Njohja e Kosovës nga Serbia është një proces i pakthyeshëm

Nga Redaksia 29.05.2015 23:55

Shpëtim Çaushi, ish-ambasadori shqiptar në Serbi, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, komenton vizitën e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë. Sipas tij, tashmë janë thyer politikat e izolimit shekullore mes dy vendeve dhe jemi futur në një rrugë të re, atë të komunikimit të nivelit të lartë, që për rrjedhojë do të ketë ndikim pozitiv edhe në shumë aspekte të jetës në të dy vendet.

Çaushi shprehet se disa nga marrëveshjet që po diskutohen me shtetin serb, si për shembull transporti, arsimi, shëndetësia, janë diskutuar që në kohën kur ai ushtronte detyrën e ambasadorit në shtetin e Serbisë, por që tashmë është hapur rruga për një konkretizim të tyre. Për ish-ambasadorin Çaushi, bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, tashmë, pas pothuaj tre vitesh, dëshmojnë, jo vetëm për një progres në zgjidhjen e një sërë problemesh të komplikuara “teknike”, por veçanërisht edhe në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, komunikimin institucional midis palëve, largimin e strukturave paralele apo dubluese shtetërore në Republikën e Kosovës. Madje, sipas tij, këto bisedime kanë sjellë edhe një frymë të re, optimiste në rajon.

Zoti Çaushi, në cilësinë edhe të ishambasadorit shqiptar në Serbi, si e shihni vizitën e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në vendin tonë? 

I jam përmbajtur gjithnjë opinionit, që kontaktet, shkëmbimi i mendimeve, madje edhe ballafaqimi i problemeve të vështira, në dukje edhe historikisht të pakapërcyeshme midis dy ose më shumë vendeve, është domosdoshmëri e epokës sonë, veçanërisht e popujve dhe shteteve që kanë pranuar me vullnet të pakthyeshëm proceset integruese të Evropës së Bashkuar. Ndërkohë, jetojmë në shekullin e një globalizimi të paparë të komunikimit human, i cili jep impulse zhvillimi të veçantë të shoqërisë njerëzore, duke “kompromentuar” gjithashtu politikat dritë shkurtra dhe izolacioniste të deritanishme, botëkuptimeve obskurantiste, nga të cilat ka vuajtur në të kaluarën gadishulli ynë ballkanik, veçanërisht rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Vizitat e nivelit të lartë midis Serbisë dhe Shqipërisë kanë munguar pothuaj për një shekull të tërë, ndërkohë që në vendet e tjera të kontinentit tonë, tashmë, prej kohe, ato janë kthyer në një proces permanent integral të diplomacisë së re, e cila po distancohet nga diplomacia tradicionale apo konvencionale, duke formatuar struktura të qëndrueshme bilaterale dhe multilaterale ndër evropiane dhe botërore. Nuk do të dëshiroja të komentoja pse-të e kësaj pauze të ngrysur historike të marrëdhënieve tona me Beogradin, duke ia lënë atë historianëve, jashtë politizimeve, të cilat, në shumicën e rasteve, na kanë detyruar të humbim kohën e çmuar, madje për disa breza me radhë, duke shmangur domosdoshmërinë e këtij komunikimi njerëzor midis popujve dhe vendeve tona. Ndaj është për t’u përshëndetur ky komunikim i ri i nivelit të lartë midis dy vendeve tona, vizitat reciproke të kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, si në Beograd, ashtu dhe tani në Tiranë.

A mendoni se vizita e kryeministrit tonë para pak muajsh në Serbi dhe kjo e fundit e Vuçiç në vendin tonë janë një “ogur” i mirë i përmirësimit të marrëdhënieve mes dy shteteve? 

“Ogur” i mirë? Mendoj të mos mbetemi në këto “definicione”, të mos mjaftohemi me cilësorët “i mirë” apo “i keq”. Ky simbolizëm pozitiv midis dy vendeve tona duhet të materializohet, të ketë substancë. Ndoshta do të mbetet në retorika thjeshtë për konsum politik, për audiencën ndërkombëtare apo për auditorin e brendshëm politik të secilës palë.

Në gjykimin tuaj a ka ardhur koha që të lihen mënjanë problemet e vjetra mes dy shteteve dhe të shihet drejt marrëveshjeve ekonomike dhe drejt një çështjeje madhore të përbashkët siç është integrimi në Bashkimin Evropian? 

Pyetja juaj është mjaft esenciale. E nënvizova edhe më sipër. Në eksperiencën e katër viteve të shërbimit tim diplomatik në Beograd, mbushja me substancë e këtyre marrëdhënieve nuk ka qenë e lehtë. Nga pala jonë, në vite i janë dorëzuar palës serbe një set prej 12 projekt-marrëveshjes në fusha me interes reciprok për të dy vendet, si në atë të transportit, komunikacionit, shëndetësisë, arsimit, njohjes së diplomave të studentëve, kulturës, etj. Por nënshkrimi i tyre ka ecur ngadalë, ndonëse qeveritë e secilës palë ka qenë nën “presionin” e biznesit dhe të strukturave ekonomike të vendeve respektive. Ky indikacion duhet të konsiderohet pozitiv, që duhet përkrahur dhe nxitur nga secila administratë shtetërore, pa asnjë paragjykim politik. Vetëm dy vite më parë, figuronin rreth 200 firma serbe që operonin në Shqipëri, ndërkohë që kjo shifër ishte dhe është ende mjaft e ulët për firmat shqiptare që janë regjistruar dhe kanë aktivitet në Serbi.

Këtu duhet të ndalemi, është një fushë që duhet elaboruar, studiuar dhe konkretizuar, në interes të ekonomive të të dy vendeve. Një fushë tjetër me interes të veçantë, është turizmi. Më kujtohet fare mirë, interesimi i qytetarëve serb për të vizituar Shqipërinë. Kishim telefonata të shumta në ambasadë nga qytetarë serbë, të cilët konsultoheshin për vendet që dëshironin të shihnin në vendin tonë. Por edhe anasjelltas, shumë shqiptarë të vendit tonë shprehnin të njëjtën dëshirë. Ka shumë fusha bashkëpunimi për të cilat duhet të punojmë më me insistim. Procesi i integrimit evropian është një komponent cilësor historik ndryshimi dhe zhvillimi strategjik, që orienton dhe drejton opinionet qytetare dhe politikat e të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Serbisë. Ndaj do të thoja që “kompeticioni” në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, Tiranës dhe Beogradit, do të duhet të realizohet mbi bazën dhe nëpërmjet standardeve evropiane, të cilat kanë provuar në dekada vërtetësinë e tyre duke i garantuar në dekada popujve të tyre lirinë, begatinë dhe sigurinë e pakthyeshme dhe të pacenueshme.

Takimet e herëpashershme nëpër aktivitete ndërkombëtare të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij serb Aleksandër Vuçiç, a tregojnë një nisje të diskutimeve për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb? 

Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm historik. Njohja e saj ndërkombëtare është gjithashtu një proces historik. Prishtinën e kanë njohur vendet më të fuqishme të botës dhe demokracitë e mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokracitë evropiane. Të tjera vende vazhdojnë ta njohin. Mendoj që ky proces i pandërprerë njohjesh, do të çojë së shpejti në pranimin e Kosovës si anëtare e OKB-së. Bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, tashmë, pas pothuaj tre vitesh, dëshmojnë, jo vetëm për një progres në zgjidhjen e një sërë problemesh të komplikuara “teknike”, por veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë, të komunikimit institucional midis palëve, largimit të strukturave paralele apo dubluese shtetërore në Republikën e Kosovës, etj. Bisedimet midis të dy palëve kanë sjellë një atmosferë më të qëndrueshme në rajonin tonë, ngjallin optimizëm se rajoni ynë po largohet njëherë e përgjithmonë nga vibracionet politike konfliktuale, nga fryma e tensioneve etnike, pasigurisë, pastabilitetit politik dhe ekonomik. Njohja e Kosovës nga të tëra vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, mendoj se përfshihet në këtë proces historik të pakthyeshëm. Por, koha varet nga vetë këto vende.

Marrëveshje ekonomike në të mirë të dy shteteve 

Në lidhje me rajonin tonë, sa të rëndësishme janë aktivitetet e përbashkët, siç është Forumi Ekonomik i Vjenës, që mblodhi në vendi tonë kryeministrat e Ballkanit? 

Forumi Ekonomik i Vjenës është padyshim një ngjarje evidente me rëndësi të veçantë për popujt e rajonit tonë. Sigurisht, në radhë të parë, është një mbështetje e Bashkimit Evropian për të forcuar ekonomitë e vendeve që aspirojnë dhe janë në pragun e integrimit evropian. Ndërkohë, ajo që është më e rëndësishme është një indikacion madhor, që ky bashkëpunim ekonomik do të mund të realizohet vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes shumëpalëshe të të gjitha vendeve, një “refleks” ky që i ka munguar pothuaj fare vendeve të rajonit tonë. “Mësimi” i tretë, është domosdoshmëria e angazhimit të palëve në projekte konkrete, me leverdi reciproke, duke nxitur dhe shfrytëzuar forcat e brendshme të mendimit intelektual krijues të këtyre projekteve, organizimit dhe administrimit të secilit vend, veç e veç, por edhe kolektivisht, të gjithë së bashku.

 

Nga Redaksia 29.05.2015 23:55
Shkruaj Koment

Asnjë koment

Ende nuk ka komente!

Më lejoni tju them një histori të trishtuar! Ende nuk ka komente, por mund të jeni i pari që e komentoni këtë artikull.

Shkruaj një koment
Shiko të gjitha komentet

Shkruaj Koment

Hyrje

Fushat e patjetërsuara janë të shënuara me *

Nëse nuk jeni të regjistruar, atëherë klikoni Regjistro!

Para se të dërgoni komentin Tuaj ju lutemi që t’i përmbaheni rregullave të mëposhtme:

Mendimet e shprehura në komente janë opinione private të autorëve të komentit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e redaksisë së portalit informativ Titulli.

Gjithashtu lusim lexuesit e portalit Titulli që gjatë shkruarjes së komentit t’i përmbahen drejtshkrimit.

Redaksia mbanë të drejtën e mos aprovimit të komenteve me përmbajtje fyese, që janë vulgare, kërcënuese, raciste si dhe ato të cilat bëjnë thirrje në urrejtje etnike dhe nuk kontribuojnë në komunikim normal mes lexuesve të këtij portali.

Komentet që nuk kanë të bëjnë me temën dhe kanë përmbajtje të papërshtatshme rreth jetës private të personit në artikull, apo fyerje në autorët e tekstit si dhe anëtarët e redaksisë, nuk do të aprovohen.

Vërejtje: Për të dërguar komentin së pari duhet të regjistroheni me emrin (pseudonimin), me të cilin pas aprovimit nga redaksia, këtë emër unik (pseudonim) mund ta shfrytëzoni për dhënien e opinionit tuaj në hapësirën për komentim.