Enver Hyseni, një rrëfim mbi tragjiken “Dome”
Kulturë

Enver Hyseni, një rrëfim mbi tragjiken “Dome”

07.Jan.2019 17:00
0

Monodrama me tekst e regji të Stefan Capalikut do të ngjitet më 12-13 janar në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli nën interpretimin e aktorit të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hyseni. Shkrimi i kësaj vepre është produkt i një vëmendje të zgjuar gjatë bisedave të gjata mes autorit dhe aktorit ndër procese pune apo ndenje të rastësishme.

Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë këtyre bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin. E kanë përshtypur gjithashtu edhe thjeshtësia e tregimit e veçanërisht mungesa e mllefeve dhe inateve. Si çdo person tjetër edhe Enver Hyseni e ka jetuar kohën e vet herë ndër margjina e herë në kryeradhë; e ka jetuar brenda tragjizmit dhe komikes; e ka jetuar në varfëri dhe në lavdi; vetëm dhe me shokë; me mish e me shpirt.

Pra autori ka dashur të shkruajë e më vonë të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë. Stefan Çapaliku u lind në Shkodër, në vitin 1965. Më 1988 diplomohet për filologji shqipe në Universitetin e Tiranës. I pason studimet në Itali, Çeki dhe Angli. Në vitin 1996 përfundon doktoraturën në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 1993 deri në vitin 1998 ka qenë profesor i Letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Nga viti 1998 deri në vitin 2005 ishte drejtor i Departamentit të Librit në Ministrinë e Kulturës. Që nga viti 2005 punon si studiues në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Nga viti 1995 merret sistematikisht me teatër. Tekstet dhe shfaqjet e tij janë dhënë në disa festivale ndërkombëtare, ku është nderuar me çmime. Disa nga veprave e tij janë përkthyer në gjuhët kryesore evropiane.

Stefan Çapaliku u shpall nga Ministria e Kulturës si dhe nga ente të tjera të specializuara. si dramaturgu më i mirë për vite me radhë. Kohët e fundit krijimtaria e tij është shtrirë edhe në fushën e regjisë së teatrit dhe filmit. Është kryeredaktor i revistës “Studime për artin”. Enver Hyseni lindi në Shkodër më 1 Gusht 1951. Merr mësime aktrimi në Institutin e Lartë të Arteve për një periudhë të shkurtë (1973-1974) dhe i ndërpret studimet për arsye ekonomike.

Më 1975 nis punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku edhe pensionohet më 2016. Në këtë periudhë dyzetvjeçare luan më se gjashtëdhjetë role në teatër e katër në filma. Punon me regjisorë si Serafin Fanko dhe shquhet për role karakteresh. Zëri tipik dhe plastika e brendshme e bëjnë një aktor krejtësisht të veçantë dhe interesant. Muzika e maestro Haig Zacharian është një ndër elementet gjithashtu të çmuara të kësaj shfaqje.

Juventusi fikson çmimin e Paulo Dybalas
“Gardhi” konfirmohet midis filmave më të mirë të 2018-s
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration