Bahri Çela, dirigjenti që vuri themelet e Filarmonisë së Kosovës
Kulturë

Bahri Çela, dirigjenti që vuri themelet e Filarmonisë së Kosovës

11.Sep.2018 09:09
0

Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit më të lartë muzikor në vend, njëherësh edhe pedagogu që u dha hapat e parë muzikantëve që sot prezantohen në skenën kosovare, ka vdekur. Ishte 77-vjeçar.

Çela konsiderohet si një prej dirigjentëve më me ndikim prej viteve ‘70 e deri pas luftës së fundit në Kosovë. Ai fillimisht drejtori orkestrën dhe korin e Radiotelevizionit të Prishtinës, e më pastaj themeloi edhe Filarmoninë e Kosovës. Si pedagog në Fakultetin e Arteve, Degën e Muzikës, me qasjen e tij “jokonvencionale” përgatiti gjenerata të shumta të muzikantëve që sot janë pjesë e skenës muzikore në vend. Çela studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd, për të vazhduar më pas specializimin në Konservatorin e Shën Petërsburgut në Rusi, te pedagogu i njohur Prof. A.P. Musin dhe në Nicë (Francë) te dirigjentët e njohur francezë P. Dervaux dhe F. Quatrocchi. Fill pas studimeve ai do të punësohej në Radio Prishtinë si producent i asaj që asokohe quhej muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Të dielën kur komuniteti artistik u zgjua me lajmin për vdekjen e tij, ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të, nuk kursyen fjalët e mira.

Prijës e pedagog

Për një kohë të shkurtër Bahri Çela punoi si pedagog, udhëheqës i korit në shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë. Në një biografi të shkurtër për krijimtarinë e tij artistike, thuhet se në vitin 1978, ishte zgjedhur ligjërues në Fakultetin e Arteve, Dega e Muzikës për lëndët dirigjim dhe orkestër. Çela ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Në mesin e tyre hyjnë emra si Rexho Mulliqi, Vincent Gjini, Esat Rozvanolli, Rauf Dhomi, Akil Koci, Çesk Zadeja e të tjerë, me të cilët ai po ashtu incizoi një varg veprash, ndër to edhe uverturë nga opera "Goca E Kaçanikut".

Me këtë orkestër, Çela mori rregullisht pjesë në festivalin “Ditët e Muzikës” në Budvë, pastaj në Shqipëri dhe Kosovë. Sukseset që arriti me këtë orkestër në kohën e ish-Jugosllavisë, deri kur situata politike nisi të ndryshojë, ishin të mëdha. Megjithatë, me gjithë kushtet jo të mira të punës - në vitet ’90 kur institucionet nisën të mbyllen dhe shqiptarët të largohen nga vendet e punës - Çela bashkë me studentët dhe pjesërisht me ish-anëtarët e Korit Profesional dhe atyre të Orkestrës Simfonike të RTP-së, përgatiti koncerte të ndryshme që u mbajtën në kishën katolike “Shën Ndou” në kryeqytet.

Një prej koncerteve që zuri vend në atë kohë ishte ai që i dedikohej Nënë Terezës. Në rrethana të tilla të jashtëzakonshme politike ai mbajti gjallë muzikën klasike në vend. Pas luftës së fundit, ai mori iniciativën që orkestrën me të cilën kishte punuar ta riaktivizonte. Si rezultat u themelua Filarmonia e Kosovës si institucion i pavarur muzikor. Çela, bashkë me muzikantë të tjerë në vitin 2000 themeluan Filarmoninë e Kosovës, fillimisht si ansambël harkor e më vonë orkestër kamertale. Përveç si themelues ai luajti edhe rolin e dirigjentit kryesor. Pas konsolidimit të institucioneve shtetërore, Filarmonia e Kosovës kaloi në përkujdesje të Ministrisë së Kulturës e cila financonte projekte koncertale dhe aktivitet të rregullta të këtij institucioni. Në kuadër të Filarmonisë në vitin 2004, Ministria e Kulturës mori iniciativën që të themelojë Operën e Kosovës duke formuar kështu Korin Profesional brenda institucionit të Filarmonisë së Kosovës.

Violonçelisti Antonio Gashi, njëherësh një prej bashkëpunëtorëve të Çelës në themelimin e Filarmonisë, e drejtori i parë për disa vite i këtij institucioni, ka thënë se vdekja e dirigjentit është humbje e madhe.

“Jo vetëm për Filarmoninë e Kosovës ku ka qenë iniciator dhe themelues i këtij institucioni, por një humbje e edhe për pedagogjinë në vend. Ai ka qenë një prej pedagogëve të parë në Fakultetin e Arteve. Ka përcjellë gjenerata të shumta të arta që janë bërë sot muzikantë. Si themelues i Filarmonisë ka qenë edhe dirigjent i parë, i cili ka mbajtur koncerte me muzikantë të njohur botërorë”, ka thënë Gashi.

Çela krahas kontributit të tij dhe punës së madhe që ka bërë është njohur edhe për qasjen e tij si pedagog dhe dirigjent. Metodat e tij të punës shpeshherë janë konsideruar edhe të ashpra, por që gjithmonë janë arsyetuar me vullnetin dhe dëshirën për të nxjerrë më të mirën e mundshme.

Drejtori i tanishëm i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, i cili po ashtu ka qenë një prej studentëve të tij, ka thënë se Çela ka merita të mëdha për zhvillimin e muzikës klasike në vend, por që kishte edhe specifikat e veta të veprimit.

“Një prej specifikave të tij ka qenë se në koncertet me orkestër, por edhe me kor ai nuk ka lejuar partitura përpara. Të gjithë është dashur të këndojnë dhe të mësojnë veprat përmendësh, në mënyrë që të kenë lidhje më të mirë me dirigjentin. Ka pasur vepra që kanë zgjatur një orë, e kjo ka qenë ndoshta kërkesë ekstreme apo në kufi të ekstremes. Por që një gjë të tillë e ka bërë vetëm me arsyen që të jetë një interpretim sa më mirë i mundshëm”, ka thënë Jashari, i cili ka bërë të ditur se ndikimi i tij në fushën e muzikës korale ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Bahri Çela është një prej muzikantëve të parë që janë shkolluar për muzikë. Dirigjenti i parë kosovar. Angazhimi i tij si pedagog pas shkollimit në ish-Jugosllavi dhe më vonë në Rusi, si dirigjent, ka ndikuar dukshëm në krijime të kuadrove të reja këtu”, ka shtuar ai. Sipas Jasharit, puna shumëdimensionale e Çelës ka pasur ndikim për zhvillimet që nga vitet ’70 kur edhe pati periudhën më të frytshme si pedagog dhe dirigjent.

“Pas luftës, ai e ka themeluar Filarmoninë dhe deri në vitet 2001 -2002 ka organizuar koncerte jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytetet e tjera të Kosovës, në kushte të vështira. Çela ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për konsolidimin e këtij institucioni. Filarmonia e përjeton si një humbje të madhe si të një dirigjenti dhe pedagogu. Ai ka ndërruar jetë në Londër, ku edhe tash e disa vite ka jetuar atje”, ka thënë Jashari, duke shtuar se ai pas pensionimit qe zhvendosur në kryeqytetin anglez gradualisht.

“E ka vizituar Kosovën shpesh e natyrisht mund të themi që ka qenë një figurë shumë e rëndësishme e zhvillimit të muzikës klasike, e posaçërisht muzikës interpretuese”, ka thënë Jashari, tek ka bërë të ditur se Çela nuk ka qenë krijues, por dirigjent dhe ka analizuar dhe më pas sjell shumë vepra që publiku kosovar i ka dëgjuar për herë të parë. Ndërsa në cilësinë e një studenti, e jo në atë të drejtorit, ai ka thënë se Çela ka pasur ndikim shumë të madh tek ai në këndin personal. Jashari ka qenë një prej nxënësve të tij në shkollë të muzikës dhe që edukimi që ka marrë nga ai ka ndikuar që ta zgjedhë edhe drejtimin e dirigjimit.

“Motivimi që më ka dhënë e posaçërisht në muzikë korale, pas shkollës së mesme kam shkuar në Slloveni dhe me drejtimin tij dhe inkurajimin e tij kam marrë guximin të drejtoj kore atje. Madje më pati vizituar një herë dhe ishte ndier krenar që një student i tij të arrijë diçka të tillë”, ka thënë Jashari.

Udhërrëfyes në rrugëtimin muzikor

Në vitin 2010 kur u shënua 10-vjetori i themelimit të Filarmonisë së Kosovës, Bahri Çela ka qenë figura kryesore dhe veprimtarisë së tij i është dedikuar pjesë e veçantë në koncert. Kjo ishte hera e fundit kur ai ka dirigjuar Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

Të dielën mbrëma, Filarmonia e Kosovës mbajti koncertin e parë për hapjen e sezonit të ri për vitin 2018-2019. Kjo mbrëmje iu kushtua atij fillimisht me një minutë heshtje e më pas edhe me një fjalim të Jasharit, i cili e ka cilësuar si “një njeri me karakter shumë të fuqishëm”. Për ndarjen nga jeta të Bahri Çelës, kanë shprehur ngushëllime edhe shumë muzikantë të tjerë.

Violinistja Sihana Badivuku, e cila i qëndroi përkrah Çelës në themelimin e Filarmonisë, ka thënë se lajmi për vdekjen e tij e ka tronditur shumë. Ajo ka thënë se nuk do t’i harrojë kurrë momentet dhe çastet e kaluara me të në fillet e para të Filarmonisë së Kosovës dhe vullnetin e tij të palodhshëm për punë.

“Profesor Bahri Çela, themelues i parë i shkollës kosovare të dirigjimit, profesor që ka nxjerrë gjenerata e gjenerata talentesh, tani më profesionistët që janë aktivë anembanë botës, themelues dhe ideator i Filarmonisë së Kosovës, dirigjenti im i preferuar ku si soliste dhe koncertmjeshtre më mësoi, këshilloi dhe udhëzoi si mua ashtu dhe kolegët. Jo vetëm për profesionin tonë që sakrifikohemi aq shumë dhe e duam, por edhe për jetën në përgjithësi”, ka thënë Badivuku. Ajo e ka cilësuar atë si “udhërrëfyes” dhe “meritor për zhvillim”.

“Energjia e palodhshme dhe pozitiviteti për të ecur përpara si popull në lëmin e kulturës me dozë humori që vetëm ai e posedonte. Do të mbetet për ne gjeneratat më të reja si udhërrëfyes dhe motivim për të vazhduar më tutje në këtë rrugëtim të artit të muzikës klasike duke e fituar vendin e merituar në shoqërinë dhe shtetin tonë të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Bashkëpunëtor të tij të tjerë, e nxënës kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të ndarë nga një kujtim me të, por dhe për t’i shprehur ngushëllime familjes. Por asnjë telegram ngushëllimi gjatë ditës së diel nuk është dërguar nga krerët e shtetit. Një të tillë nuk e ka dërguar as ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi.

PDSH pro zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar
Peskov: S’ dihet a do t’i ofrojë ndihmë Rusia Serbisë rreth Kosovës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration