DFC-ja e përkushtuar ndaj Ballkanit edhe pas bisedimeve për mbylljen e zyrës në Serbi
Rajoni dhe Politika

DFC-ja e përkushtuar ndaj Ballkanit edhe pas bisedimeve për mbylljen e zyrës në Serbi

22.Feb.2021 19:51
0

Koorporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) tha se është e përkushtuar që të mbështesë investimet private në Ballkan edhe pas diskutimeve të zyrtarëve të këtij institucioni për mbylljen e zyrës në Serbi.

Zyra e DFC-së është hapur në Beograd pas arritjes së Marrëveshjes për normalizim ekonomik të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë.

David Marchick, zyrtari kryesor operativ i DFC-së, i tha Radios Evropa e Lirë më 19 shkurt, se Banka për Zhvillim e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar për të investuar në rajon - përfshirë edhe në infrastrukturën kruciale dhe energjinë e ripërtërishme - në dritë të përpjekjeve të Kinës dhe Rusisë për të fituar ndikim në rajon.

"Ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë mbi Marrëveshjen për nxitjen e investimeve me Kosovën dhe Serbinë dhe të vazhdojmë fokusim tonë të zgjeruar që nisi vitin e kaluar, me krijimin e një prezence të DFC-së jashtë Ambasadës amerikan në Beograd", tha ai.

 
Sugjerimet se udhëheqësia e re e DFC-së parashikonte mbylljen e zyrës në Beograd, si pjesë e një strategjie të re që do të rifokusonte investimet në shtetet me të ardhura të ulëta, nxiti shqetësime në mesin e avokuesve në SHBA për Ballkanin.

Endy Zemendines, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Lidershipit greko-amerikan, këshill ky që ka për synim promovimin e raporteve SHBA-Greqi, më 18 shkurt, në një letër të zyrtarëve të DFC-së dhe administratës Biden, për të avokuar kundër një mbylljeje të tillë, duke theksuar se kjo gjë do të avanconte vetëm interesat e armiqëve të Uashingtonit.

“Kjo nuk është kohë për të krijuar konfuzion sa i përket përkushtimit të SHBA-së në rajon (Ballkan dhe Egje). Rusët dhe Kina do të jenë përfituesit e vetëm nga reduktimi i prezencës së DFC-së”, tha ai në letër, kopjen e së cilës, REL-i e ka parë.

"Ne presim që të dëgjojmë nga udhëheqësia e re e DFC-së që publikisht të tregojë përkushtimin e saj për një mbështetje të vazhdueshme në Egje dhe Ballkan Perëndimor, duke përfshirë dhënien e një zotimi që ta mbajë të hapur zyrën në Beograd", thuhet në letrn e Zemendinesit.

Marchick, që punoi në rindërtimin e Ballkanit pas luftërave në Bosnje në vitet e 90-ta, tha se zyrtarët e DFC-së në Uashington do të vazhdojnë të punojnë me stafin e ambasadës dhe të tjerët për të identifikuar mundësitë e investimeve në rajon.

Ish-zyrtarë të DFC-së, në kushte anonimiteti, i treguan REL-it se ka pasur tensione brenda këtij institucioni në mes atyre që donin që investimet të përqendroheshin në shtetet me të ardhura të ulëta, siç janë ato në Azinë Juglindore dhe Afrikë, dhe atyre të cilët besojnë se duhet të investohet në projekte në shtetet me të ardhura të mesme dhe të larta, që promovojnë synimet e politikës së jashtme amerikane.

 

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, më 2018 autorizoi krijimin e DFC-së, me përmasa më të vogla, por duke pasur për bazë Korporatën e Jashtme Private të Investimeve (OPIC) – që është krijuar para 50 vjetësh – në mënyrë që të konkurrojë më mirë me Kinën lidhur me ndikimin në vendet në zhvillim. Shumë nga zyrtarët e lartë të DFC-së janë ish-punonjës të OPIC-ut.

Kina ka shpenzuar dhjetëra miliardë dollarë në projektet infrastrukturore dhe në fushën e energjisë në shtetet në zhvillim, përfshirë Ballkanin, përmes iniciativës "Rruga dhe Brezi", teksa kërkon që të zgjerojë ndikimin e saj gjeopolitik dhe të sfidojë dominimin global të SHBA-së.

Trumpi zgjeroi fuqitë financiare të bankës, duke autorizuar që ajo të japë deri në 60 miliardë dollarë hua, të ofrojë garanci të kredive dhe sigurime për kompanitë që janë të gatshme të bëjnë biznes në shtetet që kanë një profil më të lartë të rrezikut.

Një ligj më 2019, i hapi rrugë DFC-së që të investojë në projektet strategjike në fushën energjisë në vendet me të ardhura më të larta, siç është Greqia, që konsiderohet si një portë për në rajonin strategjik të Ballkanit Perëndimor.

SHBA-ja po ashtu po tentojnë të zvogëlojnë varësinë e Ballkanit për energjinë nga Rusia.

 

Zyra në Beograd

Zyrja e DFC-së është hapur në Beograd më 22 shtator të vitit të kaluar, në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Uashington, më 4 shtator.

Më 4 shkurt, ajo njoftoi se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për nxitjen e investimeve që ka arritur me Kosovën, në fund të vitit të kaluar.

Me këtë marrëveshje është e paraparë që DFC-ja të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.

Disa analistë e panë Marrëveshjen e Uashingtonit si një lëvizje e Trumpit para zgjedhjeve presidenciale amerikane. Bisedat për mbylljen e zyrës në Beograd, vijnë disa javë pasi që Joe Biden mori detyrën e presidentit të SHBA-së dhe shkarkoi kreun e DFC-së, që ishte emëruar nga Trumpi.

Zyra në Serbi është zyra e parë jashtë SHBA-së dhe kjo zyrë po ashtu është dizajnuar që të luftojë ndikimin në rritje, rus dhe kinez në Egje dhe në Ballkanin Perëndimor, rajone këto me rëndësi strategjike. Luftimi i ndikimit të Rusisë dhe Kinës është synuar që të bëhet duke ndihmuar në sjelljen e investimeve amerikane në rajon.

 

Çfarë është DFC-ja?

Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, e lansuar në vitin 2020, bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda, me të cilat përballet bota në zhvillim.

Ajo investon në sektorë të ndryshëm, përfshirë sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse, për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim.

 

Marko Çadezh, kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë dhe njëherësh kreu i Forumit për Investime të Ballkanit Perëndimor – ku janë gjashtë odat ekonomike të rajonit – e ka quajtur DFC-në si “shenjë e angazhimit afatgjatë të Amerikës” në rajon.

“Kjo u tregon shteteve të rajonit se Shtetet e Bashkuara kanë investuar në suksesin e tyre”, tha Çadezh për Radion Evropa e Lirë.

Ministri grek për Zhvillim dhe Investime, Adonis Georgiadis, më 17 shkurt tha se DFC-ja tashmë kishte luajtur “rol kyç” në ndihmën për të tërhequr interesin amerikan në asetet strategjike të infrastrukturës së Greqisë.

Portet dhe vendet ku ndërtohen anijet në Greqi, që konsiderohen si porte hyrëse për në Ballkan, po shndërrohen në shesh lojërash për gjeopolitikë teksa kinezët, rusët dhe investitorët amerikanë janë në garë për pronësi.

Greqia po ashtu është duke zgjeruar infrastrukturën në sektorin e energjisë për t'u bërë rrugë transite për Ballkanin.

Investimet amerikane në rajonin e Ballkanit ishin të mangëta, tha ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Ajo po ashtu bëri thirrje që SHBA-ja të rrisë prezencën e saj në këtë rajon.

“Duhet të them se kam qenë e zhgënjyer nga një lloj i mosinteresimit që kam parë në vitet e fundit nga Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

“Nëse ju dëshironi që të parandaloni të tjerët që të ndërhyjnë politikisht në një zonë të caktuar, atëherë ju duhet të përfshiheni personalisht”, tha Grabar-Kitaroviq.

Ajo po ashtu ka kritikuar SHBA-në dhe Evropën për zvarritjen e procesit të integrimit të Ballkanit në BE dhe NATO, duke thënë se ky ngadalësim i procesit i ka mundësuar Rusisë dhe Kinës që të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajon.

Përgatiti: Mimoza Sadiku-REL
Në Serbi, arrijnë edhe 50.000 doza të vaksinës ruse Sputnik V
PVD dorëzon listën për zgjedhjet e parakohshme lokale në Preshevë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration