Sa po ndihmohen rastet sociale në Bujanoc?! (Foto & Video)
Lokale

Sa po ndihmohen rastet sociale në Bujanoc?! (Foto & Video)

18.Sep.2015 07:25
0
Gjendja e rëndë ekonomike dhe shkalla e lartë e papuunësisë në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, është një problem që po vazhdon të mbetet për t'u zgjidhur. Në këto kushte të jetesës janë të shpeshta edhe rastet sociale, respektivisht familjet që kanë nevojë për ndihma sociale.

Ne kontaktuam Qendrën për punë sociale në Bujanoc për t’u informuar se si është gjendja në këtë komunë dhe nga drejtori i kësaj qendrë Nijazi Ahmeti morrëm informacione se aktualisht 833 familje nga komuna e Bujanocit janë shfrytëzues të ndihmës sociale.

“Të dhënat e fundit të muajit gusht thonë se momentalisht 833 familje kanë marrë ndihma sociale në para për familje, dhe shuma e mjeteve që ndan republika nuk është e njejtë. Shuma që marrin në muaj është prej tetë deri në 26 mijë dinarë, por shumë rrallë ndodh që të marrin shumë maksimale, e mesatarja është rreth 17 mijë dinarë”, thotë Nijazi Ahmeti për portalin Titulli.com.

Sipas tij, prioritet për të marrë ndihma sociale kanë familjet që kanë të moshuar, fëmijë dhe ata që nuk kanë fare të ardhura, e për këtë vendos ekipi profesional i Qendrës për punë sociale, i cili kompleton dokumentacionin dhe del në vendngjarje.

Ahmeti thotë se nga fondi i republikës, marrin mjete dhe personat me invaliditet.

“Për muajin gusht 302 individë nga komuna e Bujanocit kanë marrë kompensim për ndihmë dhe përkujdesje ndaj personit tjetër. Edhe këta persona nuk e marrin shumën e njejtë mujore. Varësisht prej dëmtimeve fizike marrin prej 10 mijë deri në 26 mijë dinarë në muaj”, thotë drejtori i Qendrës për punë sociale në Bujanoc.

Lidhur me personat që kanë të drejtë në këtë ndihmë, në vebfaqen zyrtare të Fondit republikan për sigurim pensional dhe invalidor (FRSPI) thuhet se “Të drejtën në kompensim në të holla dhe përkujdesje ndaj personit tjetër ka i siguruari dhe shfrytëzuesi i pensionit i cili për shkak të natyrës dhe peshës së dëmtimit, e ka të domosdoshme ndihmën dhe përkujdesjen për të përmbushur nevojat elementare jetësore. Sipas ligjit mbi sigurimin pensional invalidor, këtë të drejtë, praktikisht e kanë, vetëm personat e palëvizshëm, të verbër, dhe ata që pa ndihmën e tjetër kujt nuk mund të ushqehen, të vishen, të lëvizin nëpër shtëpi, si dhe ata që janë në dializë”.

Bashkim Salihi, 42 vjeçar nga Tërnoci, si foshnje nëntë muajshe nga temperatura e lartë ka pësuar ndezje truri. Ai, sipas familjarëve të tij, nuk është i aftë as të vishet vetë, as të pastrohet, ndërsa edhe kur ushqehet atë e bën me vështirësi. Sipas raportit të mjekëve, Bashkimi vuan nga sëmundja e epilepsisë, është i retarduar mentalisht, e gjithashtu ka deformime në gjunjë e kurriz.

Por, edhe përskaj kësaj gjendje, Salihi, nuk merr asnjë kompensim nga shteti. Siç shprehet vëllai i Bashkimit, Mustafë Salihi, shtatë herë kanë bërë kërkesë për të përfituar të drejtën e kompensimit për ndihmë dhe përkujdesje ndaj tjetrit, por edhe pse mjekët ia kanë lejuar, komisioni në Fondin Republikan Pensional Invalidor në Vranjë e ka refuzuar.

“Gjendja e Bashkimit, nuk është aspak e mirë. I vetëm nuk mund të bëjë asgjë, po të mos jetë nëna është problem i madh. Nëna e pastron dhe e vesh, ai i vetëm asgjën nuk bën. Edhe kur han, duhet t’i qëndrosh pranë. Sa i përket kërkesave tona, shumë herë e kemi dërguar në Vranjë, gjithë mjekët ja japin pozitiv, komisioni e refuzon. Edhe në Akademinë ushtarake medicinale në Beograd e kemi pasur, edhe ata kanë thënë që i takon përkujdesja, por komisioni e ka refuzuar”, thotë Mustafë Salihi për Titullin.

Drejtori i Qendrës për punë sociale në Bujanoc, Nijazi Ahmeti, lidhur me këtë rast thotë se “kjo nuk varet nga ne, pasi vendimin e sjell komisioni mjekësor pranë fondit pensional invalidor në Vranjë”.

“Pas kërkesës nga ana e këtij personi, ne e kemi kompletuar lëndën dhe e kemi derguar në  sigurimin pensional invalidor në Vranjë, sepse atje punon komisioni për çështje të këtilla. Neve na vjen shumë keq, sepse këtij personi duhet t’i dalim në ndihmë, por kjo nuk varet nga ne. Kjo varet prej komisionit mjekësor, i cili e shqyrton rastin dhe sjell vendimin, e ne veprojmë në bazë të këtij vendimi”, thotë Ahmeti.

Edhe nëna e Bashkimit, Zyhrije Salihi, 75 vjeçare, tregon për vështirësitë që ka me birin e tij.

“Mjaftë vështirë, unë jam plakur dhe s’po mundem, e ai ka nevojë për t’u pastruar, veshur e për t’i dhënë ushqim. Asgjë nuk bën i vetëm, nuk di të vishet, as të pastrohet i vetëm. I përdor çdo natë nga dy tableta dhe i mban në xhep gjithnjë”, thotë zonja Salihi.

Pas ankesës së fundit nga ana e familjes Salihi për shkak të refuzimit të kerkesës së tyre, më datën 12 maj 2015. Ministria për punë, punësim dhe çështje sociale, ka sjell një vendim që i refuzohet ankesa me disa arsyetime, e njëri prej tyre është që “është konstatuar se gjendja neurologjike është pa deficit piramidal, i pavarur lëviz, ndërsa shkalla e retardimit mental nuk ka mundur të përcaktohet për shkak barrierës gjuhësore dhe pa raport të komisionit për kategorizim”.

Familja tetë anëtarëshe e Bashkim Salihit jetojnë vetëm me pensionin që e merr nëna e tij, pasi vëllai është i papunësuar dhe jetojnë kryesisht nga bujqësia. Ata falënderojnë nipin e tyre i cili nga Zvicra i siguron tabletat për Bashkimin.

Një familje që merr ndihma sociale, por që jeton në kushtë shumë të vështira është familja e Halit Musliut, nga Tërnoci. Haliti, 53 vjeçar, ka nëntë fëmijë, por dy vajza i ka të martuara, kështu që ai dhe bashkëshortja e tij Ajshe, jetojnë me shtatë fëmijët e tyre në një shtëpi të vjetër me tre dhoma dhe një korridor.

Me ndihmën e bashkëfshatarëve, dy dhoma i kanë renovuar, e gjithashtu kanë siguruar një frigorifer dhe makinën për larjen e rrobave, që nuk mund ta përdorin sepse nuk kanë ujë.

Ajshe Musliu, thotë se e kanë shumë vështirë, pasi burri i saj është i sëmurë dhe nuk mund të punojë, por falënderon të gjithë ata që po i ndihmojnë.

“Po të mos jetë fshati ne vdesim. Unë jam e sëmurë që 12 vjet, ndërsa burri që tre muaj i sëmurë dhe do të bëhet operacion në Beograd e krejt barnat po duhet mi ble, e gjithashtu edhe librat për fëmijët. Marrim ndihma sociale por pakë nuk na dalin,  e për fëmijë nuk marr asgjë. Unë po pres kush po ma hap derën, por faleminderit po na ndihmojnë, faleminderit Tërnocit”, thotë Ajshe Musliu.

Një familje tjetër që jeton në kushte të vështira është familja e Rasim Avdiut nga fshati Turi. Rasimi dhe bashkëshortja e tij Meserja, jetojnë në një shtëpi të vjetër, me mure të çarë dhe çati që pikon kur ka të reshura. Ata kanë një djalë që ka dalë jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë.

Duke parë gjendjen e kësaj familje, njerëz human, e sidomos një mërgimtar yni nga Zvicra, e kanë ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë së re, e cila aktualisht është mbuluar me kulm, por ka edhe shumë punë dhe i duhen edhe shumë mjete deri në përfundim.  

Zonja Avdiu thotë se kanë marrë më herët ndihma sociale, por tani nuk marrin pasi djali i tij ka dal jashtë vendit.

“Për arsye se djali ka dal jashtë nuk marrim më ndihma, por ai ka dal për zor, e jo për qef. Momentalisht jetojmë në shtëpinë e vjetër, por falënderoj mërgimtarin nga Zvicra që na ka ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë. Gjithashtu falënderoj të gjithë ata që na kanë ndihmuar me gjëra ushqimore”, thotë Mesere Avdiu për portalin tonë.

Drejtorin e qendrës për punë sociale, Nijazi Ahmetin, e pyetëm edhe për këtë rast, ndërsa ai përgjigjet.

“Familja e Rasim Avdiut para një muaji ka marrë një ndihmë prej 30 mijë dinarëve, pasi ai ka bërë kërkesë në këshill komunal, ndërsa ne i kemi ndarë mjetet. Sipas informacioneve tona, një anëtar të familjes, respektivisht djalin e ka jashtë, nuk i ka plotësuar kriteret dhe është refuzuar. E dijmë se ende jetojnë në kushte të rënda, por janë disa kritere që nuk mund të kalojnë”, thotë Nijazi Ahmeti.

Përveç kategorive të lartëpërmendura, në Qendrën për punë sociale në Bujanoc, marrin ndihma edhe familje që përkujdesen për fëmijët pa prindër, ose që i mirret e drejta prindërore, e aktualisht këtë ndihmë e marrin nëntë familje.

Puna e Qendrës për punë sociale financohet nga Ministria për punë, punësim dhe çështje sociale, ndërsa komuna e Bujanocit ndan për këtë institucion mjete për ndihma emergjente dhe mjetet për shpenzimet materiale./Titulli.com/

VIDEO

 

 

Një i vdekur dhe katër të lënduar në aksidentin e Bujanocit
Nisë protesta në Preshevë, "Kosovë "“ Shqipëri duam drejtësi" (Foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration