DnV: Lista Serbe ka fituar në katër komunat veriore të Kosovës (video)
Rajoni dhe Politika

DnV: Lista Serbe ka fituar në katër komunat veriore të Kosovës (video)

19.May.2019 21:42
0

Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), ka vëzhguar procesin zgjedhor për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Sipas DnV-së, dalja e votuesve deri në mbylljen e vendvotimeve në ora 19:00 ishte 39 për qind. Kurse rezultatet preliminare të DnV-së për 85 për qind të vendvotimeve të numëruara, tregojnë se Lista Serbe ka fituar në katër komunat.

Mitrovicë e Veriut:

Lista Serbe, Goran Rakiq (95.2%)

Partia Demokratike e Kosovës, Gonxhe Çaushi (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq (1.6%)

Zubin Potok:

Lista Serbe, Srxhan Vulloviq (94.1%)

Partia Demokratike e Kosovës, Hysen Mehmeti (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje, Liridona Kahrimani (2.8%)

Leposaviq:

Lista Serbe, Zoran Todiq (96.4%)

Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Hetemi (2.1%)

Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Veseli (1.5%)

Zveçan:

Lista Serbe, Vucina Jankovic (96.4%)

Lëvizja Vetëvendosje, Avdi Peci (2.2%)

Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Peci (1.4%)

Ndërkohë, gjatë natës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë edhe rezultatet preliminare.

Duke komentuar ecurinë e procesit, KQZ ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur nga ora 7:00, kurse nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e tyre, kur edhe ka nisur numërimi i votave.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore kaloi mirë dhe pa ndonjë problem.

“Të drejtën e votës e shfrytëzuan 24.592 qytetarë apo 42.42 për qind e qytetarëve me të drejtë vote”, tha Daka.

Sipas komunave, Daka tha se dalja në zgjedhje në Leposaviq ishte 41.57 për qind, në Zubin Potok: 50.74 për qind, në Zveçan: 48.17 për qind dhe në Mitrovicën veriore 38.74 për qind.

Ndërkaq koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim ka numëruar disa parregullsi. Në njoftimin e DNV-së, është raportuar votimi me dokumente të Serbisë, votimet familjare, raste të votimit jashtë kabinave si dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.

DnV ka raportuar për 23 votime familjare, për gjashtë ankesa në lidhje me listen e votuesve, pastaj në pesë raste janë raportuar votime jashtë kabinës së votimit dhe dy raste të tentimit për të votuar dy herë.

Një rol në këtë proces e kishte edhe Policia e Kosovës. Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga bartja e kutive të votimit në orën 3:00 të mëngjesit, nuk është shënuar asnjë incident.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e votimit janë hapur 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime me gjithsej 57 mijë e 938 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 media.

Qytetarët duke votuar në zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës
Qytetarët duke votuar në zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës

Gjatë ditës, Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi i ka përgëzuar subjektet politike dhe qytetarët në komunat veriore për, siç ka thënë ai, fushatën e qetë zgjedhore dhe ka uruar që të ketë një proces të rregullt zgjedhor.

 

“Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të suksesshme. Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës. Kandidatëve për kryetarë u uroj suksese dhe i ftoj që të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunat e tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka kërkuar që zgjedhjet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme.

“BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor. BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara”, ka theksuar Apostolova.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.

Më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore./REL/

Kamberi dhe Mustafa: Bashkimi me Kosovën, e vetmja zgjidhje (video)
Zgjedhjet në BE, partia sllovene lobon kundër shqiptarëve: Këtu është Slloveni e jo Shqipëri
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration