“Apocalypse Now”: Detaje për “filmin e përsosur”!
Kulturë

“Apocalypse Now”: Detaje për “filmin e përsosur”!

18.Oct.2019 14:33
0

Lufta, Perëndimi, morali, ndërgjegjja e sëmurë e së keqes… janë në qendër të një prej kryeveprave më të mëdha të historisë së kinemasë, “Apocalypse Now” i regjisorit Francis Ford Coppola. I shfaqur për herë të parë në vitin 1979, është sërish në salla kinemaj. “Apocalypse Now: Final Cut” është versioni që regjisori e ka quajtur “versioni perfekt”. Coppola ka qenë gjithmonë i bindur se versioni origjinal i vitit 1979 ishte shkurtuar shumë, ndërsa “Redux” i vitit 2001 ishte shumë i gjatë. Kështu që ai vendosi ta rishikonte jo vetëm montazhin, por edhe të restauronte tingullin dhe imazhet nga negativi origjinal.

Skenaristi i reformuar: Le të fillojmë me skenaristin John Milius: ai ia atribuon obsesionin e tij me luftën faktit që kurrë nuk mundi të merrte pjesë në një të tillë. U përpoq të bëhej vullnetar për Trupat e Marinës amerikane për të marrë pjesë në Luftën e Vietnamit në 1968, por u largua sepse vuante nga astma. Në vend të kësaj, studioi regji në Shkollën e Filmit të Universitetit të Kalifornisë Jugore me shokun e klasës dhe ideatorin e “Star Wars”-it, George Lucas. Atje, gjatë një leksioni, një profesor i quajtur Irwin Blacker tha para studentëve të tij se asnjë skenarist nuk kishte përsosur kurrë një adaptim filmik të romanit të Joseph Conrad-it, “Heart of darkness”. Obsesioni i regjisorit të ardhshëm për luftën e Vietnamit dhe sfidën e Blacker-it i dha Miliusit idenë për ndërthurjen e dy elementeve në atë që përfundimisht do të bëhej “Apocalypse Now”.

Regjisori i larguar (është fjala për George Lucas): Pasi përfundoi në vitin 1969 filmin “Unë kthehem në shtëpi sonte”, kompania e prodhimit të Francis Ford Coppola-s, “American Zoetrope”, mori një kontratë nga Warner Bros Pictures për të prodhuar filma me skenare të rinj. Skenari që Coppola preferoi ishte “Apocalypse Now” nga Milius-i. Plani parashikonte që George Lucas të xhironte filmin bardhezi në Stockton të Kalifornisë, me një buxhet të vogël dhe me një stil pseudo-dokumentar të ngjashëm me filmin e famshëm të luftës të Gillo Pontecorvo-s “Beteja e algjerëve” (1966). Me këtë projekt nuk u bë asgjë dhe përfundimisht Lucas la gjithçka për regjinë e një skenari të ri që kishte shkruar. Filmi që ai realizoi ishte “Star Wars”. Pas sukseseve të tij me “Kumbarin”, Coppola pranoi të bëjë regjinë e “Apocalypse Now”.

Keitel mbetet jashtë, vjen Sheen: Roli i kapitenit të trupave speciale, Benjamin Willard, i ka dhënë më shumë sesa një dhimbje koke Coppola-s. Fillimisht, ai ia ofroi pjesën Steve McQueen-it, i cili refuzoi sepse nuk donte të xhironte në xhungël. Al Pacino, James Caan dhe Jack Nicholson kundërshtuan ofertat e mëvonshme derisa u thirr Harvey Keitel për ta luajtur këtë personazh. Coppola e pushoi nga puna gjashtë javë pas fillimit të produksionit, sepse besonte se performanca e aktorit nuk ishte ashtu siç e kërkonte personazhi. Kështu që e thirri Martin Sheen-in, i cili më parë kishte bërë një audicion për rolin e Michael Corleone-s te “Kumbari”…

Coppola rrezikoi gjithçka që kishte: Francis Ford Coppola investoi 30 milionë dollarë për të marrë buxhetin e nevojshëm për të bërë “Apocalypse Now”, sipas vizionit të tij. Ky total përfshinte hipotekën e shtëpisë dhe kompanisë së tij të verës, të cilat ai transferoi në bankën “Chase” si garanci për shumën. Norma fillestare e interesit ishte shtatë për qind, deri në 29 për qind në fund të prodhimit. Nëse filmi do të dështonte, do të duhej të përballej me falimentin financiar. Coppola ishte viktimë e një krize epileptike gjatë xhirimeve, ndërsa pati një krizë nervore dhe kërcënoi të bënte vetëvrasje të paktën tre herë.

Versioni i përsosur (sipas Coppola-s): Coppola kishte planifikuar fillimisht 14 javë xhirime në Filipine, në pranverën e vitit 1976. Gjithçka shkoi sipas planit, derisa tajfuni Olga dëmtoi pothuajse të gjitha grupet e xhirimit dhe pajisjet, duke detyruar produksionin të mbyllej për tetë javë. Në atë moment e më pas, vazhdoi të xhironte pa ndalur: postproduksioni i filmit zgjati edhe dy vjet të tjera dhe filmi u lansua përfundimisht në gusht 1979. Sipas regjisorit, pas versionit të vitit 1979 që mori Palmën e Artë në Kanë dhe versionit monumental “Redux” të vitit 2001, i restauruar dhe i zgjatur (47 minuta), “Final Cut” është përfundimisht versioni i përsosur.

Zbulohen arkivolet e faraonëve të lashtë
Zbulohet arsyeja pse Pixel 4 i Google nuk ka 5G
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration