Organet komunale, publike dhe shtetërore në Luginë,  nuk zbatojnë gjuhën shqipe
Lokale

Organet komunale, publike dhe shtetërore në Luginë, nuk zbatojnë gjuhën shqipe

08.Jul.2014 16:24
0

Këshilli i Evropës sjell opinionin e tretë me radhë mbi monitorimin e zbatimit të Konventës kuadër mbi mbrojtjen e pakicave kombëtare nga ana e Serbisë. Opinioni ishte aprovuar nëntorin e vitit të kaluar në Strasburg, ndërsa pas kalimit të procedurave të brendshme qeveria e Serbisë e publikoj këto ditë, njofton Shërbimi për informim i Këshillit Kombëtarë Shqiptarë.

Pjesa e përgjithshme

Në pjesën e përgjithshme vlerësohet me nota pozitive legjislacioni optimal për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe anëtarëve të tyre, me opinionin se ato janë avancuar viteve të fundit si dhe miratimi i ligjit kundër-diskriminimit ka vendosur bazën juridike në kuptimin e mbrojtjes nga diskriminimi kur është fjala për anëtarët e pakicave kombëtare.

Megjithatë, Serbisë i rekomandohet që të avancoj më tej legjislacionin në këtë fushë, duke vendosur edhe mekanizmat institucional efikas me qëllim të realizimit të të drejtave të pakicave kombëtare, sidomos konkretizimin e mëtejshëm të kompetencave të Këshillave nacionale.

Regjistrimi i vitit 2011

Ndërsa sa i përket regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 dhe bojkotit të bashkësisë shqiptare, Këshilli i Evropës i bën thirrje organeve kompetente serbe që “të aplikojnë qasje afirmative fleksibile gjatë analizës së atij rezultati në raport me aplikimin e politikave të cilat ndikojnë në bashkësinë shqiptare, dhe gëzimi i të drejtave mos të lidhet me numrin e tyre”.

Rekomandohet edhe dialogu i drejtpërdrejt me përfaqësuesit shqiptar, si dhe shfrytëzimi i burimeve alternative të të dhënave, përfshirë edhe të dhënat hulumtuese të pavarura në mënyrë të përgjegjshme.

Pjesëmarrja në administratën shtetërore dhe në gjykata

Rekomandohet, “ndërmarrja e masave pragmatike me qëllim të promovimit të punësimit proporcional adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore, sistemin gjyqësor dhe forcat policore” edhe atë “pa shtyrje të mëtejshme”.

“Shqiptarët dhe boshnjakët tërësisht mbahen larg punësimit në administratën shtetërore” thuhet më tej.

Vlerësohet se shtetit i mungon edhe qasja strategjike gjithëpërfshirëse për integrimin e pakicave kombëtare në jetën publike të vendit, si dhe përmend praninë e dallimeve domethënëse ndërmjet Vojvodinës dhe Serbisë gjatë rregullimit dhe zbatimit të të drejtave minoritare, sidomos mosrealizimi i të drejtave gjuhësore për shqiptarët dhe problemet praktike të përdorimit zyrtar të gjuhës amtare.

Të drejtat gjuhësore të pakicave kombëtare

Opinioni vlerëson që zbatimi i të drejtës së shfrytëzimit të gjuhëve të pakicave në kontakt me organet lokale ende nuk ka aplikim unik në gjithë territorin e vendit.

Edhe këtu rekomandohet konkretizimi i normave ligjore nga se shumica e tyre janë të formës deklarative, dhe si të tilla nuk parashohin mekanizma institucional efikas për realizimin e të drejtës së përdorimit zyrtar të gjuhës amtare.

Më tej thuhet që në komunat në të cilat gjuha shqipe gëzon të drejtë të barabartë të përdorimit zyrtar, siç janë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, rekomandohet që administratat komunale dhe shtetërore lokale, si dhe gjykatat ta zbatojnë gjuhën shqipe gjatë punës së tyre të përditshme.

“Aty ku numri i të punësuarve shqiptar është adekuat, rekomandohet pajisja e tyre me njohuri për aplikimin zyrtar të gjuhës shqipe, ndërkohë në institucionet tjera rekomandohet punësimi adekuat” thuhet në pjesën për të drejtat gjuhësore të opinionit, transmeton portali informativ Titulli.

Gjithashtu, shqetësues është përmendja e faktit në opinion se ekspertët e Këshillit të Evropës të cilët kanë mbledhur të dhëna në terren kanë vërejtur mungesën e vetëdijes së bashkësisë shqiptare për të drejtat e përdorimit zyrtar të gjuhës amtare në kontakt me organet lokale e shtetërore.

Në të njëjtën kohë, propozon vendosjen e mekanizmit mbikëqyrës të pavarur dhe efikase me qëllim të zgjidhjes së ankesave që adresohen ndaj policisë për sjellje jo adekuate në detyre që shkelen të drejtat e anëtarëve të bashkësive minoritare.

"Ndjekja e rekomandimeve të bëra nga Avokati i Popullit dhe Komisionerja për mbrojtjen e barazisë është ende në nivelin minimal”, thuhet më tej në raport.

Shtetit i rekomandohet edhe shtimi i kujdesit gjatë transformimit të teknologjisë mediale në atë digjitale, ashtu që që pakicat mos të pësojnë në të drejtën e tyre për informim në gjuhën amtare, si dhe kërkohet aplikimi i trajnimeve të vazhdueshme për gazetarët e pakicave kombëtare.

Shënimi i emrit personal në gjuhën amtare dhe emërtimet e vendbanimeve tradicionale

Më tej thuhet se largimi i kufizimit territorial nga ligji për gjuhët, ka ndikuar pozitivisht në realizimin e të drejtës për shënimin e emrit personal në gjuhën amtare, që do të thotë se edhe shqiptarët kanë të drejtën të shënojnë në gjuhën shqipe me ermin e saj emrin personal në secilën komunë në Serbi por, megjithatë në të njëjtën kohë rekomandohet vetëdijesimi i ofiqarëve në gjithë territorin e shtetit me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe realizimit praktik të kësaj të drejte.

Gjithashtu, vlerësohet pozitivisht vendimi mbi emërtimet tradicionale të vendbanimeve shqiptare në Serbi, i sjellë nga KKSH në vitin 2012.

Të drejtat arsimore

Opinioni pozitivisht vlerëson fillimin e botimit të teksteve shkollore në gjuhët e pakicave kombëtare, por e vlerëson të qëndrueshëm objektivisht konstatimin e KKSH-së se nëse vazhdohet me këtë ritëm do të duhen së paku edhe pesë vite për t’i siguruar tekstet e domosdoshme. Prandaj, në të njëjtën pikë i rekomandon qeverisë që nëpërmjet ministrisë së arsimit të aplikoj procedura ekspeditive me qëllim të lejimit botimit të librave në gjuhën e pakicës, si dhe trajnimin e vazhdueshëm të arsimtarëve.

Gjithashtu, përmendet hapja e Fakultetit ekonomik në Bujanoc, si degë e Universitetit të Novi Sadit, ndërkohë i rekomandon qeverisë që të bëj të mundur sigurimin e rregullt dhe të shpejt të pranimit të diplomave të lëshuara nga institucionet arsimore nga Kosova dhe vendet tjera të regjionit.

Vijat orientuese

Ndërkohë, njohësit e të drejtave të njeriut dhe pakicave, vlerësojnë së raportimi periodik pran Këshillit të Evropës për zbatimin e Konventës kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare nga ana e Serbisë, është vija e qartë orientuese që duhet ndjekur. Ata më tej theksojnë se raportimi i KKSH-së pran institucioneve konkrete në Evropë duke shfrytëzuar këtë instrument mundëson paraqitjen dokumentuese të shkeljes së të drejtave kolektive dhe individuale të bashkësisë shqiptare nga ana e shtetit.

Megjithatë, mjaft e rëndësishme konsiderohet edhe qasja fleksibile e konventës në raport me kontekstin në të cilin gjendet bashkësia shqiptare në Serbi.

Rëndësia e këtij Opinioni qëndron në faktin se nga përmbushja e rekomandimeve që gjenden në të, matet edhe niveli i demokracisë dhe respekti ndaj të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare në Serbi. Kjo më pas krijon efekt të drejtpërdrejt në vendimet politike që marrin institucionet evropiane për Serbinë., thuhet në fundë të kumtesës së KKSH-së./Titulli.com/

 

Vranjë: Vetëvritet duke kërcyer nga kati i katërt
Tërnoci nuk ia lëshon rrugën shtyllave të Kosovës e Shqipërisë (foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration