Gazeta britanike: Largimi i KFOR-it nga Kosova, çmenduri – Serbia po i numëron ushtarët
Rajoni dhe Politika

Gazeta britanike: Largimi i KFOR-it nga Kosova, çmenduri – Serbia po i numëron ushtarët

12.Jun.2019 15:49
0

Gazeta britanike, “The Guardian”, ka publikuar një shkrim për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga Serbia me intervenimin e NATO-s.

 

Njëzet vjet pas hyrjes së forcave të para tokësore të NATO-s në Kosovë në fund të fushatës 78 ditore të bombardimeve, 3,500 ushtarë nga aleanca ushtarake janë ende në terren në vendin ku konflikti ende s’ka përfunduar.

Sot, KFOR-i vepron kryesisht si forca “e tretë rezervë” pas policisë lokale dhe BE-së, por është një përjashtim ku trupat e NATO-s ruajnë manastirin serb të Deçanit të shekullit të 14-të.

Ushtarët e NATO-s që patrullojnë nëpër rrugë kryesisht janë të paarmatosur. “Njëzet vjet janë një periudhë e gjatë për një mision paqeruajtës”, thotë një ushtar, transmeton Koha.net.

Dhe ky mendim i tij nuk është i izoluar. SHBA-ja, e cila kontribuon me kontingjentin më të madh të trupave – me rreth 600 – mësohet të ketë konsideruar seriozisht uljen e prezencës së vet në vend.

Por, një zyrtar i lartë perëndimor ka thënë për “The Guardian” se largimi i forcave të NATO-s nga Kosova do të ishte çmenduri.

“Tërheqja do të ishte çmenduri. Atje në Serbi po i numërojnë trupat ushtarake. [Kosova] Është një vend me 1.8 milion myslimanë të moderuar. Pas Afganistanit dhe Irakut, na duhen rezultate. Kjo do të ishte një fitore e vërtetë strategjike për ne”, ka thënë ai në kushte anonimiteti.

E, e konfrontuar me këto argumente, SHBA-ja ka vendosur t’i lë trupat e veta në shifra të pandryshuara – për momentin.

Kontributi i Britanisë së Madhe në KFOR është me 30 ushtarë ani pse angazhohet në një vend ku shumë fëmijë mbajnë emrin Tonibler në bazë të kryeministrit të atëhershëm britanik, Tony Blair, i cili, bashkë me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton, udhëhoqën intervenimin humanitar ushtarak. Franca nuk ka asnjë ushtar.

“The Guardian” shkruan më tej edhe për periudhën nga paslufte deri në pavarësi (2008) si dhe për viktimat e luftës ku thotë se të vdekur apo të zhdukur nga kjo luftë mbetën 13,517 persona. Nga këto viktima, 10,415 ishin shqiptarë etnikë, e 2,197 ishin serbë.

Një ekspozitë e re në tri dhoma të bodrumit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës i kushtohet 1,133 fëmijëve të vrarë apo të zhdukur gjatë luftës, dhe ku paraqiten gjësende që u përkisnin atyre, përfshirë edhe një çantë shkollore me logon e Bayern Munichut që përmban libra shkollorë të një prej viktimave, Altinit, një nxënës i klasës së katër, në ditën kur u vra nga forcat serbe.

Tutje, gazeta shkruan edhe për tentimet për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur edhe idenë e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje e mundshme, por thotë se kjo ide nuk u prit aspak mirë në asnjërin prej vendeve.

Gjenerali Lorenzo D’Addario, italiani që komandon KFOR-in, thotë se situata politike nuk është perfekte dhe thekson se detyrë e tyre parësore është “ofrimi i sigurisë për popullatën në veri”, ku jetojnë serbët.

“Ende ka nevojë për ne. Ne ofrojmë thelbin e shtyllës së sistemit të sigurisë”, tha ai, ndonëse nuk e bëri të qartë se edhe sa gjatë do të mbesin qeveritë perëndimore në një vend që mbetet relativisht i qetë pavarësisht mungesës së zgjidhjes afatgjate politike.

Vetëm 6 maturantë shqiptarë përfundojnë shkollën e mesme në Medvegjë, vitin 2020 vetëm 5
Dita e lirisë së Kosovës; Clinton dhe Albright në festën e madhe në Prishtinë (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration