Bandat shqiptare të drogës shqetësim për Britaninë e Madhe
Rajoni dhe Politika

Bandat shqiptare të drogës shqetësim për Britaninë e Madhe

08.Feb.2022 06:57
0

Veprimtaria në rritje dhe fuqizimi i grupeve shqiptare që kontrollojnë tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar kanë rritur shqetësimin e autoriteteve të sigurisë në ishull. Për të diskutuar për këtë çështje, të hënën në Tiranë ka qëndruar Tom Dowdall, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar (NCA). Ai është takuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Gledis Nano.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me NCA-në, por dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese britanike. Ai vuri në dukje faktin se tashmë ka ardhur koha që ky bashkëpunim të kalojë në një tjetër nivel, duke u fokusuar jo vetëm në shkëmbimin e informacionit, por edhe në organizimin e operacioneve të përbashkëta policore për goditjen e individëve apo grupeve të krimit të organizuar në fushën e luftës kundër drogës, kontrabandimit të personave apo edhe në drejtim të pastrimit të parave, identifikimit dhe sekuestrimit të aseteve që burojnë nga aktiviteti kriminal. Nano theksoi se do të ishte me shumë vlerë që në kuadër të këtij bashkëpunimi të ngriheshin njësi të përbashkëta hetimore, sikurse janë ngritur edhe me shumë vende të BE-së, pasi do të ishin rezultative në goditjen e aktivitetit të grupeve kriminale.

Tom Dowdall, zëvendësdrejtor i NCA-së, duke iu referuar deklaratave të drejtorit Nano, theksoi se kjo dëshmon seriozitetin e policisë shqiptare në kuadër të forcimit të bashkëpunimit për një luftë efikase kundër krimit të organizuar. 

Vizita e numrit dy të NCA-së (National Crime Agency) të Mbretërisë së Bashkuar pason pas një numër vizitash të krerëve më të lartë të zbatimit të ligjit të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Londër dhe Tiranë, përfshirë këtu vizitën në korrik të vitit kaluar në Tiranë të sekretares britanike të Punëve të Brendshme, Priti Patel. Numri një i “Home Office” ka paralajmëruar për veprim me dorë të hekurt ndaj shqiptarëve që bëjnë krime në Mbretërinë e Bashkuar.

“Për shqiptarët e përfshirë në krime në Britaninë e Madhe do të veprohet me dorë të hekurt. Nëse vini në këtë vend dhe abuzoni me mikpritjen tonë, ne do t’ju ndëshkojmë”, deklaroi Priti Patel para se ta vizitonte Shqipërinë.

Sipas mediave britanike, shtimi i madh i të burgosurve nga Shqipëria në Britani ndodh pas krijimit të bandave të organizuara dhe të pamëshirshme shqiptare që u futën në tregun e drogës në Britani. Ata jo vetëm që kontrollojnë tregtinë e drogës në rrugë, por edhe importin e dërgesave nga e gjithë bota. “Grupet shqiptare të krimit kanë krijuar një ndikim të profilit të lartë brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe kanë një kontroll të konsiderueshëm në të gjithë tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht kokainën. Londra është qendra kryesore e tyre, por ato janë vendosur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, ka paralajmëruar Agjencia Kombëtare e Krimit(NCA).

Serbia kërkon që zgjedhjet e saj të mbahen edhe në Kosovë
Vuçiqi të dërguarit special britanik Peachit: Serbia do zgjidhje të pranueshme reciprokisht në dialogun me Kosovën
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration