Dështimet nga çështja e lapidarit, ajo e regjistrimit të popullsisë në Luginë

Nga Redaksia 19.07.2015 23:04

Megapress realizoi një intervistë me Belgzim Kamberin nga Këshlli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë. Sipas Kamberit spektri politik shqiptar është sot substancialisht dhe strukturalisht i defaktorizuar. Pa program dhe vizion politik, ai është kryesisht i orientuar në realizimin e politikave klienteliste në dobi të interesave korruptive të individëve nëpër parti politike. “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë cenohen në një shkallë mjaft të lartë. Serbia nuk shfaq vullnet të mjaftueshëm politik për t’i avancuar të drejtat e pakicave kombëtare sikur komunitete.” – thotë Kamberi

Si e konsideroni dhënien e mirënjohjes për Vuçiqin nga Presheva?

Presheva nuk i dha mirënjohje Vuçiqit, por përfaqësuesit e saj institucional. Dorëzimi i mirënjohjes nga kryetari i Komunës Ragmi Mustafa ishte në shpërputhje me vullnetin e qytetarëve të Preshevës në veçanti dhe të Luginës së Preshevës në përgjithësi; të cilët e injoruan dhe nuk e mirëpritën arsyeshëm vizitën e Vuçiqit, e cila nga prania dhe presioni policor ditën e vizitës, si dhe nga sjellja e diskursi i tij gjatë vizitës, reflektonte më së miri profilin e një despoti shtypës, sesa të një kryeministri që interesohet për mirëqenien e qytetarëve të tij. Mirënjohja ishte krejtësisht e panevojshme duke pasur parasysh se kryeministri i Serbisë, jo vetëm që nuk ka ndërmarrë ende pothuajse asnjë veprim në dobi të të drejtave kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por për aq më keq, ai është zyrtarisht përgjegjës për diskriminimin dhe shtypjen shtetërore të Serbisë ndaj Luginës së Preshevës, së paku përgjatë mandateve të tij në qeverisje. Servilitet me premisa të vuajtjes nga sindromi i Stokolmit, dorëzimi i mirënjohjes është edhe fyerje për viktimat civile të vrara në Luginën e Preshevës nga pjesëtarët e aparatit shtetëror gjatë viteve të mëparshme, për të cilat qeveria e Vuçiqit nuk tregon interesim që të zbulohen dhe të dënohen autorët dhe urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve. Kësisoj, në kuptimin politik, vetëm katër ditë pas përzënies së Vuçiqit nga Srebrenica; dorëzimi i mirënjohjes e ka « rehabilituar » shpejtazi të kaluarën fashiste të tij politike, e cila rishfaqej tani në opinionin rajonal dhe ndërkombëtar; si dhe e ka deligjitimuar gjithashtu edhe diskriminimin dhe shtypjen evidente shtetërore të shtetit të Serbisë të Luginës së Preshevës, që personifikohet natyrshëm me shefin e ekzekutivit të tij.

Ju keni qenë kritik ndaj spektrit politik të partive shqiptare në Luginën e Preshevës, a mund të na tregoni arsyet?

Spektri politik shqiptar është sot substancialisht dhe strukturalisht i defaktorizuar. Pa program dhe vizion politik, ai është kryesisht i orientuar në realizimin e politikave klienteliste në dobi të interesave korruptive të individëve nëpër parti politike. Në fakt, spektri politik shqiptar përfitoj nga kjo gjendje shtypëse për të fshehur paaftësinë dhe abuzimet e saja. Përderisa në njërën anë, Kushtetuta e Serbisë, si dhe legjislacioni, nuk mundësojnë avancimin e mjaftueshëm të të drejtave të komuniteteve joserbe në Serbi, në anën tjetër, papjekuria dhe paaftësia e spektrit politik shqiptar çdo ditë e më shumë, po kontribon gjithashtu në tkurrjen e Luginës së Preshevës; si në aspektin territorial, ashtu edhe në atë demografik, socio-ekonomik dhe kulturor. Dështimet dhe skandalet e spektrit politik shqiptar të Luginës së Preshevës janë të njëpasnjëshme, siç e dëshmojë së fundi çështja e lapidarit, ajo e regjistrimit të popullsisë, apo tani edhe vizita e Vuçiqit. Duke pasur parasysh presionin e shtetit serb dhe si rrjedhojë, mundësitë e kufizuara për organizim politik të qytetarëve « poshtë », sigurisht se një pjesë e përgjegjësisë rëndon dhe « lartë », mbi Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, të cilat nuk e përdorin autoritetin e tyre shtetëror, moral dhe kombëtar, si dhe nuk marrin përgjegjësitë e tyre; në drejtim të përmirësimit të organizimit politik dhe të politikëbërjes shqiptare në Luginën e Preshevës.

Si e konsideroni pozitën e shqiptarëve në Preshevë dhe në qytetet e tjera me shumicë shqiptare në Serbi?

Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë cenohen në një shkallë mjaft të lartë. Serbia nuk shfaq vullnet të mjaftueshëm politik për t’i avancuar të drejtat e pakicave kombëtare sikur komunitete. Mbase i parandalon vazhdimisht duke përdorur të gjitha mjetet dhe mekanizmat e saj, qofshin ato edhe joligjore. Serbia zyrtare nuk shfaq interesim as për integrimin e shqiptarëve në Serbi, të shpallur si synim zyrtarisht nga politika lokale shqiptare; por përkundrazi, pas zyrtarizimit të djeshëm të deshqiptarizimit të Medvegjës; Serbia zyrtare është sot e orientuar drejt « rimarrjes » së Bujanocit nga serbët lokal, për ta shndërruar Preshevën si një ishull të izoluar drejt përmbytjes së nesërme. E vlenë vetëm të analizohet Kushtetuta e Serbisë për të kuptuar se modeli i sotshëm shtetëror është realisht Serbia vetëm për serbët. Një model para-modern shtetëror që thellon pabarazitë në të gjitha kontekstet dhe aspektet. Në Serbinë e sotme të Vuçiqit, vetëm metodat e shtypjes janë moderne. Ato maskohen me një diskurs paqësor « demokratik » dhe « evropian ». Shtypja e dikurshme tradicionale serbe është zëvëndësuar me format e « padukshme » bashkëkohore të shtypjes. Nën rrethim të « legjitimuar » ushtarako–policor, me nënpërfaqësim sistemor dhe me mungesë të « arsyetuar »  investimesh e zhvillimi ekonomik; migrimi i « vetëvullnetshëm » ka zëvëndësuar zhvendosjen e detyrueshme. Shuarja e dikurshme e dhunshme e rezistencës qytetare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është zëvëndësuar tanimë me pasivizimin e tanishëm të saj, nëpërmjet korruptimit dhe shantazhimit të elitave lokale nga shteti. Serbia e Vuçiqit – politikisht populliste, kulturalisht konservatore dhe ekonomikisht neoliberale – vetëm se përforcon regresin, diskriminimin dhe shtypjen tradicionale shtetërore serbe.

 A po respektohen liritë dhe të drejtat e shqiptarëve nga shumica serbe?

Serbia, ndonëse avancon drejt Bashkimit Evropian, nuk po shfaq vullnet të mjaftueshëm politik për t’i avancuar realisht të drejtat e pakicave kombëtare sikur komunitete. Gjatë gjithë këtyre viteve të pluralizmit, Serbia vërtetoi se nuk dëshiron të shkëputet vërtetë nga tradita e saj regresive të nacionalizmit të saj hegjemonist. Pushtetari i vetëm serb i cili e filloi shkëputjen nga kjo traditë, Zoran Gjingjiqi, përfundoi i vrarë nga vetë strukturat e shtetit serb. Serbia nuk dëshiron të ndryshojë në këtë paradigmë. Ajo ka ndryshuar metodën, por jo përmbajtjen. Mjetin, por jo qëllimin. Imazhin, por jo shpirtërorën. Serbia e vërtetë simbolizohet sot më së miri përmes Luginës së Preshevës. Me metoda dhe mjete “paqësore dhe evropiane”, ajo ka për qëllim të sotshëm të forcohet politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht; për t’i sunduar nesër përsëri të tjerët. Me këtë botëkuptim politik dominues tradicional; natyrisht se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si rajon me shumicë shqiptare në Serbi; mbeten treva më e pazhvilluar, më e getoizuar dhe më e diskriminuar e shtetit serb, e ndoshta edhe e tërë rajonit; me shkallën më të lartë të papunësisë, e ku përfshirja e komunitetit shqiptar nëpër institucione shtetërore mbetet në shpërputhje drastike me strukturën demografike etnike shtetërore. Prandaj, Serbia duhet domosdoshmërisht ta ndryshoj Kushtetutën e saj duke e përshtatur me interesat e komuniteteve dhe rajoneve të margjinalizuara dhe jo vetëm me interesat e partive dhe grupeve dominuese politike dhe shoqërore. Pastaj, Serbia duhet të filloj më seriozisht të mendojë për modelet e rajonizimit dhe decentralizimeve që duhen zbatuar në vend.

Nga Redaksia 19.07.2015 23:04
Shkruaj Koment

Asnjë koment

Ende nuk ka komente!

Më lejoni tju them një histori të trishtuar! Ende nuk ka komente, por mund të jeni i pari që e komentoni këtë artikull.

Shkruaj një koment
Shiko të gjitha komentet

Shkruaj Koment

Hyrje

Fushat e patjetërsuara janë të shënuara me *

Nëse nuk jeni të regjistruar, atëherë klikoni Regjistro!

Para se të dërgoni komentin Tuaj ju lutemi që t’i përmbaheni rregullave të mëposhtme:

Mendimet e shprehura në komente janë opinione private të autorëve të komentit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e redaksisë së portalit informativ Titulli.

Gjithashtu lusim lexuesit e portalit Titulli që gjatë shkruarjes së komentit t’i përmbahen drejtshkrimit.

Redaksia mbanë të drejtën e mos aprovimit të komenteve me përmbajtje fyese, që janë vulgare, kërcënuese, raciste si dhe ato të cilat bëjnë thirrje në urrejtje etnike dhe nuk kontribuojnë në komunikim normal mes lexuesve të këtij portali.

Komentet që nuk kanë të bëjnë me temën dhe kanë përmbajtje të papërshtatshme rreth jetës private të personit në artikull, apo fyerje në autorët e tekstit si dhe anëtarët e redaksisë, nuk do të aprovohen.

Vërejtje: Për të dërguar komentin së pari duhet të regjistroheni me emrin (pseudonimin), me të cilin pas aprovimit nga redaksia, këtë emër unik (pseudonim) mund ta shfrytëzoni për dhënien e opinionit tuaj në hapësirën për komentim.