Britania mund të anulojë Brexit-in?!
Rajoni dhe Politika

Britania mund të anulojë Brexit-in?!

11.Sep.2018 01:09
0

Një këshilltar i lartë i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë tha se Britania ka ende të drejtë të tërheqë vendimin për dalje nga Bashkimi Evropian, apo Brexit, në mënyrë të njëanshme.

Zyrtari i lartë ligjor, Manuel Campos Sanchez-Bordona, i shpalli pikëpamjet e tij të martën, përpara se Parlamenti britanik të votojë më 11 dhjetor marrëveshjen për Brexit, që kryeministrja britanike, Theresa May, e ka arritur me BE-në.

Sanchez-Bordona është një nga 11 këshilltarët që japin mendime juridike në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe gjykata zakonisht i ndjek këshillat e tyre.

Opinioni jo i detyrueshëm u dha pasi një grup i politikanëve skocezë e pyeti gjykatën nëse Britania e Madhe mund të anulojë Brexit-in pa pëlqimin e shteteve të tjera anëtare të BE-së.

Deklarata e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë thotë se Sanchez-Bordona ka propozuar që gjykata “të deklarojë se Artikulli 50 [v.j. i Traktatit të BE-së] e lejon tërheqjen e njëanshme të njoftimit për largim nga BE-ja”.

 

“Vendimi për t'u tërhequr nga një traktat ndërkombëtar, si dhe revokimi i njëanshëm i atij vendimi është një akt i sovranitetit”, tha Sanchez-Bordona.

"Kjo mundësi vazhdon të ekzistojë deri në kohën kur marrëveshja e largimit ka përfunduar zyrtarisht", thuhet në deklaratën e tij.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë do të japë vendimin përfundimtar në javët e ardhshme.

Qeveria e kryeministres May tha se çështja është thjesht hipotetike, pasi nuk e ka ndërmend të anulojë vendimin për Brexit.

Por, iniciuesit e rastit thanë se ligjvënësit duhet të jenë të vetëdijshëm për të gjitha opsionet kur ata të votojnë marrëveshjen për Brexit.

Britania e Madhe duhet të largohet nga BE-ja më 29 mars të vitit të ardhshëm, por marrëveshja e negociuar me BE-në duhet të mbështetet nga deputetët e shumicës në Parlamentin britanik, për të hyrë në fuqi.

May argumenton se marrëveshja e saj do të ofrojë lidhje të ngushta ekonomike me BE-në dhe do t’i mundësojë Britanisë të tregtojë lirshëm me pjesën tjetër të botës, duke i përmbushur kërkesat e votuesve për Brexit për t'i dhënë fund lëvizjes së lirë dhe për të zvogëluar imigracionin në Britani.

Marrëveshja, megjithatë, ka çuar në dorëheqjen e disa ministrave të kabinetit të saj dhe ka rebeluar ligjvënës edhe të partisë së Mayt, Tory.

May dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se, nëse Parlamenti britanik voton kundër marrëveshjes, Britania rrezikon të dalë nga blloku pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Në këtë rast, lidhjet ligjore, të sigurisë dhe ekonomike të Briatnisë me BE-në do të shkëputeshin më 29 mars, 2019 – potencialisht duke ndërprerë fluturime, duke lënë migrantë pa të drejta dhe duke bllokuar mallra në kufij.

Përgatiti: Valona Tela
 
“Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk është ndalur”
Zvicra ndihmon Kosovën edhe me 8 milionë euro
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration