Biden bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, demokracia ka mbizotëruar
Rajoni dhe Politika

Biden bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, demokracia ka mbizotëruar

21.Jan.2021 07:41
0

Demokrati Joe Biden u betua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund një prej tranzicioneve më dramatike politike në historinë e këtij vendi.

"Demokracia ka mbizotëruar", tha Biden, pasi bëri betimin para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

Biden, 78 vjeç, ka mundur presidentin e deritanishëm, Donald Trump, në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020.

 

Zëvendësja e tij, Kamala Harris, u betua po ashtu të mërkurën, duke u bërë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që merr këtë post.

Biden nis presidencën në një kohë sfiduese për vendin e tij. Pandemia e koronavirusit, e cila tashmë ka vrarë mbi 400,000 amerikanë, vazhdon të përhapet.

Shumë amerikanë, ndërkaq, vazhdojnë të dyshojnë në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, duke nxjerrë në pah ndarjet e thella të shoqërisë.

Këto ndarje janë bërë edhe më të dukshme kur mbështetës të ish-presidentit Trump kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar, në përpjekje për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve. Ky sulm i paparë ka lënë pesë njerëz të vdekur - në mesin e tyre një zyrtar i policisë.

Video: Ceremonia e betimit

Menjëherë pas betimit, Biden i adresoi këto çështje në fjalimin e tij të parë si president. Ai tha se pak nga paraardhësit e tij kanë hyrë në detyrë në një kohë kaq të vështirë dhe u bëri thirrje amerikanëve që të bashkohen, për të kapërcyer pandeminë dhe problemet racore dhe sociale me të cilat përballet SHBA-ja.

“Për t’i kapërcyer këto sfida, për ta rikthyer frymën dhe për të siguruar të ardhmen, Amerika kërkon shumë më tepër sesa fjalë. Kërkon unitetin”, tha Biden.

“Sot, në këtë ditë janari, gjithë shpirti im është në këtë - bashkimin e Amerikës, bashkimin e njerëzve tanë, bashkimin e kombit tonë. I kam kërkuar çdo amerikani që të bashkohet me mua në këtë kauzë”, tha Biden.

Ai dërgoi mesazhe edhe përtej kufijve, duke u zotuar se do t’i riparojë aleancat me vendet e tjera.

“Do t’i riparojmë aleancat tona, do të angazhohemi me botën sërish”, tha Biden.

 

“Amerika është testuar”, tha ai, duke iu referuar sulmit të 6 janarit. “Dhe, ne kemi dalë më të fortë prej tij”, tha Biden.

Normalisht, qindra mijëra mbështetës dhe vëzhgues të tjerë do të mblidheshin pranë ndërtesës së Kongresit për të dëgjuar Bidenin, duke bërë betimin.

Megjithatë, pas sulmit në Kongres, autoritetet vendosën në detyrë rreth 25,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe ngritën gardhe dhe barriera, për të parandaluar afrimin e kalimtarëve te vendi i inaugurimit.

Në vend të qytetarëve, Biden shikoi nga një det me 200,000 flamuj amerikanë, të shpërndarë në hapësirën e parkut National Mall, që shtrihet përpara ndërtesës së Kongresit.

Edhe përpara dhunës së turmës ishte vendosur që inaugurimi të zhvillohej pa publik, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por, ky nuk ka qenë dallimi i vetëm me ceremonitë e tjera inauguruese.

Për herë të parë në 152 vjet, presidenti në largim nuk mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Megjithatë, atje ishin ish-presidentët tjerë: George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama. Ish-presidenti Jimmy Carter, i cili është 96 vjeç, nuk ka qenë në gjendje të marrë pjesë.

Trump, i cili ka refuzuar të pranojë fitoren e Bidenit dhe vazhdon të hedhë dyshime mbi legjitimitetin e zgjedhjeve, u largua nga Shtëpia e Bardhë rreth orës 8:15 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

”Ka qenë nder i madh për mua të jem presidenti juaj. Faleminderit”, tha Trump, duke iu drejtuar mbështetësve nga baza ushtarake Andrews, në Merillend. Ai, më pas, udhëtoi drejt Floridës.

Trump nuk e përmendi Bidenin me emër, por e uroi administratën e re dhe tha se ai ka lënë pas “bazën për të bërë diçka vërtet spektakolare”.

“Paçi një jetë të mirë, do të shihemi shpejt”, tha Trump.

 

Ndryshe nga shefi i tij, ish-nënkryetari Mike Pence e ndoqi ceremoninë e inaugurimit, ashtu siç bënë edhe shumë ligjvënës të tjerë republikanë.

Shumë shpejt pas marrjes së detyrës, Biden nënshkroi disa urdhra ekzekutivë, për t’i zhbërë disa politika të Trumpit, të miratuara gjatë katër vjetëve të kaluar.

Me këta urdhra, mes tjerash, ndalohet ndërtimi i murit në kufirin e SHBA-së me Meksikën, hiqen ndalesat e udhëtimit nga disa vende kryesisht me shumicë myslimane, si dhe anulohet vendimi për tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Përgatiti: Valona Tela-REL
Vuçiq: Do të marrë vaksinën kineze "Sinopharm" në fundjavë, mbi 13.000 persona janë vaksinuar
Gjermania paralajmëron mbylljen e kufijve me fqinjët
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration