Kosova.

Këto tri komunat tona i preokupon në masë të madhe edhe papunësia, zbrazja e qyteteve nga popullata, e që përbën një rrezik të madh për ruajtjen e substancës kombëtare në këto komuna të populluara me shqiptarë.

Shqetësim tjetër është edhe  zvogëlimi i paraleleve me nxënës shqiptar si pasojë e emigrimit  të shumë familjeve shqiptare për në botën perëndimore për shkaqe të rënda ekonomike e sociale, pra me një fjalë gjendja faktike është shumë e rrezikshme për ruajtjen e popullatës për mos shpërngulje. 

Kultura dhe politika 

Dihet mirëfilli se kultura dhe politika kanë kahje diametralisht të kundërta, andaj çdo përpjekje për ta politizuar atë shkon në dëm të kulturës, artit dhe të gjitha pjesëve të tjera që bien në fushën e kulturës.

Jemi të vetëdijshëm se kultura në këto tri komuna nuk përkrahet as moralisht e lëre më materialisht, atëherë shtrohet pyetja: si mund të zhvillohet një aktivitet kulturor pa mbështetje materiale, si mund të botohen libra të autorëve të këtij etnikumi pa përkrahje materiale, si mund t’i nxisim të rinjtë që t’i lënë veset e këqia si: përdorimi i drogës, prostitucioni, hajnia dhe humbja e kohës kot nëpër kafene të qytetit pa zhvillime letrare apo aktivitete të tjera kulturore, e për të gjitha këto duhet përkrahje materiale dhe politika t’i heq ndikimet në Shoqata Joqeveritare që veprojnë në tri komunat tona dhe ato të funksionojnë sipas statutit të tyre, dhe të përkrahen moralisht dhe financiarisht të gjitha, varësisht zhvillimit të aktiviteteve të tyre, dhe në këtë mënyrë aktivitete do të ketë, kultura do të lulëzojë dhe rinia do ta gjen vendin e tyre nëpër këto aktivitete të cilat janë të karakterit edukativ.

Këtë opinion po e përmbylli me dy thënie :

“ Doktrina ime është e thjeshtë:

Jepi çdo njeriu aso të drejtash çfarë dëshiron të kesh vetë, jo më shumë e më pak assesi”

                                                                                        Bertrand Rassell

 

Prandaj ne poetët e “Galaktika Atunisit”, gjegjësisht  “Atunis Lugina” jemi kundër luftës, kundër politikës diskriminuese, kundër veseve të këqija në shoqëri dhe nga ky manifestim dalim me këto konkluzione: 

  1. Të ndihmohem sa më shumë emigrantët të cilët kalojnë nëpër komunën tonë;
  2. Shqiptarët e këtij rajoni të kenë të drejta të barabarta siç e kërkon modeli evropian;
  3. Për lejimin e përdorimit të simbolit kombëtar dhe teksteve mësimore nga Shqipëria dhe nga Kosova;
  4. Për një mirëqenie sociale;
  5. Të zbutet papunësia enorme në këto tri komuna dhe të përpilohet programi social dhe
  6. T’u ndihmohet Shoqatave Joqeveritare aktive me mjete financiare; 

 

Bilall Maliqi,
Kryetari i “Atunis” Lugina

19 shtator 2015 , Preshevë                                                                 

 

Xhelal Memeti hynë në politikë, zgjidhet kryetar i PVD-së në Miratoc
Ambasadori i Shqipërisë: Problemi i Luginës duhet të zgjidhet me dialog
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration