Foreign Policy: Serbia po luan sërish me zjarrin Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq
Rajoni dhe Politika

Foreign Policy: Serbia po luan sërish me zjarrin

04.Aug.2022 16:32
0

Kur tensionet u ngritën mes vendeve ballkanike, Kosovës dhe Serbisë, të dielën, frika për dhunë serioze nxiti një përgjigje të fuqishme nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë. 

“Misioni i drejtuar nga NATO në Kosovë po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të intervenojë nëse rrezikohet stabiliteti”, thuhej në deklaratën e NATO-s. Thelbi i trazirës mes dy shteteve ishin masat e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin dhe letërnjoftimet. Nuk u desh shumë kohë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të shpërthente me retorikën e tij standarde ndaj liderëve të Kosovës, shkroi në një analizë të mërkurën “Foreign Policy”.

Situata u qetësua në fillim të javës pas një intervenimi nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili loboi me sukses që Prishtina t’i shtynte masat për 30 ditë. Por, incidenti ngriti alarm përreth kryeqyteteve perëndimore, të cilat janë të ndjeshme ndaj kërcënimeve për dhunë rajonale pas pushtimit rus të Ukrainës, e marrë parasysh që Kosova kaloi nëpër një luftë para dy dekadash.

Fjalimi i ashpër i Vuçiqit tërhoqi edhe një herë vëmendjen për qëndrimin misterioz të Serbisë ndaj luftës së Rusisë. Që nga fillimi i pushtimit të Putinit, Vuçiqi ka ngrehur një vijë midis mbështetjes së sanksioneve për agresionin ushtarak të Moskës në Ukrainë dhe garantimit që marrëdhëniet serbe me Kremlinin të mos marrin një goditje të pakthyeshme. Beogradi ka dyfishuar numrin e fluturimeve direkte në Rusi, pavarësisht ndalimit të BE-së për aeroplanët rusë. Vuçiqi ka nënshkruar edhe për tri vjet për gazin rus, marrëveshje që u bë direkt me Putinin përmes telefonit. 

Vuçiqi thotë se ai është lider i një shteti të vogël dhe se i duhet t’i përmbushë nevojat e serbëve. Por, një pjesë e përgjigjes së Serbisë i ka rrënjët në histori. Para Luftës së Parë Botërore, Serbia ishte aq shumë në orbitën e Moskës sa u bë shkaku i drejtpërdrejtë i luftës mes rusëve, austro-hungarezëve dhe gjermanëve. Gjatë Luftës së Ftohtë, Jugosllavia e dominuar nga Serbia luajti një rol të madh gjeopolitik – një që u zhduk bashkë me Jugosllavinë në fillim të viteve 1990. Por kujtimet jo. 

“Në një mënyrë, Serbia ka sindromën e gjymtyrëve fantazmë kur bëhet fjalë për të qenë në gjendje të balancojë Lindjen me Perëndimin”, tha Ivan Vejvoda nga IWM me bazë në Vjenë, institut për studime të avancuara. 

Serbia thotë se ende ka synim anëtarësimin në BE, teksa ka pritur për statusin e vendit kandidat qysh prej 2009-s. Por, Beogradi shikon nga perëndimi, lindja dhe jugu dhe sheh kurthe kudo. BE-ja do që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës. Kur kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizitoi Serbinë, Vuçiqi iu përgjigj atij për njohjen e Kosovës me tallje. “Ne nuk i përgjigjemi presionit”, tha ai.

Rusia duhet të jetë garantuesi i saj, por edhe aty Beogradi gjen shkak për shqetësim, veçanërisht pas vetos së Rusisë për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurisë të OKB-së. Të dielën, Moska megjithatë reagoi për situatën në rajon, duke i bërë thirrje Kosovës që “të ndalojë provokimin dhe të respektojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.

Udhëheqësit aktualë të Rusisë dhe Serbisë ndajnë jo vetëm afinitet historik, por një vizion të shtetësisë që promovon tendenca të forta nacionaliste, tha Aleksandra Tomanic, drejtoresha ekzekutive e Fondit Evropian për Ballkanin.

“Është shumë më shumë se që Serbia është dora e zgjatur e Rusisë. Çfarë kemi këtu është që Serbia dhe Rusia kanë të njëjtin botëkuptim”, tha ajo. “Për qeverinë aktuale, anëtarësimi i Serbisë në BE është diçka si martesa e detyrueshme, dhe thirrjet për sanksionet kundër Rusisë dhe njohjes së ndërsjellë me Kosovën nuk janë pritur shumë mirë”.

Gjatë gjithë kohës, Kina fshihet në prapavijë. Serbia ka qenë përfituesja më e madh e investimeve kineze në Ballkanin Perëndimor, me 61 projekte aktive në vend.

Me Beogradin nën presion nga BE-ja që të vendosë sanksione dhe nga Rusia që ta mbajë derën e hapur, Pekini po bëhet edhe më tepër i rëndësishëm. “Për vitet e fundit, Kina është bërë për Serbinë partnerja kryesore jashtë botës perëndimore. Vërtet ka zëvendësuar Rusinë si partneri numër një në lindje”, tha Vuk Vuskanoviq nga Qendra për Politikat e Sigurisë e Beogradit. “Serbia nuk do që t’i vendosë vezët e saj në një shportë të vetme, kështu që e gjithë kjo ka të bëjë me manovrimin taktik, dhe Kina ka qenë pjesë e këtij ekuacioni, veçanërisht pasi nuk e njeh Kosovën”.

Alarmi i së dielës ishte një kujtesë për Brukselin se njohja e Kosovës nga Serbia mbetet një perspektivë e largët dhe se dora e zezë e Rusisë në rajon nuk është zhdukur.

Gjenerali serb i kohës së luftës zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Serbisë
Skema e propagandës ruse për luftë në Kosovë dhe të shtëna në Medvegjë?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration