Të ndryshojë Ligji, apo flamuri!? (Foto & Video)
Lokale

Të ndryshojë Ligji, apo flamuri!? (Foto & Video)

26.Jun.2015 01:58
0
Ligji për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare në Serbi në kompetencat e përgjithshme i jep të drejta Këshillit Kombëtar të përcaktojë propozimet e simboleve kombëtare, shenjave dhe festave të pakicës kombëtare. Por, neni 16 i Ligjit mbi Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave kombëtare në Serbi, thotë se "simboli kombëtar dhe shenjat nuk mund të jenë identike me simbolin dhe shenjat e një shteti tjetër".

Në këtë mënyrë, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e kanë të rregulluar me ligj simbolin kombëtar, në këtë rast flamurin kombëtar shqiptar, për ta përdorur lirshëm në festa kombëtare e shtetërore. 

Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), edhe në përbërjen e kaluar, por edhe përbërja aktuale kanë qëndrim të njejtë lidhur me këtë çështje, që shqiptarët të përdorin flamurin e tyre kombëtar pa asnjë ndryshim. 

Ish kryetari i KKSH-së, Galip Beqiri, thotë se ky organ i ka dërguar dy kërkesa për të përdorur flamurin kombëtar shqiptar pa ndryshime, por në dy rastet kanë marrë përgjigje negative, si nga Ministria për Pakica, ashtu edhe nga Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje lokale. 

Qëndrimin për mosndryshim të simbolit kombëtar të shqiptarëve e konfirmon edhe kryetari aktual i KKSH-së, Jonuz Musliu. 

“Ne si shtyllë kryesore në Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), por edhe në koalicion kemi qëndrimin se nuk ka ndryshim të simbolit kombëtar. Ne jemi shqiptarë dhe flamurin e kemi me shqiponjë dykrenare. Deshtën apo s’deshtën qeveria, nuk ka ndryshim, pasi nuk jemi ne ata që mund ta ndryshojmë flamurin kombëtar, por atë mund ta bëjë vetëm Shqipëria”, shprehet Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar. 

Lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, kryetari i KKSH-së thotë se “ligjet janë për t’u ndryshuar, Serbia duhet të ndryshojë Ligjin për t’i dhënë të drejta shqiptarëve. Duhet gjithsesi që shqiptarëve t’i lejohet përdorimi i simboleve kombëtare, të bëhet një reciprocitet sepse kur valon flamuri serb në Kosovë, pse të mos valojë edhe flamuri shqiptar në Luginë të Preshevës”. 

Ligjin mbi Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e cilëson si “diskriminues pasi pengon vetëm shqiptarët që të përdorin simbolin e tyre kombëtar”. 

“Edhe pse simboli kombëtar shqiptar është shumë më i vjetër se simboli shtetëror të cilin e ka Shqipëria dhe se përparësi duhet t’i jepet çështjes kombëtare, organet shtetërore në Serbi nuk e kanë përfillur këtë”, shprehet Kamberi. 

Ai përkujton se ky ligj është aprovuar në vitin 2002 dhe shqiptarët deri në vitin 2004 kanë pasur probleme edhe në përdorimin privat të flamurit, si në rastin e dasmave, por në këtë kohë ish Komisioneri i OSBE-së për të Drejtat e Pakicave ka ndërhyrë duke ndarë çështjen e përdorimit të flamurit në atë privat dhe zyrtar, duke i ndaluar autoriteteve të Serbisë që të përzihen në përdorimin privat. 

“Ne kemi paraqitur edhe në iniciativën më të re për ndryshimin e sistemit politik në Serbi, si një ndër çështje më problematike e cila pengon realizimin e të drejtave të shqiptarëve, në fakt në realizimin e të drejtës elementare shprehjen e identitetit kombëtar është edhe ligji i cili ndalon përdorimin e lirë zyrtar të simbolit kombëtar”, shton deputeti Kamberi. 

Edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, i cili është në koalicion me Musliun në KKSH, thotë se qëndrimi i kësaj partie është mosndryshimi i flamurit kombëtar. 

“Qëndrimi i PDSH-së që nga themelimi i saj, para 25 viteve, është i pandryshuar. Derisa të ekzistojë kjo parti në Luginë të Preshevës. Simboli kombëtar i shqiptarëve është i njejtë kudo në botë dhe ai nuk mund të ndryshohet”, thotë Ragmi Mustafa, njëherit edhe kryetar i Komunës së Preshevës. 

Edhe Mustafa thotë se duhet të ndryshohet ligji që kufizon përdorimin e simbolit kombëtar ashtu siç është. 

“Është më lehtë të ndryshohet një ligj, një kushtetutë se sa të tjetërsohet një popull i tërë.  Ne të tjetërsohemi në shqiptarë tjerë, nuk do ta lejojmë. Çështja se kur do të lejohet përdorimi  i lirë i simbolit tonë kombëtar varet pikërisht nga shkalla e zhvillimit të demokracisë në Beograd”, thotë Mustafa. 

Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar në Preshevë, Naser Aziri, thotë se edhe kjo parti që në përbërjen e kaluar ishte pjesë e strukturave udhëheqëse në KKSH, ka të njejtin qëndrim të përdoret simboli kombëtar shqiptar pa ndryshime. 

“Angazhimet tona janë që përdorimi i simbolit kombëtar të përdoret në fomën çfarë është aktualisht. Modeli i përdorimit mund të jetë si shqiptarët që e përdorin në Maqedoni, pasi përdorimi i këtij simboli nuk po e pengon këtë shtet në asnjë proces. Serbia duhet ta ketë model Maqedoninë se përdorimi i simboleve kombëtare, jo vetëm shqiptare, nuk e pengon por vetëm mund ta ndihmojë në integrimet evropiane”, thekson Aziri. 

Lidhur me këtë problematikë, Shqipërim Arifi, lider i subjektit më të ri politik të Luginë të Preshevës, Alternativa për Ndryshim, thotë se “Serbia për këtë çështje duhet të respektojë shqiptarët në këtë rajon e jo vetëm të tolerojë”. 

“Qëndrimi i partisë sonë është se duhet të kalojmë në nivelin e respektit, dhe atëherë kur Serbia na sheh si pjesë përbërëse e këtij shteti ne kemi mundësi të kontribuojmë. Shprehja e identitetit tonë kombëtar nëpërmjet flamurit është një e drejtë që jepet në nivelin e respektit”, thotë Arifi. 

 “Pra, qëndrimi ynë është të negociojmë me Serbinë pa e ndryshuar flamurin. Duke marr parasysh se këtu ka pasur një konflikt, Serbia duhet të jetë më senzibile ndaj nesh”, shton Arifi. 

Ndërsa përfaqësuesi i sektorit civil, Enkel Rexhepi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut, thotë se ky problem duhet të zgjidhet në nivele më të larta në mes dy shteteve, Serbisë dhe Shqipërisë.

“Politikanët tanë mundohen të merren me çështje madhore që nuk i takojnë. Simbolet kombëtare i vendos shteti amë, për këtë vendosin Shqipëria dhe Serbia, vendosin dy kryeministrat. Tek ne politikanët tanë çështjet kombëtare i përdorin vetëm gjatë fushatës elektorale”, thotë Rexhepi nga KDNJ. 

Derisa pakicat tjera kombëtare në Serbi gati të gjitha kanë ndryshuar flamurin nga shteti amë për ta përdorur lirshëm, shqiptarët e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës deri më tani e përdorin lirshëm vetëm privatisht. 

Në Preshevë dhe Bujanoc viteve të fundit flamuri kombëtar shqiptar vendoset publikisht në ndërtesat e komunave dhe KKSH-së, më 28 nëntor, në ditën e flamurit kombëtar shqiptar. Por ky flamur zakonisht valon prej mesditës deri në mbrëmje për ta hequr atë përsëri, në pritje të zgjidhjes së këtij problemi. /Titulli.com/

VIDEO

 

 
 
 

 

Kur fillon zbatimi i marrëveshjes dhe a duhet pagesë shtesë për sigurim?
Hapet Qendra Evropiane e Luginës në Preshevë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration